Rumania po përkujton 25 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist, ndonëse shumë njerëz thonë se ndjejnë nostalgji për sigurinë relative të jetesës në ditët e atëhershme.
Më shumë se 40 për qind e rumunëve besojnë se jeta në Rumani është më e keqe tani sesa ishte përpara viteve 1989, kur regjimi i Nikolai Çausheskut u rrëzua nga një revoltë që u përhap në rrugë. Vetëm 33 për qind e atyre që u përgjigjën thanë se është më mirë sot, tregon një anketim i INSCOP.
Për të zhgënjyerit, standardi më i lartë i jetesës dhe siguria më e madhe në punë janë argumentet kryesore për ndjenjën e nostalgjisë për regjimin e vjetër komunist.
Rumunët janë më optimistë për të ardhmen e largët. Më shumë se gjysma e atyre që u anketuan thanë se jeta do të ishte më e mirë pas 25 vjetësh nga tani, ndërsa 12 për qind besojnë se do të jetë më e keqe.
Analistët thonë se njerëzit nuk janë në të vërtetë nostalgjik për regjimin komunist, por janë më tepër të zhgënjyer për situatën e tyre aktuale.
“Njerëzit nuk janë të lidhur me ideologjinë apo vlerat e komunizmit, por ata janë të zhgënjyer nga vështirësitë që përballojnë në jetën e përditshme dhe nga korrupsioni dhe nga lufta e brendshme politike. Atyre u mungon jeta e sigurt dhe e parashikueshme e paraviteve 1990,” vëzhgoi analisti politik Darie Crastea.
Revolucioni në 1989 filloi më 16 dhjetor në qytetin perëndimor të Timisoarës, ku një prift, Laszlo Tokes, do të zhvendosej në një famulli tjetër nga autoritetet.
Lëvizja shkaktoi kundërshtime nga anëtarët e famullisë së tij, të cilëve shpejt iu bashkuan qindra të tjerë dhe protesta u kthye në një demonstratë.
Çaushesku urdhëroi që demonstrata të shtypej me çdo kusht dhe ushtria hapi zjarr ndaj marshuesve.
Në ditët në vijim, protestat u përhapën edhe në qytete të tjera të Rumanisë. Duke parë atë që dukej qartë, Çaushesku dhe gruaja e tij Elena, u larguan nga Bukureshti me një helikopter më 22 dhjetor 1989, nën presionin e turmave të mëdha të demonstruesve të zemëruar. Tre ditë më vonë ata u ekzekutuan pas një gjyqi të shpejtë.
Që atëherë, përvjetori i rënies së tyre është përkujtuar nga ngjarje publike. Këtë vit, shërbimet e mëdha të përkujtimit do të mbahen në varrezat dhe zonat e lidhura me revolucionin në disa qytete, përfshirë Bukureshtin dhe Timisoarën.
Analistët thonë se indiferenca aktuale e ndjerë ndaj revolucionit rumun është pjesërisht e lidhur me faktin se nuk është ende e qartë se çfarë ka ndodhur prapa skenave.
Edhe sot e kësaj dite, askush nuk është sjellë përpara drejtësisë për vrasjen e më shumë se 1000 personave dhe plagosjen e 3400 të tjerëve në dhjetorin e 1989.