Paraditen e të enjtes një grup organizatash të shoqërisë civile manifestoi në përkujtim të 25-vjetorit të miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Parakalimi me pankarta në duar u zhvillua përgjatë sheshit “Nënë Tëreza”, ndërsa pika kryesore e ndalesës u zgjodh ndërtesa e Kryeministrisë.
Aktivisti Altin Hazizaj tha se problemet si shfrytëzimi i fëmijëve apo abuzimi ndaj tyre, që shohim e dëgjojmë çdo ditë, nuk mund të kalojnë pa u vënë re, për më tepër në ditën e sotme kushtuar tërësisht të drejtave të tyre.
“Qeveria ka arritur rezultatet e saj, por fakti që ne ndodhemi sot këtu tregon se ka ende shumë punë për të bërë,” u shpreh Hazizaj.
Organizata si “ALO 116”, “CRCA Shqipëri”, “Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri”, “Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për të Drejtat e Fëmijëve”, “Rjeti Kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve në Shqipëri” dhe “Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri” u mblodhën për të marshuar së bashku nën moton: “Një Parullë-Mesazh për të drejtat e fëmijës!”
Pavarësisht se Shqipëria e ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve para më shumë se dy dekadash, pavarësisht përmirësimit të situatës, probleme të shumta mbeten për tu adresuar në respektim të saj.
Nën zhurmën e bilbilave që fërshëllenin dhe pamjes së pankartave “Më shumë kopshte për fëmijët”, “Më shumë parqe dhe hapësira të gjelbra”, “Sistem arsimor që të mund t’i edukojmë fëmijët”, aktivistët marshuan për rreth një orë me shpresën se fjala e tyre do të bjerë në vesh jo të shurdhët.