Shkaqet kryesore të radikalizmit islamik janë gjeopolitike dhe zgjidhja finale gjendet gjithashtu te gjeopolitika.
Kryeministri i Francës Manuel Valls po fliste në mënyrë metaforike kur ai tha se Franca është në luftë me Islamin Radikal. Por në të vërtetë ka një luftë të plotë që po zhvillohet dhe sulmet e neveritshme terroriste në Paris qenë pjesë e saj. Megjithatë, si shumica e luftërave, kjo e sotmja është për më shumë se sa thjeshtë religjionin, fanatizmin dhe ideologjinë. Ajo është gjithashtu për gjeopolitikë dhe zgjidhja finale gjendet gjithashtu te gjeopolitika.
Krime si ato të Parisit, Nju Jorkut, Londrës dhe Madritit – sulmet mbi kafetë, supermarketet, autobusët, trenat e klubet e natës – fyejnë vlerat tona më themelore njerëzore, për shkak se ato përfshijnë vrasjen e paramenduar të të pafajshmëve dhe kërkojnë të përhapin frikë nëpër shoqërinë tonë. Ne për shprehi i deklarojmë ato vepra të lunatikëve dhe sociopatëve dhe ne ndjehemi të neveritur edhe nga vetë ideja se ata mund të kenë një shpjegim përtej çmendurisë së kryesve të këtyre krimeve.
Megjithatë, në shumicën e rasteve, terrorizmi nuk i ka rrënjët te çmenduria. Më së shumti është një akt lufte, megjithëse një luftë nga i dobëti se sa nga shtetet e organizuara dhe ushtritë e tyre. Terrorizmi islamist është një reflektim, dhe për më tepër një zgjatim, i luftërave të sotme në Lindjen e Mesme. Dhe me përzierjen e fuqive të huaja, këto luftëra po bëhen një luftë e vetme rajonale – një që është duke transformuar, zgjeruar dhe duke u bërë gjithnjë e më e dhunshme.
Nga perspektiva xhihadiste – ajo që myslimanët amerikanë apo francezë, për shembull, mund ta mësojnë në kampet e stërvitjes së tyre në Afganistan, Siri dhe Jemen – jeta e përditshme është jashtëzakonisht e dhunshme. Vdekja është e gjithë përhapur dhe vjen po aq shpesh sa edhe jo nga bombat, dronët dhe trupat e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe fuqive të tjera Perëndimore. Dhe viktimat shpesh janë të pafajshëm “dëme anësore” të bombardimeve perëndimore që godasin shtëpi, dasma, funerale dhe takime banorësh.
Ne në Perëndim urrejmë të pranojmë – dhe shumica jonë refuzon të besojë – se udhëheqësit tanë kanë qenë duke shpërdoruar në mënyrë flagrante jetë myslimanësh tashmë që prej një shekulli, në luftëra të pafundme dhe përballe ushtarake të nxitura nga fuqitë Perëndimore mbisunduese. Cili është mesazhi për myslimanët nga pushtimi i Irakut i vitit 2003 i udhëhequr nga SHBA-të? Më shumë se 100 mijë civilë irakenë – një vlerësim shumë konservator – vdiqën në një luftë që bazohej në një pretendim thellësisht fals. Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar kurrë falje, madje as nuk e kanë njohur masakrimin e civilëve.
Ose mendoni për Sirinë, ku vlerësohet se 200 mijë sirianë kanë vdekur së fundmi, 3.7 milionë janë arratisur nga vendi dhe 7.6 milionë janë shpërngulur brenda vendit në një luftë civile që është ushqyer në një pjesë jo të vogël nga Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe fuqi të tjera aleate. Që nga viti 2011, CIA dhe aleatët e SHBA-ve kanë dërguar atje armë, financime dhe stërvitje në një përpjekje për të rrëzuar presidentin Bashar al-Assad. Për SHBA-të dhe aleatët e saj, lufta është pak më shumë se sa një betejë indirekte për të dobësuar padronët e Asadit, Iranin dhe Rusinë. Megjithatë civilët e Sirisë janë mishi për top.
Shumë kohë përpara se të kishte terrorizëm islamist në Perëndim, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe SHBA-të mbështeteshin te mashtrimet diplomatike dhe organizuan grushte shteti, luftëra e operacione të fshehta në Lindjen e Mesme për të vendosur dhe ruajtur kontrollin politik të Perëndimit mbi këtë rajon. Historianët e dinë këtë histori të ndyrë, por shumica e Perëndimorëve nuk e dinë (në një pjesë jo të vogël për shkak se shumë nga ndërhyrjet kanë qenë të fshehta). Që nga rënia e Perandorisë Osmane një shekull më parë, fuqitë Perëndimore kanë kanë kërkuar të kontrollojnë Lindjen e Mesme për një gamë të gjerë arsyesh, përfshirë pretendimet për naftë, akses në linjat ndërkombëtare detare, siguria e Izraelit dhe konkurrenca gjeopolitike me Rusinë në Egjipt, Siri, Irak dhe Iran.
SHBA-të kanë tashmë më shumë se 20 baza ushtarake në gjashtë vende në rajon (Afganistan, Bahrein, Xhibuti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Oman dhe Turqi) dhe prani ushtarake në shkallë të gjerë në shumë vende të tjera, përfshirë Egjiptin, Kuvajtin, Katarin dhe Arabinë Saudite. Ajo ka financuar dhunën për dekada, duke armatosur dhe stërvitur muhaxhidinët (në praktikë duke ndërtuar paraardhësin e Al Kaedës) në Afganistan për të luftuar Sovjetikët; duke ushqyer luftën Irak – Iran në vitet 1980; duke pushtuar Irakun në vitin 2003; duke u përpjekur për të rrëzuar Asadin që nga viti 2011; dhe duke kryer sulme të pandërprera me dronë gjatë viteve të fundit.
Fakti që sulmet terroriste xhihadiste në Perëndim janë relativisht të reja, kanë ndodhur vetëm përgjatë gjeneratës së fundit pak a shumë, sugjeron se ato janë goditje pas – ose së paku një zgjatim – i luftërave të Lindjes së Mesme. Me shumë pak përjashtime, vendet që kanë qenë sulmuar janë ato që qenë angazhuar në operacionet ushtarake të udhëhequra nga Perëndimi pas viteve 1990, Afganistani, Iraku, Libia dhe Siria. Vetë terroristët i kryejnë veprimet e tyre në terma politikë, edhe pse ne rrallë dëgjojmë; në të vërtetë, fjalët e terroristëve në mënyrë tipike raportohen vetëm shkurtimisht ose fare. Por fakti është që pothuajse çdo sulm terrorist në Perëndim ose kundër ambasadave të Perëndimit dhe personelit të tyre është shoqëruar nga mesazhi se kjo është në hakmarrje për përzierjen e Perëndimit në Lindjen e Mesme. Terroristët e Parisit vunë në dukje operacionet e Francës në Siri.
Që të jem i qartë, veprimet e Perëndimit nuk i japin terrorizmit islamist as një fije justifikim. Arsyeja për të vënë në dukje këto aksione është që të jemi të qartë se çfarë përfaqëson terrorizmi Islamist në perëndim për vetë terroristët: ajo është Dhuna në Lindjen e Mesme në një front më të gjerë. Perëndimi ka bërë shumë për ta krijuar atë front, duke armatosur aktorë të parapëlqyer, duke nisur luftëra indirekte dhe duke marrë jetët e civilëve në numra të paarsyeshëm.
Që t’i japësh fund terrorit të Islamit radikal do të kërkojë që t’i japësh fund luftërave të Perëndimit për kontrollin e Lindjes së Mesme. Për fat të mirë, Epoka e Naftës po vjen gradualisht drejt fundit. Ne duhet ta bëjmë këtë fund të vijë më shpejt; siguria klimatike do të kërkojë që ne të lëmë shumicën e burimeve energjetike fosile nën tokë. As motive të tjera antike të ndërhyrjes Perëndimore nuk kanë më rol. Britania e Madhe nuk ka më nevojë të mbrojë rrugët e veta të tregtisë me Indinë koloniale, SHBA-të nuk kanë më nevojë për një unazë bazash ushtarake për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik.
Është koha që Perëndimi të lejojë botën arabe të qeverisë veten dhe të zgjedhë rrugën e vet pa ndërhyrjet ushtarake Perëndimore. Dhe ka arsye inkurajuese për të besuar se Lindja e Mesme Arabe e vetëqeverisur mund të zgjedhë me mençuri të bëhet një kryqëzim global rrugësh paqësore dhe një partner në shkencë, kulturë dhe zhvillim.
Bota arabe e ka luajtur këtë rol pozitiv në të shkuarën dhe mund ta bëjë sërish. Rajoni është i mbushur me njerëz të talentuar dhe shumica dërrmuese e rajonit dëshiron të çojë jetët e veta në paqe, të arsimojë dhe rrisë fëmijët e vet me shëndet dhe siguri si dhe të marrë pjesë në shoqërinë globale. Objektivat e tyre – mirëqenia dhe siguria njerëzore – janë edhe tonat.