Gjykata administrative e Tiranës ka pranuar padinë e parë civile të familjarëve të viktimave të Gërdecit duke gjetur fajtore ministrinë e mbrojtjes për shpërthimin që mori jetën e 26 njerëzve.
“Vendimi gjyqësor që pranon padinë e Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj është tregues se ata kanë të drejtë, megjithë faktin që Ministria e Mbrojtjes pretendoi se nuk mbante asnjë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar, duke dhënë mesazhin se ish Ministri i Mbrojtjes nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se ka vepruar në mënyrë korrekte,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp qendra ligjore Res Publica dhe shoqata e familjarëve të Gërdecit.
Shpërthimi i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 të vrarë, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre.
Procesi penal ndaj 28 të pandehurve, drejtues të kompanisë Albademil dhe ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes u mbyll me dënime minimale. Gjashtë vjet më pas, vetëm dy prej tyre ndodhen ende në qeli.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i shpëtoi procesit falë imunitetit si deputet. E kur parlamenti vendosi heqjen e imunitetit për të zgjedhurit e tij, Prokuroria nuk e rihapi më çështjen.
Paralel më çështjen penale, familjarët viktimave prej vitesh kanë hapur çështje civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ndërmarrjes së Import-Eksportit të Armëve, MEICO, e cila po ndjek të njëjtën rrugë plot pengesa si çështja penale.
Sipas qendrës Res Publica, e cila përfaqson në gjyq familjarët e viktimave, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, megjithë përpjekjet e Ministrisë së Mbrojtjes për t’u shmangur nga kjo përgjegjësi, kanë arritur të marrin një vendim nga gjykata duke u futur në borxh për të përballuar koston e lartë e sigurimit të padisë.
Avokatët shprehin shqetësimin se 17 familjet e tjera të familjarëve të Gërdecit janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, dhe e kanë plotësisht në pamundësi për ta bërë një gjë të tillë.
“Ngritja zyrtarisht e një grupi pune nga ana e Kryeministrit, si në rastin e kërkesës së familjarëve të 21 janarit, nuk u praktikua edhe në rastin e kërkesës së familjarëve të viktimave të Gërdecit,” shprehen ato.
“Qeveria në rastin konkret preferoi që të dëgjojë Gjykatën. Tashmë kur Gjykata nisi të flasë, është e rëndësishme që të mos pengohet fjala e saj për shkak të tarifave të larta e të papërballueshme nga këto familje që çdo ditë luftojnë për mbijetesë,” avokatët shtuan.