Përfaqësuesi i Parlamentit Europian i cilëson zgjedhjet e së dielës një test për demokracinë në Shqipëri dhe rikthen në vëmendje marrëveshjen për dekriminalizimin e politikës.
Përfaqësuesi i delegacionit parlamentar BE-Shqipëri, Eduard Kukan i cilëson zgjedhjet e 21 qershorit si një test për demokracinë shqiptare dhe për avancimin e vendit në rrugën e integrimit europian.
Përmes një deklarate për mediat në prag të zgjedhjeve, Kukan u ka bërë gjithashtu thirrje partive politike shqiptare që të respektojnë marrëveshjen e Dhjetorit 2014, duke penguar personat me të shkuar kriminale që të ngjiten në poste publike.
“Shpresoj që Shqipëria t’ia dalë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet demokratike. Vetëm zgjedhje të tilla mund të të kontribuojnë në forcimin e demokracisë lokale dhe besimin e votuesve tek përfaqësuesit e tyre,” tha Kukan.
Në prag të zgjedhjeve lokale, përfaqësuesi i Parlamentit Europian u ka bërë thirrje të gjithë politikanëve që të respektojnë ligjin dhe procesin elektoral si dhe të kontribuojnë në përmirësimin e kulturës demokratike në vend.
Përfshirja në garë e kandidatëve me rekorde kriminale në të shkuarën ka marrë gjithashtu vëmendjen e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, Kukan u ka bërë thirrje partive shqiptare që të respektojnë marrëveshjen e dhjetorit 2014.
“Në këtë drejtim, unë risjell marrëveshjen ndërpartiake të dhjetorit, ku bëhet thirrje për pengimin e personave me të shkuar kriminale që të marrin poste publike,” tha Kukan.
Në deklaratën e tij, Kukan thekson se Parlamenti Europian po e vëzhgon nga afër procesin elektoral dhe se shpreson që politikanët shqiptarë dhe votuesit të konfirmojnë angazhimin për vlerat dhe standardet demokratike.
Të dielën, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryebashkiakët e rinj dhe mbi 1 mijë këshilltarë lokalë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 274 vëzhgues të misionit të ODHIR-it, ndërsa standardi i tyre konsiderohet sfidë për politikanët shqiptarë.