Prishtina planifikon të mbajë një tryezë bisedimesh për kufirin Serbi-Kosovë në raundin e ardhshëm të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, ndërsa në vend kanë shpërthyer protesta për marrëveshjet ekzistuese me Beogradin dhe Podgoricën.
Ministrja e Kosovës për Dialogun, Edita Tahiri i tha BIRN se Prishtina planifikon të diskutojë caktimin e kufirit mes dy shteteve Kosovë dhe Serbi në vitin 2016.
Raundi i ardhshëm i bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës do të fillojë në Bruksel më 27 janar.
Sipas Tahirit, zhbërja e të gjitha strukturave paralele dhe krijimi i Lidhjes së Komunave me Shumicë Serbe pritet gjithashtu të diskutohen në bisedime.
Autoritetet serbe i janë referuar gjithnjë kufirit me Kosovën si një linjë kufitare administrative, por profesori i shkencave politike dhe analisti kosovar Nexhmedin Spahiu thotë se Serbia do të pranoi kufijtë e Kosovës në çastin që pranon diskutimin mbi caktimin e kufirit.
Propozimi vjen në një kohë kur një tjetër proces caktimi kufijsh me Malin e Zi është në pritje për shkak të polemikave të ngjallura brenda Kosovës.
“Kufiri me Malin e Zi pritej të caktohej pa trazira, por në fakt shkaktoi shumë telashe. Kufiri me Serbinë do të jetë edhe më i vështirë dhe kërkon më shumë përgjegjësi,” tha Spahiu.
Nga ana tjetër, Belul Beqaj, një analist nga Prishtina dhe kryetar i Lëvizjes Europiane në Kosovë, beson se delegacioni i Kosovës po përpiqet të hapë një çështje të re në një përpjekje për të harruar të vjetrat.
“Ata po përpiqen të hapin caktimin e kufijve me Serbinë pa mbaruar të njëjtin proces me Malin e Zi, po përpiqen të marxhinalizojnë diçka që ka interes të madh publik,” tha Beqaj.
Caktimi i kufirit me Malin e Zi dhe marrëveshja e Kosovës me Serbinë që lejon krijimin e Lidhjes së Komunave me Shumicë Serbe kanë nxitur një seri protestash të dhunshme në Kosovë, që partitë opozitare i kundërshtojnë me forcë të dyja marrëveshjet.
Parlamenti i Kosovës nuk ia doli të mbajë një debat të vetëm normal rreth të gjithë seancave të vjeshtës pasi deputetët e ndërprisnin seancën me gaz lotsjellës ose me taktika të tjera të dhunshme gjatë debateve.
Përveç parlamentit, deputetët e opozitës kanë dalë gjithashtu në rrugë për të protestuar kundër marrëveshjeve të Serbisë dhe Malit të Zi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, drejtuar nga ish-komandanti i UÇK, Ramush Haradinaj, është kundër planit të qeverisë së Kosovës për të hapur një temë të re të dialogut me Serbinë.
AAK tradicionalisht ka një mbështetje të fortë në rajonin perëndimor të Kosovës, Pejë, që gjendet në kufi me Malin e Zi.
“Qeveria aktuale ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin për të hapur çështje të reja në dialog me Serbinë. Koha po i mbaron kësaj qeverie,” tha për BIRN Ardian Gjini, zv.kryetar i AAK.
Ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është një nga tetë kushtet që Komisioni Europian i ka vënë Kosovës për të marrë mbështetjen e liberalizimit të vizave në BE.
Muajin e shkuar, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kërcënoi me bojkot të raundit të ardhshëm të bisedimeve të drejtuara nga BE me homologun e tij Vuçiç, nëse Brukseli nuk jep një rekomandim pozitiv mbi liberalizimin e vizave.