Parlamenti votoi të mërkurën heqjen e imunitetit të ish zëvendëskryeministrit Gabriel Oprea, të akuzuar nga prokurorët për abuzim me pushtetin.
Senatorët e Rumanisë vendosën me 102 vota pro dhe vetëm 30 kundër heqjen e imunitetit të deputetit Gabriel Oprea, ish-ministër i brendshëm, në mënyrë që ai të përballet me akuzat penale të ngritura mbi përdorimin prej tij të autokolonës zyrtare.
Megjithëse ai i mohon akuzat, Oprea vetë votoi në favor të heqjes së imunitetit të tij nga përndjekja penale.
Prokurorët thanë se ai e përdori autokolonën mesatarisht pesë herë në ditë nga janari 2014 deri në nëntor 2015, për punë zyrtare, vizita private dhe takime në partinë e tij e madje, edhe kur udhëtonte për në restorante.
Sipas ligjit, presidenti, kryeministri dhe dy kryetarët e dy dhomave të parlamentit kanë të drejtë të përdorin eskortë policie në trafik ndërsa zyrtarët e tjerë të lartë lejohet të përdorin eskortë vetëm në situata të caktuara.
Përdorimi i eskortës policore nga Opera u vu re nga publiku në tetorin e kaluar, kur një oficer policie vdiq pasi eci mbi një gropë ndërkohë që po shoqëronte autokolonën e Opreas.
Për shumë ditë, policia dhe Ministria e Brendshme e mbajtën sekret informacionin mbi aksidentin e rëndë.
Oprea tha se ai nuk kishte dijeni që një polic kishte humbur jetën ndërsa e shoqëronte atë dhe këmbëngul se ai nuk ka thyer asnjë ligj.
Ai dha dorëheqjen në nëntor, krahas kryeministrit Victor Ponta, pas protestave masive që u zhvilluan pas një zjarri që shpërtheu në një klub nate dhe që vrau 63 njerëz.
Në një zhvillim tjetër të lidhur me të, prokurori i përgjithshëm Tiberiu Nitu dha dorëheqjen pasi emri i tij u shfaq në të njëjtin hetim të kryer nga Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion, mbi përdorimin ilegal të eskortave.
Rumania vijon të konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara në Bashkimin Europian dhe ka bërë vetëm progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kur u anëtarësua në BE në vitin 2007.
Por gjatë viteve të fundit, një numër zyrtarësh të lartë janë dënuar për korrupsion duke e bërë këtë vend, një shembull të mirë.