Pak orë pas arrestimit të shefit të Interpolit për fshehjen 2 mujore të urdhërarrestit për deputetin Mark Frroku, Artan Didi jep dorëheqjen me argumentin se kjo ngjarje ka cenuar integritetin e Policisë së Shtetit.
Shefi i policisë shqiptare, Artan Didi dha dorëheqjen nga posti vetëm pak orë pas arrestimit të dy zyrtarëve të Interpol Tiranës, të cilët dyshohet se kanë fshehur për 2 muaj urdhër-arrestin ndërkombëtar kundër deputetit Mark Frroku.
Në letrën e tij të dorëheqjes, që ia dorëzoi kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë argumenton se shkeljet e zbuluara në Interpol cenojnë imazhin e Policisë së Shtetit.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi të hënën drejtorin e Interpol Tiranës, Artan Bajraktari dhe specialisten e këtij sektori, Laureta Alla. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë njoftuar në kohë institucionet për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frroku.
Deputeti Frroku ishte shpallur në kërkim me kartelë të kuqe të Interpolit më 8 janar 2015, pasi akuzohet nga Prokuroria belge për një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Bruksel. Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme u njoftua për këtë akuzë më 27 mars, kur kishin kaluar më shumë se dy muaj nga shpallja në kërkim ndërkombëtar.
“Duke e vlerësuar këtë si ngjarje të papranueshme për prestigjin e Policisë së Shtetit, vendosa të jap dorëheqjen,” shkruan Didi në letrën e tij të dorëheqjes.
“Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë veprim,” shtoi ai.
Artan Didi e drejtoi Policinë e Shtetit që prej tetorit 2013, kohë kur mazhoranca e majtë u ngjit në pushtet me premtimin se do të rikthente sundimin e ligjit në vend. Suksesi i tij në këtë drejtim është operacioni i policisë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, ku u shkatërruan plantacionet e hashashit.
Por Artan Didi u kthye gjithashtu në një shenjestër akuzash nga Partia Demokratike në opozitë, për shkak të disa operacioneve të diskutueshme apo krimeve të rënda që ndodhën në vend, gjatë periudhës që ai drejtoi policinë.
Megjithatë, fshehja e urdhër-arrestit ndërkombëtar për një deputet të mazhorancës, të akuzuar për vrasje në Belgjikë pritet të jetë një ngjarje që do të komentohet gjatë në skenën politike shqiptare.
Pas dorëheqjes së Artan Didit, Partia Demokratike akuzoi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kryeministrin Edi Rama se ishin në dijeni të urdhër-arrestit për Mark Frrokun.
“Pas këtij skandali, i pari që duhej të jepte dorëheqjen është ministri i Brendshëm,” tha PD.