Politikanë nga grupe të ndryshme etnike ose festuan fitoren e Kroacisë gjatë Operacionit “Stuhia” ose mbajtën zi për viktimat serbe, duke theksuar ndarjet që ende paralizojë vendin 20 vjet më vonë.
Presidenti i entitetit serb në Bosnjës, Republikës Rspska, Milorad Dodik, qëndroi solemnisht pranë kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në një urë mbi lumin Sava pranë Sremska Racas të martën në mbrëmje ndërsa dy zyrtarët serbë në mënyrë simbolike hodhën kurora me lule në lumin Sava për të vajtuar viktimat e 20 vjetorit të Operacionit “Stuhia” të ushtrisë kroate.
“Kjo urë përfaqësonte gjithçka në ato ditë: lirinë, të vërtetën, paqen dhe një arrati nga vdekja e sigurt,” tha Dodik gjatë ceremonisë ku u përkujtuan më shumë se 200,000 serbë që u larguan nga Kroacia për shkak të operacionit ushtarak në gusht 1995 dhe më shumë se 600 vetë, kryesisht të moshuar, që ndenjën pas u vranë.
Po atë mbrëmje, rreth 320 kilometra në perëndim, ministrja e mbrojtjes së Bosnjës Marina Pendes dhe shefi i shtabit të Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës, gjenerali Ante Jelec, iu bashkua personaliteteve kroate në një paradë ushtarake në Zagreb për të festuar fitoren e Operacionit “Stuhia”.
Ndërsa foli për median vendase para se të shkonte në Zagreb, Pendes tha se “Stuhia” ishte një operacion i ligjshëm ushtarak: “Territori kroat kishte nevojë të çlirohej në mënyrë që refugjatët kroatë rtë mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe shteti kroat të merrte mbrapsht nën sovranitetin e tij çdo metër të territorit të tij,” tha ajo.
Por zëvendësi i saj, një serb i quajtur Boris Jerinic, tha për mediat se pjesëmarrja e zyrtarëve boshnjakë në paradën ushtarake në Zagreb, pa miratimin zyrtar nga presidenca apo qeveria e Bosnjës, ishte një precedent shqetësues.
Jerinic tha se përvjetori nuk ishte një arsye për të festuar, por “një ditë zie për shkak të eksodit më të madh të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Këto opinione kontradiktore, të ngjashme me tensionet etnike dhe politike që kanë rrethuar 20 vjetorin e fundit të gjenocidit në Srebrenicë, pasqyrojnë ndarjet e vazhdueshme midis boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve në Bosnje dhe Herzegovinë, të cilat janë përkeqësuar nga pikëpamjet rivale të ngjarjeve të kohës së luftës.
“Ky është realiteti i rajonit tonë. Kemi të paktën tre pikëpamje të ndryshme për ngjarje të tilla dhe dikush që është një kriminel për dikë, për dikë tjetër është gjithmonë një hero,” tha kryetari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Dragan Çoviç, për mediat lokale . Ai shtoi se ai nuk mori pjesë në paradën në Zagreb për shkak se nuk ishte i ftuar.
Shumë serbë që u larguan nga Kroacia gjatë luftës, në fund gjetën strehim në Republikën Srpska. Vetëm në zonën veriperëndimore të Prijedorit ka 700 familje serbe nga Kroacia.
Disa komuna të Republikës Srpska madje organizuan transportin falas për ata që dëshironin të merrnin pjesë në përkujtimoren mbi lumin Sava në Sremska Raca. Një autobus priste në stacionin e autobusëve në Prijedor në mesditë e të martës, por u anulua përfundimisht për shkak se vetëm tetë njerëz u shfaqën, duke përfshirë vetëm një serb nga Kroacia.
Biljana Lukic, një serbe nga qyteti kroat portual i Sibenikut që tani jeton në Prijedor, tha se ajo as që e mendoi të merrte pjesë në ceremoninë në Sremska Raca, edhe pse gjatë luftës shumë nga anëtarët e familjes së saj u larguan nga Kroacia drejt Republikës Srpska dhe Serbisë, ku ata jetojnë ende sot.
Lukic, si shumë të tjerë, beson se në të gjithë rajonin politikanët organizojnë parada dhe përkujtimore për të përkujtuar ngjarjet kryesore historike për arsye populiste, por praktikisht i kanë braktisur ose harruar njerëzit e zakonshëm dhe nevojat e tyre të përditshme.
“Njerëzit kanë hequr dorë nga politikanët. Njerëzit e kanë humbur besimin e tyre te politikanët. Njerëzit janë krejtësisht të zhgënjyer dhe nuk u intereson më asgjë,” tha Lukic për BIRN.
“Është mirë të mos harrohet, por tani është tepër vonë. Duhet ta ptanoj se ceremonia në Sremska Raca është pak idiotësi dhe qesharake – një tragjikomedi,” tha ajo.