Kryeministri kroat ka paralajmëruar se Zagrebi mund të bllokojë negociatat e hyrjes së Serbisë në BE nëse ligji serb për krimet e luftës nuk tërhiqet.
Një ligj serb për krimet e luftës, që pretendon juridiksion universal për ndjekje penale të krimeve të luftës të kryera në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, ka tërhequr kritika dhe paralajmërime të ashpra nga Kroacia.
Kryeministri kroat, Zoran Milanovic, të enjten tha se Serbia duhet ta tërheqë ligjin, pasi BE-ja funksionon në parimin e bashkëpunimit juridik dhe mandatarresteve të përbashkëta.
“Është i papranueshëm për ne, ashtu siç do të ishte i papranueshëm për çdo vend tjetër, nëse ne bënim një ligj të tillë,” thotë Milanovic.
Ai tha gjithashtu se “kishte kuptim ta shprehje këtë menjëherë dhe të dërgoje mesazhin se me një ligj të tillë, Serbia nuk mund të hyjë në BE, sepse Kroacia nuk do ta lejojë”.
“Ne nuk po ia bëjmë këtë të tjerëve [të përpiqemi të hetojmë universalisht] dhe nuk do ta lejojmë që të tjerët të na e bëjnë neve,” shtoi ai.
“Ne po i kërkojmë vendit fqinj që të jetë në nivel me këdo tjetër; as më shumë, as më pak. Nëse nuk është e drejtë, pres argumente kundër,” tha Milanovic.
Ministri kroat i Drejtësisë, Orsat Mljenic tha se ishte e qartë se Serbia donte të ngrinte “mini gjykatën e vet të Hagës, me Beogradin që bëhej qendra e ndjekjes penale të gjithçkaje që ndodhi në territorin e ish-Jugosllavisë”.
Mljenic solli në vëmendje çështjen e Veljko Maric, një veteran i luftës kroate që u dënua me 12 vjet burg nga një gjykatë e Beogradit në 2012.
Maric u shpall fajtor për krimin e luftës së vrasjes së një civili serb në fshatin kroat të Rastovac në tetor 1991.
Nën një mandatarresti ndërkombëtar, ai u arrestua në 2010 pasi kaloi kufirin Serbi-Bullgari.
“Dërgova një kërkesë zyrtare për ta kthyer atë në 2012, por kërkesa u refuzua, ndërsa kërkesa e fundit në dhjetor të vitit të shkuar nuk mori përgjigje,” tha Miljevic.
Milanovic tha se nëse Kroacia “ka mungesa në juridiksion në këtë aspekt, unë dua ta di me saktësi. Çdokush duhet të hetojë kriminelët e vet,” përfundoi ai.
Ligji serb mbi organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve shtetërore në hetimin e krimeve të luftës u kalua në 2003.
Sipas këtij ligji, Serbia pretendon juridiksion për hetim të të gjitha krimeve të kryera në konfliktet e viteve 1990 në territorin e ish-Jugosllavisë socialiste, pavarësisht shtetësisë së çdo të akuzuari apo viktime dhe pavarësisht vendit ku është kryer krimi.