Të personifikosh Wolfgang Amadeusin është biznes i madh në Vjenë – por shumë nga paruket e bardha flasin shqip
Dy personazhet e operës së njëmbëdhjetë më shpesh të luajtur në botë këtë vit, një opera buffa e Mozartit e quajtur Cosi fan tutte, apo Kështu bëjnë të gjitha, maskohen si shqiptarë për të ngacmuar të dashurat e njëri-tjetrit dhe për t’ua vënë në provë besnikërinë.
Njëzet vitet e fundit, qindra shqiptarë e kthyen mbrapsht fabulën e mjeshtrit të muzikës, duke ndjellë turistët në qendër të Vjenës të maskuar si Mozartë për të shitur bileta koncertesh.
Një grup Mozartësh të Vjenës ka mbi 200 anëtarë por numri i saktë duhet të jetë shumë më i madh.
Mozartët biletashitës e kanë origjinën tek nuhatja e tregut të një personi që identifikohet me Vjenën po aq sa shniceli, thotë Islam “Lami” Cunaku, një biznesmen kosovar që administron një rrjet të tillë. Nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Johan Shtrausi i nxirrte muzikantët e orkestrës në rrugë për t’u shpërndarë ftesa kalimtarëve që të dëgjonin Danubin Blu apo Marshin e Radeckit, një shekull e kusur para se këto të bëheshin muzikë ashensorësh.
Por shitja e biletave në rrugë është fenomen i turizmit masiv, me orkestra të reja private që mundohen të ndjellin vizitorët me potpuri mozarto-shtrausiane nëpër pallate habsburge të marra me qera.
Muzikantët e Shtrausit u zëvendësuan nga studentë austriakë dhe italianë, të cilët fitonin 30 përqind nga çmimi i biletës për të tilla shfaqje të pas-Luftës së Dytë Botërore.
Bullgarët dhe jugosllavët i hynë kësaj pune më vonë, por ndërsa flasim, pjesa e shqiptarëve në atë treg është shumë madhe.
“Shqiptarët ishin më agresivë dhe kishin sukses sepse kishin më shumë nevojë,” thotë Cunaku.
“Një studenti italian a austriak i duheshin vetëm paret e ditës, ndërsa shqiptarëve u duhej të siguronin jetën, të mbanin vëllezër a motra në Vjenë dhe të çonin dhe para në Kosovë.”
Ndër Mozartët shqiptarë llogariten dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, një drejtor privatizimi dhe një drejtor i luftës kundër korrupsionit atje.
“Gati të gjithë kosovarët që vinin në Vjenë për shkollë e kanë bërë këtë,” thotë Cunaku.
Vetë Cunaku shkoi në Vjenë në 1997, kur kriza në Kosovë po i dëmtonte biznesin dhe po i vinte sigurinë në rrezik.
I vëllai, i cili kish nisur më herët të shiste bileta, i vuri një parukë për llogari të Residenzorchester, njërës prej një gjysëm duzine kompanish të tilla që performojnë koncerte Mozart-plus-Shtraus për turistët.
Ai u ngjit shpejt në hierarkinë e kompanisë dhe tani është manaxher shitjesh dhe aksioner. Residenzorchester kohët e fundit bleu dhe më të vjetrën e të tillave kompani, të themeluar në 1946-ën.
Një tjetër biznesmen kosovar kontrollon një orkestër të tretë dhe dy të tjera administrohen a kontrollohen nga emigrantë kroatë.
“Shitësit e mirë mund të nxjerrin të ardhura të mira duke bërë këtë punë,” thotë Cunaku, një dyzetepesëvjeçar i mirësjellshëm që shëtit botën për bizneset e veta. Për çdo biletë, Mozartët e rrugës fitojnë mes 13 dhe 30 eurove.
Në detyrat e tij bën pjesë punësimi i tyre. Shumica janë shqiptarë. “Kam marrë në punë gjysmën e fisit që ka ardhë në Vjenë,” thotë.
Por puna e Mozartëve biletashitës ka rrezikun e saj. Të ardhurat që sjell janë tejet të paqëndrueshme dhe shitjet në rrugë mund të konfliktojnë me rezervimet nga agjensitë turistike.
“Dhe nuk mundesh të marrësh një Mozart në punë në dimër, kur nuk ka rezervime agjensish dhe ta heqësh në verë, kur Vjena është plot me turistë,” thotë ai.
Shqiptarët e parë u morën me këtë punë nga viti 1992, kur tregu dominohej nga studentët austriakë dhe italianë.
Nga 1996-a, numri shkoi në gjashtë. Tani i afrohet më shumë dyqindëshit, megjithëse vetëm 140 prej tyre janë të rregullt, thotë Cunaku.
Por këta nuk janë gastarbeiterë – emigrantë punëtorë – të brezit të dytë, por studentë apo të rinj që flasin disa gjuhë.
Nizar Meta, një shqiptar nga Peja e Kosovës, shiti bileta rrugëve në gjermanisht, anglisht, frengjisht, spanjisht dhe serbokroatisht për 15 vjet para se të fillonte punë në një kompani që shiste bileta të tilla në Internet, përsëri biznes kosovar. Ai është administrator i faqes së Facebook-ut për Mozartët e Vjenës.
“Në fillim thosha se ishte francez, pasi e kishte frëngjishten të përsosur,” thotë Jelena Juresha, një artiste nga Novi Sadi që bëri një studim mbi Mozartët në video në 2009-ën.
“Më pas i thirra mendjes. Nuk vjen francezi deri këtu për të bërë këtë punë po të dijë gjithë ato gjuhë të huaja.”
Por puna e shitësve është në fakt një lojë me rolet e protagonistëve të Cosi fan tutte.
“Në këtë punë nuk vijnë njerëzit (klientët) te ti, por duhet t’i ndalish në rrugë dhe t’ju spjegosh koncertin dhe t’ua shitësh biletat,” më tha Meta tashti vonë në një shkëmbim mesazhesh në Facebook.
“Përndryshe është një punë që nuk spjegohet pa e bërë vetë. As miqve nuk mund tua spjegoj. Është punë me rregulla të pashkruara.”
Të ndjellësh turistët të marrin biletat bën pjesë tek detyrat e punës, thotë Cunaku. Ti u afrohesh klientëve potencialë, i sheh në sy, flet fillimisht me gruan – “sepse gratë marrin vendimet në familje” –apo flet me fëmijën që qan se nuk do të shkojë në koncert.
Në pjesë të madhe është gjuhë trupore; katër ndër pesë vetë vendosin jo prej argumenteve të shitësve por nga qëndrimi që mbajnë.
Në këtë mënyrë, kthehesh në guidë të mirësjellë, pikë orientimi, frymëmarrje në atë lukuni. Më të rrallë, shkëmbehen numrat e telefonit për takim pas pune.
Mes Mozartëve dhe turistëve ka pasur dhe martesa, thotë Cunaku.
Kohët e fundit, Vjena nuk shet vetëm Mozartin dhe Frojdin, por edhe veten si porta veriore e Ballkanit, megjithëse pa shumë dëshirë që të marrë përsipër dhe dhunën e rajonit kohëve të fundit.
Si kryeqytet i Perandorisë Austro-Hungareze, ajo u kërlesh për shekuj të tërë me osmanët për kontrollin e territoreve në jug të saj.
Pas shembjes së dy perandorive prej Luftës së Parë Botërore një shekull më parë dhe me traumat që pasuan, nazizmin dhe Luftën e Ftohtë, Vjena mbeti në hije.
Por rënia e Perdes së Hekurt e ktheu sërish qytetin në qendër evropianoqendrore, duke i kundërvënë një formë ksenofobie austriake këtij kozmopolitanizmi të ri. Një përpjekje për t’i hequr shitësit e biletave prej rrugëve tash vonë për pak sa s’pati sukses.
“Është e lezetshme,” thotë Juresha. “Austria e ka Mozartin mit kryesor të identitetit të vet, por ata që e personifikojnë atë në publik janë emigrantë ballkanas.”
Komunitetet ballkanike kanë tani tregun e vet në një shesh në ish lagjen hebreje përtej kanalit nga qendra turistike e qytetit. Serbë të pakualifikuar punojnë si riparues shtëpish. Kushdo që ka arsimim a kualifikim më të mirë kërkon punë me të ardhura. Shumë të rinj nga Ballkani post-komunist kërkojnë arsimim të mirë me sfond fotografish kartolinash një fluturim nga dera e shtëpisë.
Opere buffe – operat komike – të shekullit të tetëmbëdhjetë ishin zhanër që bënte humor me ngjarjet në Mbretërinë e Napolit.
Kontributi i Mozartit në të paraqiste dy të rinj napolitanë të cilët i ngacmonte një epror cinik duke u thënë se të dashurat do i tradhëtonin sa t’u jepej rasti. Kështu që dy shokët u thonë të fejuarave se do nisen për luftë por rrinë aty dhe maskohen në fakt si “fisnikë shqiptarë” të cilët thyejnë shumë shpejt rezistencën e dy motrave ndaj tyre.
Kur pastaj e zbulojnë ngjarjen, të katërt pranojnë se dobësia njerëzore duhet falur dhe jo ndëshkuar.
Opera është shkruar gjatë një lufte mes habsburgëve dhe osmanëve. Por se pse Mozarti zgjodhi t’i maskonte personazhet si shqiptarë është pikëpyetje.
Studiuesi Ian Woodfield nga Universiteti i Mbretëreshës në Belfast mendon se ata janë të krishterë. Emrat e të ashtuquajturve shqiptarë janë në fakt Sempronio, versioni italian i emrit latin Sempronius, dhe Tizio apo Titus dhe këto dëshmojnë origjinë italike dhe mbase të krishterë.
Historiani Larry Wolff mendon se kjo mund t’i dedikohet libretistit të Mozartit, venedikasit Lorenzo da Ponte, si referencë ndaj zotërimeve të dikurshme të Serenissimas të quajtur Albania Veneta.
Ralph Locke, një muzikolog amerikan që merret me ekzotiken në muzikën klasike perëndimore, më thotë me email se personazheve “u duheshin mustaqe dhe turbanë që të fshiheshin sa më mirë prej të dashurave… Për mua, ata duhen parë si shqiptarë myslimanë.”
Në perëndim, ata visheshin si osmanë, thotë Nikolin Gurakuqi, regjizori tiranas që e ka vënë dy herë në skenë këtë opera këto 20 vjet. “Por shqiptarët s’ishin turq, ata ishin të pushtuar nga turqit!” Ai i veshi dy shokët me qeleshe dhe fustanella toskësh dhe xhamadanë gegësh, mes të qeshurave dhe ovacioneve në Teatrin e Operas në Tiranë.
Cosi fan tutte është komedi e lehtë, por krahasimet e lehta me të s’u kanë shkuar ndër mend shqiptarëve parukebardhë të rrugëve të Vjenës.
“Lidhja me operën e Mozartit s’na ka interesuar,” thotë Driton Sahiti, i cili ishte pjesë e triumviratit që shenjoi epokën e Mozartëve shqiptarë në 1992. Tani ai është funksionar i lartë në PTK-në e Kosovës. “Interesi ka qenë punë e studime.”