Pirateria mund të imagjinohet si një gjë e keqe, por në shumë raste deri tani, ka rezultuar një fenomen pozitiv.
“Jeta,” tha Oscar Wilde, “imiton artin më shumë sesa arti imiton jetën”. Në rastin e filmit “Intervista” të Sony Pictures, bota e gjeti veten përballë një përsëritje të mëtejshme: jeta që imiton artin që imiton jetën. Publikimi i filmit nxiti intrigë ndërkombëtare, dramë dhe luftë të errët për pushtet gjeopolitik. Madje shkaktoi një përgjigje të ashpër presidenciale të SHBA-së, e gjitha kjo për një rast të thjeshtë piratimi.
Piratimi i sistemeve të informacionit nuk është diçka e re; shkon dorë për dore me emergjencën e telekomunikimit. Një prej sulmeve të para goditi demonstrimin e radiotransmetimit të Guglielmo Marconi në vitin 1903, kur ai komunikoi nga Cornwall me Londrën, 300 milje larg. Nevil Maskelyne, një magjistar i sallave të koncerteve dhe manjat i ardhshëm i Wi-Fi, që ishte irrituar nga patentat e shpikësit italian, ia doli të marrë kontrollin e sistemit dhe transmetoi mesazhe të turpshme te audienca e skandalizuar e Institutit Mbretëror.
Ndonëse piratimi është po aq i vjetër sa vetë valët, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga koha e Marconit. Rrjetet e informacionit tani mbulojnë planetin tonë, duke mbledhur dhe transferuar sasi të mëdha të të dhënave në kohë reale. Ato përfshijnë shumë aktivitete të njohura: komunikimet e çastit, median sociale, transaksionet financiare dhe menaxhimin e logjistikës. Më e rëndësishmja, informacioni nuk është më i izoluar në një fushë virtuale, por përshkon mjedisin në të cilin jetojmë. Fjalët fizike, biologjike dhe dixhitale kanë filluar të përputhen, duke i dhënë jetë atyre që shkencëtarët i referohen si “sistemet kiber-fizike”.
Automobilat, për shembull, kanë evoluar nga sisteme të pastra mekanike në kompjuter të vërtetë me rrota. E njëjta gjë po ndodh me të mirat e konsumit: ne tashmë kemi makina larëse të lidhura dhe termostate që mësojnë, për të mos përmendur furçat e dhëmbëve me Bluetooth dhe peshoret e kompjuterizuara të bebeve.
Në fakt, sistemet kiber-fizike variojnë nga niveli makro (mendo transportin urban si Uber) në mikro (të themi, rrahjet e zemrës së një njeriu). Vetë trupat, të pajisur me mjete që mund të mbahen me vete, janë sot të mbushur me më shumë pushtet informatik sesa NASA në kohën e misioneve Apollo.
Të gjithë këto premtime për të revolucionarizuar shumë aspekte të jetës njerëzore – mobilët, menaxhimi i energjisë, kujdesi shëndetësor dhe shumë më tepër – mund të çojnë në një të ardhme më të gjelbër dhe më eficente. Por sistemet kiber-fizike rritën cenueshmërinë tonë ndaj piraterisë keqdashëse, një çështje që po diskutohet në Forumin Botëror Ekonomik në Davos. Larg nga të qenët të izoluar në hapësirën kibernetike, sulmet tani kanë pasoja shkatërrimtare në botën fizike. Është një bezdi kur një virus softueri bllokon kompjuterët tanë; por çfarë ndodh nëse virusi bllokon makinat tona?
Hakerët keqdashës janë të vështirë për t’u luftuar me qeveri dhe mjete industriale tradicionale – rasti i Sony Pictures është një shembull i dukshëm. Piratimi mund të bëhet kudo, mundësisht duke përfshirë rrjete të shumëfishta në vende të errëta. Ai sfidon shpagimin konvencional dhe strategjitë e mbrojtjes. Siç paralajmëroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në vitin 2012, duke marrë parasysh sistemet aktuale, Shtetet e Bashkuara janë të cenueshme ndaj një ‘Pearl Harbor kibernetik’ që mund të nxjerrë trenat nga binarët, të helmojë furnizimin me ujë dhe të dëmtojë rrjetet elektrike.
Pra, si mund të parandalohet një skenar i tillë?
Një mundësi, çuditërisht, mund të jetë promovimi i miratimit të gjerë të piraterisë. Familjarizimi me mjetet dhe metodat e hakerëve ofron një avantazh të madh në diagnostikimin e fuqisë së sistemeve ekzistuese dhe madje në projektimin e sigurisë strikte nga fillimi – një praktikë e njohur si piratimi ‘i kapelës së bardhë’. Infiltrimi etik mundëson që një skuadër sigurie t’i bëjë rrjetet dixhitale më rezistente ndaj sulmeve duke identifikuar të metat. Kjo mund të bëhet praktikë rutinë – një lloj stërvitje kibernetike ndaj zjarrit – për qeveritë dhe bizneset, edhe si fokus i kërkimeve akademike dhe industriale në vitet e ardhshme për zhvillimin e masave të mëtejshme teknike të mbrojtjes.
Në përgjithësi, mbrojtjet e sotme kanë formën e ‘supervizorëve’ dixhitalë, autonomë dhe vazhdimisht vigjilent – kompjuterë dhe kode që kontrollojnë kompjuterë dhe kode të tjerë. Të ngjashme me protokollet tradicionale ushtarake komandë-dhe-kontroll, ato fitojnë pushtet në numra dhe mund të reagojnë shpejt ndaj një rrjeti të gjerë sulmesh. Një ekosistem i tillë dixhital forcon kontrollet dhe balancat, duke pakësuar mundësinë e dështimit dhe lehtëson pasojat e një sulmi të papritur.
Në një skenar të tillë të së ardhmes, një film Hollivudian mund të jetë rreth rrjeteve të kompjuterëve që luftojnë me njëri-tjetrin, ndërsa njerëzit bëjnë sehir. Ai do të paraqiste idenë e gjerë të ‘singularitetit’, një pikë kthese hipotetike kur artificialja tejkalonte njerëzoren. Për fat të mirë, në këtë rast, jeta është ende larg nga imitimi i artit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Hacking for Humanity