Grupimi Human Rights Watch thotë në një raport se policia dhunoi fizikisht refugjatët që kaluan tranzit në territorin e Maqedonisë në rrugëtimin e tyre drejt Europës perëndimore.
Në raportin e publikuar të hënën, Human Rights Watch akuzoi policinë maqedonase se ka rrahur dhe fyer refugjatët dhe emigrantët nga vende të tilla si Siria, Afganistani dhe Somalia.
“Është e qartë se Maqedonia ka një problem me dhunën policore kundër azilkërkuesve dhe emigrantëve,” tha Emina Cerimovic nga Human Rights Watch.
Grupimi aktivist në raportin me 59 faqe të titulluar “A thua se ne nuk jemi qenie njerëzore: Brutaliteti policor kundër migrantëve dhe azilkërkuesve në Maqedoni,” dokumenton rastet e dhunës fizike dhe verbale të policëve maqedonas në kufirin jugor të vendit me Greqinë, pika kryesore hyrëse për refugjatët në udhëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore.
Organizata ka dokumentuar gjithashtu rastet e keqtrajtimit në qendrën e ndalimit Gazi Baba për refugjatë në Shkup mes qershorit 2014 dhe korrikut 2015 dhe dështimit të autoriteteve në hetimin e këtyre rasteve. Raporti thotë se refugjatët janë mbajtur në “kushte çnjerëzore dhe degraduese në Gazi Baba”.
Njerëzit që u intervistuan nga organizata përshkruajnë rrahje nga oficerët e policisë me shkopa gome si dhe grushte, shkelma dhe fyerje.
“Në disa raste, azilkërkuesit u detyruan të kalojnë përmes dy radhëve me policë, të cilët i godisnin me shkopa gome në kurriz dhe në kokë,” thotë raporti.
Ayesha, një vajzë 16 vjeçare nga Afganistani, i tha Human Rights Watch se policia maqedonase e pati goditur atë dy herë ndërsa ajo pa se si policia rrahu babain e saj dhe vëllain 17 vjeçar.
Pasi protestoi në fillim të janarit për shkak se qe kthyer mbrapsht në kufirin nga kishte ardhur, “një oficer policie iu afrua babait tim dhe e goditi atë me shkop gome në kurriz dhe në krah. Një tjetër polic goditi vëllain tim me shkop gome në shpatulla dhe një polic i tretë më goditi me shkop gome mua në krahë,” tha Ayesha për raportuesit.
Cerimovic tha se megjithëse Maqedonia nuk i ndalon më emigrantët dhe azilkërkuesit në kushte degraduese, “praktikat e vendit për azilin dhe migrimin sërish nuk i plotësojnë detyrimet e vendit sipas ligjeve kombëtare, standardeve të Bashkimit Europian dhe ligjit ndërkombëtar.”
“Bashkimi Europian duhet të detyrojë Shkupin të zgjidhë problemin e abuzimeve policore kundër migrantëve dhe azilkërkuesve përmes trajnimeve dhe llogarikërkimit,” tha ajo.
Greqia, Maqedonia dhe Serbia janë vende kyçe tranziti përgjatë rrugës së migrimit në Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Europian. Që nga gushti, mijëra refugjatë dhe migrantë kanë kaluar përmes këtyre vendeve.
Maqedonia deklaroi javën e kaluar se ka pasur ditë kur deri në 11 mijë migrantë hynë në vend përmes kufirit të saj jugor me Greqinë.