Në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga nënkryetarja Elisabeta Gjoni, Këshilli i dha fund pasigurive juridike duke hapur rrugën për një guvernator të ri.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të shkarkojë guvernatorin Ardian Fullani pas arrestimit të këtij të fundit mbrëmjen e së premtes. Këshilli pati mbështetur Fullanin tri javë më parë në dy raste kur anëtarja Ermelinda Meksi pati propozuar shkarkimin e tij, por pas arrestimit të kryer nga policia e Tiranës me vendim gjykate duket se ndryshoi mendim.
“[Këshilli] vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë””, thuhet në një njoftim për shtyp të Bankës së Shqipërisë.
Vendimi i Këshillit hap kështu rrugën për të filluar procedurën për propozimin dhe zgjedhjen e një guvernatori të ri.
Sipas ligjit Për Bankën e Shqipërisë, “Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave”.
Guvernatori i ri do të duhet të zgjedhë edhe një zëvendësguvernator, i cili do të duhet të miratohet nga Këshilli.
Këshilli Mbikëqyrës është i vetmi institucion që ka të drejtë të shkarkojë guvernatorin për një gamë të gjerë arsyesh, përfshirë edhe rastin kur gjykon se prania e dikujt si guvernator dëmton interesat e bankës. Gjithsesi, shkarkimi do të duhet të miratohet edhe nga parlamenti, para se kryeministri Edi Rama të ketë të drejtë t’i propozojë Presidentit Bujar Nishani kandidimin e një guvernatori të ri.