Mali i Zi po merr asistencë teknike dhe financiare nga NATO për t’u marrë me sasi të mëdha armësh dhe municionesh të vjetruara, të cilat kanë mbetur në vend që pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi dhe NATO-ja së shpejti do të fillojnë një program 15-mujor për të shkatërruar 416 ton municione dhe eksplozivë të tepërt, në një përpjekje për të zgjidhur një nga sfidat më të mëdha të sigurisë në vend, tha ditën e martë ministria.
Marrëveshja, të cilën qeveria malazeze e nënshkroi agjencinë NSPO të prokurimit të armatimeve, agjenci e NATO-s, parashikon shkatërrimin e sigurt të armëve dhe municioneve të tepërta të cilat shteti nuk ka burime për t’i shkatërruar vetë.
Minat dhe eksplozivët e tjerë, kryesisht armë detare dhe ajrore të kalibrit të lartë, ndodhen në depon ushtarake në Pristan, në Gjirin e Bokës në bregdetin Adriatik, dhe në Taras, pranë kryeqytetit Podgoricë.
“Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar vazhdimisht të gjejë mënyrën më të sigurt për të shkatërruar këtë pjesë armatimesh, të cilat përbëjnë një kërcënim për njerëzit dhe mjedisin,” thuhej në një deklaratë të ministrisë.
Për rreth një dekadë, Mali i Zi është përpjekur gjatë të shkatërrojë një tepricë armësh të vjetra, municione dhe mjete shpërthyese që janë ruajtur në depo ushtarake të lëna pas dore dhe në kushte jo të përshtatshme.
Problemi më i madh ishte eliminimi i mbetjeve të rrezikshme toksike, kryesisht eksploziv i lëngshëm nga minat detare.
Pas ndarjes nga Serbia në vitin 2006, Malit të Zi i mbetën rreth 12,136 ton municione në depot ushtarake, edhe pse nevojat e vlerësuara të vendit ishin vetëm rreth 2,300 mijë ton.
Atij i ngelën gjithashtu 74,639 armë të llojeve të ndryshme (duke përjashtuar armët e zjarrit), nga të cilat u rreth 1,000 ishin artileri e rëndë, kundra-tank, armë kundër-ajrore dhe tanke.
Ato vinin nga rezervat e luftës të Ushtrisë Popullore të ish-Jugosllavisë, e cila i ruante në Mal të Zi armët dhe municionet e saj për situata emergjente.
Shumica e armëve u dërguan në Mal të Zi gjatë luftës në ish-Jugosllavi në vitet 1990.
Mali i Zi ka shpenzuar dhjetëra miliona euro në përpjekje për të hequr qafe të armët dhe municionet jugosllave të prodhuara në Rusi, pjesa më e madhe e të cilave janë 40-vjeçare.
Me ndihmën e donatorëve të huaj, Ministria e Mbrojtjes në vitin 2007 dhe 2008 ndërmori disa projekte ku u shkatërruan rreth 5,000 ton municione të tepërta, pavarësisht kritikave nga opozita dhe disa OJQ-ve sipas të cilave kjo dëmtonte sigurinë e shtetit dhe fuqinë e tij ushtarake.
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, Mali i Zi në vitin 2015 shiti 538 ton municione të tepërta, 255 artikuj armatimi dhe 614 mjete motorike i materiale sekondare.
Rreth 128 ton municione të tepërta të kalibrave të ndryshëm që u bënë të paqëndrueshme u demilitarizuan dhe shkatërruan nga ushtria malazeze.
Një total prej 104 ton municionesh të tepërta u shkatërruan nën programin MONDEM, një iniciativë e përbashkët mes qeverisë së Malit të Zi, Programit për Zhvillim të OKB-së dhe OSBE-së.
Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, Mali i Zi ka ende nevojë të heqë qafe të paktën 2,438 ton municione.
Të gjitha shpenzimet e shkatërrimit të armëve të tepërta në Mal të Zi në projektin e NATO-s do të mbulohen nga vendet kontribuuese – Gjermania, Turqia, Hungaria, Kroacia dhe Britania.