Ne si media në Shqipëri mund te jemi Charlie, por ka më shumë gjasa të jemi një nga karikaturat e saj, thotë Xhabyni….
Ngjarjet tragjike, në këtë vendin tonë periferik dh
e thuajse të papërfillshëm, sollën një valë të madhe të shumë stigmatizimeve, ndjeshmërive por edhe afrimeve me dhimbjen ndaj tragjedisë që terrori solli. Mediat tona ishin burim i të gjithë këtyre “ive” duke filluar nga stigmatizimi i një religjioni që s’duhet të ishte pjesë e Evropës (kjo për fajin e vet religjionit), pastaj duke vazhduar me shkrimet se ne duhet të ishim “Franca” e deri tek atashimi me dhimbjen për humbjen e njerëzve dhe në mbrojtje të lirisë së fjalës.
Kjo e fundit është edhe ajo pika e rëndesës së këtij shkrimi. Liria e fjalës, liria për të bërë karikaturë me këdo që ta ka ënda. Fundja a nuk luftoi Volteri me shokë për këtë liri?! Një liberal do t’i mëshonte shumë kësaj teze, do të na tregonte se esenca e njeriut është pikërisht tek liria. Gjithsesi, siç edhe Volter shprehet tek Kandidi, liria e fjalës ka një detyrim në vetvete “tejçimin e një të vërtete”. Mediat tona, janë kampione në lirinë e fjalës dhe natyrisht në atashimin e të vërtetës në këtë liri, apo jo?
Ndaj, shumica e gazetarëve dhe mediave në solidarizim të plotë me tragjedinë e karikaturistëve dhe në solidarizim të plotë me lirinë e fjalës shkruan në të gjitha muret e mundshme “Je suis Charlie”. Megjithëse, po ta shohim hollë këto media nuk para kanë shumë relata të mira me lirinë e fjalës dhe me respektimin e saj. Tani, më lejoni t’ju sjell ndërmend një ngjarje të ndodhur vitin e shkuar ku vdiq këngëtarja Vaçe Zela. Fatos Luboja, ishte një ndër të paktët analist i cili kritikoi mënyrën se si u përcoll Vaçja dhe tribunin që iu bë asaj. Nga hiçi, në skenë dolën sa e sa figura të këngës të cilët i kujtuan Lubonjës se “regjimi i asokohe kish bërë që e kish çuar në Spaç” dhe madje një këngëtare e famshme dhe e njohur për zërin potent e ftoi atë që “të varte veten me litar” sepse ajo do t’i këndonte një këngë vaji në varrim.
Të gjithë këto reagime, që në një botë perëndimore (andej nga vjen dhe Charlie Hebdo) do të ishin dënuar dhe nuk do të ishin botuar, u nxorën në treg dhe u shumëfishuan nëpër forume interneti. Kështu, Lubonja i cili fundja me argumentet e tij dhe në një mënyrë civile dhe aspak provokatore u përpoq të shpaloste një kritikë ndaj muzikës së rrëgjimit të kaluar (dhe jo personit të Vaçe Zelës) u atakua. E historia e këtyre atakimeve është shumë më e hershme se kjo që ju solla ndërmend. Mjafton të kujtoni Oliver Schmitt që vetëm për një libër historik që bëri për Skëndërbeun është kërcënuar shpesh madje dhe linçuar publikisht.
Linçim nga i cili nuk kanë shpëtuar edhe historianë apo antropologë të tjerë të cilët janë përpjekur të sjellin një qasje të ndryshme ndaj historisë së vendit tonë. Linçime që kanë ardhur si nga emra periferikë ashtu edhe nga emrat e statujave kulturore si ajo e Ismail Kadaresë, i cili nga poltrona e rehatshme e qytetit të Charlie Hebdo, nuk përton që vit për vit të linçojë ato persona që s’i përshtaten me variantin e tij mbi historinë e jo vetëm.
Të gjitha këto linçime edhe sulme, asnjë prej mediave tona që e duan lirinë e fjalës dhe përpiqen për të vërtetën nuk është se i ka marrë në konsideratë. Por, dikush mund të thotë që unë po e teproj. Fundja, media jonë nuk është aq e stërvitur dhe e mirë sa të kuptojë ndarjet e holla në diskutime kaq teknike. Epo mirë, të biem dakord me këtë lexues. Po si i bëhet hallit, kur këto media nuk kanë as guximin për të dalë në mbrojtje të fjalës së lirë?
Të vijmë tani tek ajo që Vehbiu e quajti “Karnavalet e Parisit”, tezë me të cilën unë puqem tërësisht. Ajo që dua t’i shtoj kësaj teze është kjo; ajo që ndodhi dje me ekstimin e mediave dhe shqiptarëve për atë duartrokitje ndaj tolerancës sonë (tezë të cilën unë nuk bie dakord edhe e kam trajtuar diku gjetkë) nuk qe vetëm se bojallisja e fundit e një karikature. E karikaturës sonë si shoqëri dhe veçanërisht e karikaturës së një media e cila jo vetëm që nuk ka lirinë e fjalës por që nuk ka as guximin të luftojë për atë liri. Ndaj jam dakord…Nous sommes Charlie, en fait, nous sommes sa caricature.