Mes tensioneve ruso-turke, një krize refugjatësh që kërcënon unitetin e Europës dhe një serie skandalesh vendëse, Bullgaria përballet me një vit provë më 2016.
Bullgaria ka vuajtur nga luhatshmëria politike dhe protestat që nga fillimi i vitit 2013 kur qeveria e mëparshme e qendrës së djathtë e kryeministrit Boiko Borisov u detyrua të dorëhiqet pas kërkesave të reforma drastike që kërkoheshin për të eliminuar korrupsionin e gjithëpërhapur politik.
Këto reforma, të premtuara nga qeveria e dytë e Borisov, e cila mori pushtetin më 2014, tashmë janë bllokuar.
Një ligj për reformën në drejtësi i miratuar në dhjetor shkaktoi debate të gjera dhe kritika pasi nuk u arrit të garantohej ndarja e pushtetit ekzekutiv nga gjyqësori. Ndërkohë, skandale të mëdha kanë hedhur hije dyshimi mbi sektorët kyçë të ekonomisë, përfshirë energjinë dhe bankat.
Gara për president afrohet
Partia e Borisov, Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë, GERB, ka shënuar disa fitore të mëdha gjatë muajve të fundit, gjithsesi, duke fituar në zgjedhjet vendore të zhvilluara në tetor. Të gjithë sytë tashmë janë në zgjedhjet e pritshme presidenciale të vitit 2016.
Shkalla e miratimit të punës së kryeministrit ka qenë e qëndrueshme gjatë muajve të fundit, duke arritur në 38.3 për qind në nëntor, sipas agjencisë së vrojtimit Alpha Research.
Gjithsesi, ai nuk i ka konfirmuar thashethemet e shumta që sugjerojnë se ai do të garojë për president dhe ka qëndruar i heshtur mbi pyetjen nëse do të mbështesë presidentin aktual, Rosen Plevneliev, aleat i tij politik, në garën për një mandat të dytë.
“Plevneliev e ka kompromentuar veten si një kukull e NATO-s në sytë e shumë bullgarëve,” pretendoi analisti i majtë Veselin Avraamov.
“Borisov është përpjekur për të gjetur një ton më të moderuar dhe pajtues – unë dyshoj se ai mund të ketë shpresa për të kryer ndryshime në kushtetutë me qëllimin e forcimit në mënyrë drastike të rolit të presidentit, nën argumentin se po bën reformë,” shtoi ai.
“Nëse ai vendos të provojë garën për president, shanset e tij për sukses janë të mirë,” spekulon Avraamov.
Cilatdo qofshin planet e Borisov, ato mund të bien në humnerën e rrymave të fuqishme gjeopolitike të cilat janë përtej kontrollit të Bullgarisë.
Vijimi i përballjes mes Rusisë dhe Rusisë në lidhje me Ukrainën mund të bëhet shkas për ndërprerje të furnizimit me gaz natyror gjatë dimrit. Vendi mund ta gjejë veten gjithashtu në mes të një konflikti që po përshkallëzohet mes Rusisë dhe Turqisë në lidhje me luftën në Rusi, konflikt që shënoi kulmin kur Turqia goditi dhe rrëzoi një avion rus.
Ky konflikt është me potencial shpërthyes në një vend si Bullgaria, ku Rusia vijon të adhurohet si forca që e çliroi vendin nga Perandoria Osmane më 1878.
Telashe brenda partisë së turqve
Propozimi i një deklarate në parlament në mbështetje të Turqisë pas rrëzimit të avionit bombardues rus më 24 nëntorin e kaluar, i kushtoi udhëheqësit të partisë përgjithësisht turke Lëvizja për të Drejta dhe Liri, Lutvi Mestan, postin e tij si kryetar. Anëtarët e partisë së tij e rrëzuan atë më 24 dhjetor.
Skandali ka gjasa do të vijojë të shpaloset më 2016, pasi udhëheqësi hije i kësaj partie, Ahmed Dogan, njeriu që orkestroi rrëzimin e Mestan, pretendoi se Mestan pati vepruar si “kolonë e pestë” për Turqinë.
Disa tashmë parashikojnë shfaqjen e një partie rivale pro-turke të drejtuar nga Mestan, plane që ai as nuk i ka konfirmuar dhe as nuk i ka mohuar në intervistat e dhëna që nga rrëzimi i tij si kryetar.
Dogan pretendoi se ai po mbronte interesin kombëtar të Bullgarisë, një surprizë kjo për shumë bullgarë që kanë dëshuar akuza të shpeshta se ai është një pararojë e ndikimit turk në vend.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se Bullgaria nuk duhet ta injorojë Rusinë e ringritur.
Nëse ai veproi në mënyrë të sinqertë në interes në Bullgarisë, në interes të Rusisë apo në interes të vet – kjo mbetet e paqartë – fjalimi dramatik i fundvitit prej Dogan, të cilin ai e dha në një takim privat dhe që rrodhi e u publikua në media pak para rrëzimit të Mestan, vijon të jetë temë debari.
Mes shumë çështjeve të tjera, Dogan kritikoi pavendosmërinë e Europës dhe tha se BE-ja duket se ka humbur dëshirën për të ekzistuar.
Këto fjalë tingëlluan bindshëm në Bullgari, një vend i zënë në mes të krizës së refugjatëve të BE-së dhe që shpresat e të cilit për anëtarësim në zonën pa kontrolle kufitare Shengen, po humbasin për shkak se vendet sakaq anëtare po ringrejnë muret mes njëra-tjetrës me shpejtësi.
Partia e turqve, e cila ka luajtur shpesh rolin e aleatit të vogël por vendimtar në qeveritë e ndryshme që nga viti 1989, është një lojtar kyç në skenën politike. Deputetët e saj në parlament kanë përfshirë edhe emra të debatueshëm si biznesmeni Delyan Peevski, emërimi i shkurtër i së cilit si shef i sigurisë kombëtare në vitin 2013 shkaktoi një valë protestash.
Sfidat me të cilat përballen strukturat kyçe të BE-së janë gjithashtu sfida të stërmëdha për qeverinë pro-Perëndimore të Bullgarisë, ndërsa ajo po vuan për të zbatuar reformat e nevojshme në një kohë stuhish gjeopolitike.
Tension mbi refugjatët
Disa kanë frikë se vijimi i dallgës së refugjatëve që kalojnë përmes Bullgarisë në rrugën e tyre drejt perëndimit do të ushqejë ndjenjat ksenofobike dhe euro-skeptike në një pjesë të popullsisë, në mënyrë të ngjashme me shumë vende të tjera europiane.
Në fakt, Bullgaria ka marrë më pak refugjatë se sa fqinjët e saj, rreth 40 mijë deri tani, por shumë besojnë se problemi mund të zmadhohet në vitin 2016.
“Nëse Greqia dhe vendet e tjera bllokojnë trafikun [e njerëzve], siç janë përpjekur ta bëjnë deri tani, shumë emigrantë ka gjasa do të tentojnë të hyjnë në BE nga këtu,” tha Avraamov, duke vërejtur se numri i emigrantëve që kanë hyrë në Bullgari më 2015 është sakaq tri herë më i lartë se sa në vitin e kaluar dhe më i lartë se sa vitet 2013 dhe 2014 të marra sëbashku.
“Ku mund të fuqizojë [partinë ultra-nacionaliste] Ataka dhe formacione të tjera të ekstremit të djathtë,” thotë ai.
Ndërsa sektorët kyçë të brendshëm janë përfshirë nga trazirat, shpresat për reforma të konsiderueshme po pakësohen ndërsa tensionet gjeopolitike po e prekin Bullgarinë në shumë anë duke e shtyrë vendin të lundrojë në ujëra të rrezikshme.
Dogan mund të mos fitojë me lehtësi zemrat dhe mendjet e shoqërisë së Bullgarisë, por parashikimi i tij i zymtë dhe një lutje simbolike me të cilën ai përfundoi fjalimin e tij prekin një nerv. “Zot, të lutem mos më jep mua më shumë nga sa mund të mbaj,” tha ai.