Gjykatat vazhdimisht kanë dështuar në garantimin e sigurisë për dëshmitarët e krimeve të luftës në Kosovë. Tani Gjykata e re Speciale me bazë në Hagë duhet të mbrojë ata që dëshmojnë kundër të pandehurve të fuqishëm.
“Më kanë quajtur tradhtar, një turp për kombin, plehrë…”, risjell në mendje një ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili vendosi të bëhej dëshmitar i mbrojtur dhe në fliste për ato që ai i përshkroi si “tmerret e luftës në Kosovë”.
Por mbrojtja që iu dha nuk e mbronte dot atë.
Ai i tha hetuesve se të gjithë shumë shpejt e morën vesh se kush ishte njeriu pas xhamit në sallën e gjyqit në Prishtinë. Dhe pas kësaj, tha ai, “filloi ferri”.
“Ata kërcënuan familjen time, vëllanë tim, nënën… Familja ime filloi te merrte telefonata nga persona të panjohur. Ata kërcënuan se do të lëndonin familjen time nëse vazhdoja të dëshmoja,” tha ai.
Në 16 vitet e fundit që kur lufta në Kosovë përfundoi, tregime të ngjashme janë dëgjuar nga dëshmitarët e shumtë që guxuan të jepnin dëshmi në lidhje me konfliktin i cili pa më shumë se 11,000 njerëz të vrarë dhe qindra mijëra shqiptarë të Kosovës të dëbuar.
Të dyja palët e shikonin luftën e tyre si të justifikuar. Serbët e shikonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një grup terrorist që donte të zaptonte vendin e tyre të shenjtë, ndërsa shqiptarët e Kosovës e shikonin sundimin e Beogradit si shtypës.
Kushdo që guxoi të tregonte në lidhje me abuzimet e kryera nga vetë forcat e tyre shikohej si tradhtar në komunitetin e tyre. Si rezultat, shumë pak njerëz u bënë dëshmitarë në gjyqet e krimeve të luftës, dhe për ta, në shumicën e rasteve, kjo ishte një përvojë shqetësuese.
Ofrimi i sigurisë për dëshmitarët e mbrojtur që dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë ka qenë një problem për të gjitha institucionet që janë të përfshira në ndjekjen penale të këtyre krimeve – Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-u, misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, dhe gjykatat kombëtare në Serbi dhe Kosovë.
Mbrojtja e dëshmitarëve do të jetë gjithashtu edhe detyra më e vështirë për gjykatën e re speciale të mbështetur nga BE-ja, e cila synon të ndjekë penalisht krimet e kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe të kundërshtarëve politikë.
Të premten e kaluar, qeveria holandeze njoftoi se do të presë atë që është quajtur Institucioni Gjyqësor Special i Zhvendosur i Kosovës. Gjykata, e cila do të fillojë punë këtë vit, do të ketë një vend në Kosovë dhe do të jetë e përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, por do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës.
Sipas shumë vëzhguesve, një nga arsyet kryesore pse gjykata do t’i zhvillojë jashtë Kosovës disa nga seancat e saj është dështimi i të gjitha misioneve të mëparshme ndërkombëtare dhe të vetë qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Pa siguri, nuk ka besim
Gjykata e re përfaqëson përpjekjen e katërt nga komuniteti ndërkombëtar për të ndjekur penalisht krimet e luftës dhe vepra të tjera penale që lidhen me kohën e luftës dhe shkelje të tjera të pasluftës në Kosovë.
Gjykata e mbështetur nga OKB-ja për ish-Jugosllavinë, ICTY-ja, ndoqi penalisht pesë çështje që kishin lidhje me luftën në Kosovë. Në bankën e të pandehurit kishte zyrtarë si nga ana serbe ashtu edhe nga ana e UÇK-së.
Sipas ish-prokurores së ICTY-së, Carla Del Ponte, “hetimi i luftëtarëve të UÇK-së ishte një ndër më të frustruese nga të gjitha hetimet e kryera nga ICTY-ja”.
Del Ponte ishte e para që foli hapur për problemet me kanosjen e dëshmitarëve me të cilat ajo dhe ekipi i saj u përball në këto raste.
Në librin e saj “Zonja Prokurore”, të botuar në vitin 2009, ajo shkroi se “dëshmitarët ishin aq të frikësuar dhe kërcënuar saqë kishin frikë edhe të flisnin për praninë e UÇK-së në disa zona, pa përmendur krimet aktuale”.
“Ata që ishin të gatshëm të dëshmonin duhej të transferoheshin në vende të tjera me gjithë familjet e tyre dhe shumë shtete nuk ishin të gatshëm t’i pranonin ata,” tha Del Ponte.
Pas luftës së vitit 1999, Kosova nuk kishte një forcë policore dhe misioni i KFOR-it dhe UMNIK-ut nuk arrinin të garantonin dot siguri.
“Jam e bindur se zyrtarët e UNMIK-ut dhe KFOR-it madje kishin frikë për jetën e tyre dhe jetët e anëtarëve të misioneve të tyre. Mendoj se disa nga gjyqtarët e ICTY kishin frikë mos shndërroheshin në objektiv për shqiptarët,” shkruan Del Ponte.
Në kujtimet e saj, si dhe në raportet e saj të shumta për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Del Ponte tha se ajo beson se kanosja e dëshmitarëve ndikoi seriozisht në vendimet e dhëna në çështjet kundër zyrtarëve të lartë të UÇK-së Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj – që të dy u liruan.
Dëshmitarë të shumtë ndryshuan dëshmitë gjatë seancave gjyqësore, ndërsa të tjerë u zhdukën ose u vranë në mënyrë misterioze.
Në të njëjtën kohë, sipas Del Pontes, ndodhën abuzime serioze të dëshmitarëve në ndjekjet penale vendore në Kosovë.
Në vitin 2002 poshtë makinës së një dëshmitari të mbrojtur u vendos një bombë. Një vit më vonë, dëshmitar Tahir Zemaj u vra në qytetin e Pejës pasi dëshmoi në gjyqin e një zyrtari të lartë të UÇK-së, ndërsa dy dëshmitarë të tjerë në të njëjtin gjyq, Sadik Musaj dhe Ilir Selimaj, u vranë gjithashtu.
Jelle Janssens, autori belg i librit “Shtet-Ndërtimi në Kosovë”, thotë se pas konfliktit të vitit 1999 u krijua një boshllëk sigurie.
UNMIK-u, i cili ishte nën kontroll të vendit sipas dokumenteve, tregoi “paaftësi të komunitetit ndërkombëtar për të garantuar siguri publike”, tha Janssens për BIRN.
“Frika e paqëndrueshmërisë politike, dhunës ndaj personelit ndërkombëtar dhe nevoja për stabilitet për të drejtuar vendin, ishte një pengesë për të hetuar dhe ndjekur penalisht zyrtarët e lartë dhe të fuqishëm në Kosovë,” tha ai.
“Në këto rrethana, ku kishte shumë pak besim në aftësitë e komunitetit ndërkombëtar për të hetuar me sukses dhe për të ndjekur penalisht çështje të profilit të lartë dhe garantim të sigurisë, njerëzit ngurronin të bashkëpunonin me policinë,” shtoi ai.
Sipas Janssens, është raportuar se gjyqtarët dhe prokurorët tmerroheshin sa herë që në dosjet e çështjeve përmendej emri i ndonjë ish-oficeri të lartë i UÇK-së apo ai i ndonjë politikani.
Disa nga personeli i UNMIK-ut i konsideronin ish-zyrtarët e UÇK-së si tepër të rëndësishëm për stabilitetin në Kosovë, siç ishte Soren Jessen Petersen, ish-kreu i UNMIK-ut.
Në vitin 2005, Petersen mbështeti kërkesën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për lirim të përkohshëm nga ICTY-ja, në mënyrë që të vazhdonte karrierën e tij politike deri në fillimi të gjyqit të tij për krime lufte, pavarësisht se prokuroria druhej se ai mund të përbënte rrezik për dëshmitarët.
Gjatë viteve që Petersen ishte kreu i UNMIK-ut, nga viti 2004 deri në vitin 2006, prokurorët e ICTY-së madje e akuzuan misionin e tij se nuk kishte siguruar dokumente dhe bashkëpunim të mjaftueshëm për ndjekjet penale.
Del Ponte po ashtu pohoi se UNMIK-u kishte nxjerrë informacione të ndjeshme për dëshmitarët e të pandehurve për krime lufte.
UNMIK-u i mohoi akuzat, por shefat e tij më vonë pranuan se disa nga hetimet ndaj autorësh të lartë krimesh u ndaluan për arsye politike.
BE-ja trashëgon problemin
Misioni i UNMIK-ut u kritikua ashpër për vite me radhë, sidomos pasi nuk arriti të ruante paqen në mes të shpërthimeve të disa trazirave të dhunshme që lanë shumë të vdekur. ICTY në fund i përfundoi hetimet e saj në Kosovë, por shumë çështje krimesh lufte mbetën për t’u ndjekur penalisht.
Në vitin 2008, komuniteti ndërkombëtar vendosi t’ia japë këtë detyrë shqetësuese një misioni të ri, këtë herë të drejtuar nga BE-ja.
Misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, kishte një detyrë të vështirë. Nga njëra anë, ai duhet të fitonte besimin e vendasve dhe nga ana tjetër, të ishte i pavarur nga elita e pushtetshme, e cila kishte drejtuar Kosovës që prej luftës, nën hijen e krimeve të dyshuara që ata kryen gjatë vitit 1999 dhe më pas.
Edhe pse shumë njerëz vënë në pikëpyetje arritjet e misionit të BE-së, mandati i të cilit skadon në vitin 2016, ai kishte të dhëna më të mira sesa paraardhësi i tyre kur vjen puna te ndjekjet penale të krimeve të luftës.
“Kur kreva hulumtimin tim në terren, EULEX-i drejtonte një program për mbrojtjen e dëshmitarëve. Me aq sa shikoja dhe bazuar në një sërë intervistash me njerëz që drejtonin programin, ai po funksiononte. Zyrtarët e EULEX-it e morën shumë seriozisht programin dhe ngritën një sërë masash mbrojtëse,” tha Janssen.
“Por mendoj se asnjë program nuk është kurrë krejtësisht i sigurt. Programi i EULEX-it për mbrojtjen e dëshmitarëve pësoi një goditje të rëndë kur dëshmitari kryesor në çështjen Kleçka kreu vetëvrasje në Gjermani në shtator të vitit 2011,” shtoi ai.
Çështja Kleçka pa komandantin guerrilas të shndërruar në politikan Fatmir Limaj dhe nëntë ish-luftëtarë të tjerë të akuzoheshin për abuzime brutale në një qendër burgimi të UÇK-së.
Aktakuza u bazua kryesisht në ditarët sekrete dhe dëshminë e një zyrtari në burgun e Kleçkës, Agim Zogaj, i njohur si “Dëshmitari X”, një ish-aleat i Limajt që ofroi informacione në lidhje me vrasjen e disa prej të burgosurve që mbaheshin atje.
Pasi Zogaj vdiq, hetimi zyrtar tregoi se ai kishte kryer vetëvrasje, por vdekja e tij krijoi frikë në mesin e dëshmitarëve të tjerë të mundshëm. Dëshmitarët papritmas filluan të ndryshonin dëshmitë, duke pretenduar se deklaratat e tyre fillestare ishin falsifikuar, nuk ishin përkthyer si duhet, ose se ata nuk kishin kontrolluar se çfarë ishte shkruar në emër të tyre.
Charles Hardaway, një nga prokurorët kryesorë të EULEX-it në çështjen kundër Grupit të Drenicës të UÇK-së, i cili u dënua për krime lufte vitin e kaluar, tha për BIRN se kanosja mbetej një problem serioz në Kosovë.
“Sfida kryesore në këtë çështje është të përballesh me kanosjen e mundshme të dëshmitarëve, kush ka lidhje me kë, kanosja është problemi kryesor, jo vetëm në këtë çështje, por në çështje të tjera të profilit të lartë,” tha për Hardaway për BIRN vitin e kaluar.
“Fitimi i besimit të dëshmitarëve për t’i siguruar ata se mund të bëjnë përpara, se ne mund t’u sigurojmë masa mbrojtëse, se ata mund të tregojnë historinë e tyre, se zëri i tyre mund të dëgjohet… Kjo ishte gjëja më e vështirë për ne,” shtoi ai.
Në disa raste, emrat e dëshmitarëve të mbrojtur janë bërë publik edhe në mediat sociale, përfshirë edhe në Facebook, por autoritetet e Kosovës deri më tani nuk kanë arritur të ndjekin penalisht ndonjë për këtë gjë.
‘Tradhtarët’ dhe një elitë hakmarrëse
“Duhet shumë kurajë për të pranuar të bëhesh dëshmitar, pavarësisht se ku ndodhet gjykata. Gjyqet e ICTY-së tregojnë se ekzistenca e një gjykate ndërkombëtare jashtë shtetit nuk e zgjidh problemin e mbrojtjes së dëshmitarëve,” tha për BIRN Andrea Lorenzo Capussela, autor i librit“Shtet-Ndërtimi në Kosovë: Demokracia, Korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”.
Capussela tha se dëshmitarët janë përballur me rrezikun e kanosjes dhe hakmarrjes nga grupe si SHIK-u, agjencia e sigurisë së Kosovës e cila funksiononte deri në vitin 2008, dhe është konsideruar përgjegjës për disa vrasje politike.
“Për t’i mbrojtur ata në mënyrë efikase, duhet t’i shpërngulësh në mënyrë të përhershme, ata dhe familjet e tyre, jashtë Kosovës. Edhe kjo mund të mos jetë mjaftueshëm, siç tregoi edhe rasti i dëshmitarit të çështjes Kleçka,” tha ai.
Sipas burimeve të BIRN, disa dëshmitarë që priten të dëshmojnë para gjykatës së re speciale janë shpërngulur tashmë nga Kosova drejt vendeve të tjera për arsye sigurie.
Sipas Joao Sousa, zëdhënës i Task Forcës Investigative Speciale të BE-së, e cila hetoi akuzat për krime nga luftëtarët e UÇK-së dhe do të marrë përsipër ndjekjet penale në gjykatën e re në muajt e ardhshëm, mbrojtja e dëshmitarëve është “një shqetësim i madhe për ne dhe është përparësia jonë më e madhe”.
Po punojmë me këdo duhet të punojmë për të siguruar që të kemi masat e nevojshme për të mbrojtur dëshmitarët tanë para, gjatë dhe pas gjyqit,” tha Sousa për BIRN.
Janssens shprehet se ekzistojnë dy kërcënime kryesore ndaj një sistemi të suksesshëm mbrojtjeje dëshmitarësh në Kosovë – madhësia e vogël e vendit dhe lidhjet e ngushta që familjet kanë me njëra-tjetrën.
“Arsyeja pse madhësia e Kosovës është e rëndësishme është se zyrtarët e zbatimit të ligjit shohin shumë pak mundësi në Kosovë për të zhvendosur dëshmitarët. Mund t’i jepni dikujt një identitet të ri, por rreziku që ta shohin dhe njohin duke udhëtuar nga një rajon në tjetrin (për shembull, nga Peja për në Prizren) mund të jetë mjaft i lartë duke marrë parasysh madhësinë e Kosovës,” tha ai.
“Nuk është e nevojshme të udhëtosh për orë me radhë ose të marrësh avionin për të shkuar nga njëri cep i Kosovës në tjetrin. Për më tepër, zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë përshtypjen se Kosova përbëhet nga komunitete të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Është e vështirë ta zhvendosësh dikë dhe t’i japësh atij/asaj një identitet të ri. Kjo është edhe arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar i dërgon dëshmitarët e rëndësishëm jashtë vendit,” shtoi ai.
Sipas një studimi të publikuar shtatorin e kaluar nga OJQ-ja Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim me bazë në Prishtinë, dëshmitarët rrezikojnë të dëbohen nga shoqëria kosovare.
“Shumë dëshmitarë potencialë në Kosovë thonë se do të konsiderohen si tradhtarë nëse dëshmojnë, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, dhe kjo mund t’i atribuohet faktit që shqiptarët para periudhës së konfliktit të armatosur i konsideronin si tradhtarë bashkëpunëtorët me qeverinë (atëherë serbe),” thuhej në studim.
Një tjetër arsye e madhe për të mos dëshmuar është frika nga ndëshkimi. Sipas Capussela-s, burimi i problemit është “makineria e kanosjes së dëshmitarëve e kontrolluar nga segmenti kriminal i elitës së Kosovës”.
“Dëshmitarët nuk janë në rrezik sepse kosovarët janë hakmarrës apo më të dhunshëm se diku tjetër. Problemi është dëshmitarët përballen me organizatat – SHIK-u dhe organizatat përkatëse të fraksioneve të tjera politiko-ekonomike , që mund të arrijnë tek ata dhe t’i dënojnë ata sipas dëshirës,” tha ai.
Capussela tha se vetmja mënyrë për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve ishte të binden ata që kontrollojnë këto organizata që mbijetesa e tyre politike varet nga parandalimi i një kanosje të tillë.
Një nga udhëheqësit e SHIK-ut ishte Kadri Veseli, tani deputet i Kosovës dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës. Ndër themeluesit e SHIK-ut ishin Xhavit Haliti, i cili tani është gjithashtu deputet, dhe Hashim Thaçi, Ministri aktual i Jashtëm i Kosovës dhe një kandidat për t’u bërë presidenti i ardhshëm i vendit.
Të tre këta mbështetën publikisht miratimin e ligjit që mundësoi krijimin e gjykatës së re speciale. Të gjithë ata kanë mohuar çfarëdolloj përfshirje në aktivitete kriminale.
Materialet shtesë nga Ivana Nikolic.