Papa Françesk ka mbajtur një qëndrim më të butë ndaj njerëzve me orientime seksuale të ndryshme dhe ka sugjeruar se Vatikani mund të tolerojë rregullimin ligjor të bashkëjesesës në çiftet e të njëjtit seks.
Dy organizata aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri i dërguan një letër të hapur Papës Françesk duke i uruar mirëseardhjen dhe duke lavdëruar për qëndrimin e tij më pozitiv sa i përket këtij komuniteti.
“Në emër të komunitetit LGBT në Shqipëri ju urojmë mirëseardhjen në Shqipëri”, shkruhet në letrën e firmosur nga Aleanca LGBT dhe ProLGBT.
“Nuk do të përfytyronim asnjëherë që të shkruanim një deklaratë të tillë nëse gjatë punës suaj nuk do të kishim vërejtur dashuri dhe tolerancë për familjet që ne si qënie njerëzore zgjedhim të ndërtojmë,” shkruhet në letër.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se dy burra me njëri tjetrin, apo dy gra me njëra tjetrën, ndoshta nuk janë imazhi historik që Kisha që ju përfaqësoni ka për familjen. Por kjo nuk na ndalon të besojmë te forca e dashurisë.
Urojmë, Shenjtëri, që gjatë vizitës tuaj në Shqipëri ju ta keni parasysh se ne, komuniteti LGBTI ju mirëpresim por edhe kërkojmë nga ju që t’u kujtoni besimtarëve dhe drejtuesve të Kishës në vend, që në shtëpinë e zotit ka vend për të gjithë” thotë letra e dy organizatave.
Papa Françesk vuri në lëvizje një ndryshim të madh në qëndrimin e Kishës Katolike ndaj komunitetit LGBT kur deklaroi i pyetur mbi këtë temë: “Nëse një homoseksual kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë që ta gjykoj?”
Papa Françesk në maj të këtij viti hodhi një hap tjetër në një intervistë për gazetën Corriere Della Sera kur foli për prakticitetin e njohjes ligjore të bashkëjetesës së çifteve gej apo lesbike, një qëndrim më pozitiv ndaj komunitetit LGBT se sa ai i papës paraardhës.
“Martesa është mes një burri dhe një gruaje”, tha papa, por lëvizjet “për të rregulluar situatat e ndryshme të bashkëjetësës udhëhiqen nga nevoja për të rregulluar aspektet ekonomike mes personave, si për shembull, për kujdes shëndetësor”.