Gratë në Rumani dhe Bullgari përballen me paga të ulëta, punë me orë të gjata dhe kushte të lodhshme për të prodhuar veshje për mallrat e luksit të Perëndimit.
Kalafat, Rumania e jugut, ora 7 e mëngjesit. Qindra punëtorë të një fabrike veshjesh mblidhen përreth një tregu të improvizuar për të blerë para se të fillojnë turnin – biskota të kripura, patatina dhe kanaçe me pije janë të vendosura në karroceritë e dy furgonëve. Gjithnjë e më shumë njerëz mbërrijnë, me autobuzë ose më këmbë, përmes një ure të gjatë.
Fabrika e trikotazhit nën pronësi italiane, Maglierie Cristian Impex, është punëdhënësi më i madh në zonë. Ajo prodhon veshje për emra të mëdhenj si Kenzo, Marc O’Polo, Faconnable and Inditex, gjigandi me bazë në Spanjë që ka nën pronësi marka të tilla si Zara dhe Massimo Dutti. Sipas një lajmi të publikuar në një gazetë vendase ku intervistohej menaxheri i fabrikës, kjo fabrikë ka punuar gjithashtu edhe Hugo Boss, Pierre Cardin dhe Escada.
Shumë punëtorë nuk duan të flasin me një gazetare, duke thënë se kanë frikë se do të humbasin vendin e punës. Të tjerë murmurijnë shkarazi duke thënë se nuk i kanë marrë rrogat.Gjërat janë keq, thonë ata. “Na ndihmo nëse mundesh,” thonë disa prej tyre.
“Punë, punë, punë – por nuk ka pagë,” ankohet një punëtore, 34 vjeçarja Kristina (një pseudonim për të mbrojtur identitetin e saj). Rreth një dyzinë punëtorësh aktualë apo ish – punëtorë të kësaj fabrike i thanë Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, se ata nuk paguheshin në kohë. Shumë thanë se i merrnin pagat vetëm një herë në dy apo tri muaj vitin e kaluar.
Aktivistët dhe media ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime kundër kushteve të mjera të punëtorëve në fabrikat e veshjeve në vitet e fundit, shpesh duke u përqendruar në Azi. Por edhe brenda Bashkimit Europian, në Rumani dhe Bullgari, punëtorët në fabrika përballen me paga të ulëta, orë të gjata pune dhe kushte të vështira për të prodhuar veshje për kompanitë e mëdha të modës, përfshirë markat e luksit. Organizatat jofitimprurëse të tilla si Fondacioni Fair Wear dhe Fushata Clean Clothespo kërkojnë që markat të marrin përgjegjësi të plotë për zinxhirët e tyre të prodhimit me pagesa të denja dhe kushte pune për të gjithë punëtorët e përfshirë.
Pronarët e fabrikave thonë se ata përballen me presion të stërmadh nga pronarët e markave që t’i mbajnë kostot e ulëta. Punëtorët, të cilët në shumicën dërrmuese janë gra, shpesh punësohen me pagën minimale të parashikuar me ligj, pak qindra euro në muaj, dhe mund ta mbyllin muajin me të ardhura edhe më të ulëta se sa paga minimale.
Atyre shpesh i duhet të presin muaj me rradhë për të marrë pagën, e cila është shumë poshtë ‘minimumit jetik’ të vendeve përkatëse.
Nga fundi i janarit deri në mes të korrikut të vitit të kaluar, Kristina thotë se është paguar vetëm dy herë, gjithsej 1500 lei (340 euro) për gjysmë viti punë. “Gratë shkojnë dhe fillojnë të qajnë para shefit, duke thënë ‘të lutem më jep rrogën, për shkak se nuk kam bukë për fëmijët’,” thotë Kristina në shtëpinë e saj në një fshat rreth 10 kilometra larg fabrikës.
Kristina ka një shtëpi betoni me dy dhoma, ku jeton me bashkëshortin e saj, një djalë dhe vjerrën. Ajo është anëtarja e vetme e familjes që ka një punë. Ajo e konsideron veten më me fat se shumë kolege në fabrikë për shkak se ajo nuk ka kredi bankare për të paguar dhe jeton në fshat, ku prodhon ushqimet e veta.
Deklaratë greve
Në prill 2014, më shumë se 300 punëtorë në Maglierie Cristian dolën në një grevë të paorganizuar , duke u ankuar se pagat e tyre qenë vonuar dhe se kishin frikë se nuk do të qenë në gjendje t’i jepnin familjeve të tyre një vakt dinjitoz për Pashkë.
Cristi Deseanu, 29 vjeç, një nga grevistët, thotë se punëtorët në fund u paguan. Por, siç thotë ai, ai dhe disa protestues të tjerë më të zhurmshëm u pushuan nga puna.
Në një bisedë të shkurtër telefonike, një zyrtar i lartë i kompanisë i tha BIRN se
Deseanu e la vetë punën. Por dokumentet e kompanisë thonë se në fakt ai u pushua, në bazë të një raporti disiplinor ku shkruhej se ai pati marrë pjesë në një grevë të paautorizuar dhe se i kishte prishur imazhin kompanisë.
“Të mjerat, rrëzohen si miza,”
– thotë nënkryetari i bashkisë së Kalafatit, Dorel Mituletu, për punonjëset e fabrikave që punojnë nën të nxehtin e madh të verës
Deseanu punonte si mekanik në fabrikë, duke programuar dhe mirëmbajtur makineritë. Ai thotë se kishte pagë zyrtare prej rreth 250 euro në muaj por nuk e merrte gjithmonë të gjithë këtë shumë, veçanërisht në dimër, kur fabrika kishte më pak porosi. Disa muaj ai fitoi rreth 150 euro sipas faturave të pagave që na tregoi.
“Paga ime nuk më mundësonte të nisja një familje,” shprehet ai. Që nga ajo kohë, Deseanu ka gjetur një punë në një fabrikë tjetër – 250 kilometra larg qytetit të tij Kalafat.
Fabrika në Kalafat është nën pronësinë maxhoritare të Enzo Mantovanit, themeluesit të markës së luksit Kashmir dhe dy djemve të tij, Cristian dhe Gianluca. Ky i fundit është gjithashtu edhe drejtor ekzekutiv për bizneset e familjes në Rumani, të cilat patën një xhiro prej më shumë se 8.3 milionë euro në vitin 2014. Ajo është mes kompanive më të mëdha të veshjeve në Rumani me rreth 1,100 të punësuar. Kompania e reklamon veten si një nga fabrikat më të mëdha të veshjeve në Rumani, me një “reputacion të mirë në shtëpi dhe jashtë vendit” dhe një filozofi të “kënaqësisë absolute për klientët”. Ajo raportoi 900 të punësuar për vitin 2014.
BIRN u përpoq vazhdimisht përgjatë shumë muajve që të marrë një koment nga kjo kompani rumune, përfshirë përgjigjet për akuzat specifike të ngritura në këtë artikull. Një reportere e BIRN shkoi te dera e fabrikës, telefonoi kompaninë shumë herë, dorëzoi pyetje me email dhe kontaktoiCristian Mantovani përmes Facebook. Por nuk mori komente përveç pak fjalëve mbi largimin e Deseanut.
Inditex tha shtatorin e kaluar se auditimet shoqërore zbuluan se fabrika respektonte Kodin e saj të Sjelljes. Vonë në janar këtë vit, gjithsesi, Inditex tha se tani fabrika qe duke iu nënshkruar një ‘plani korrektimi’. Ajo nuk specifikoi detaje të planit.
“Në javët në zhvillim, skuadrat e auditit do të kryejë një audit tjetër shoqëror për këtë furnizues.
Furnizuesi pastaj do të marrë ose një autorizim për të vijuar furnizimin e Inditex ose do të bllokohet përfundimisht,” tha kompania në një deklaratë.
Markat e tjera të përmendura në lidhje me fabrikën nuk iu përgjigjën kërkesave me email apo telefon për komente dhe as nuk iu përgjigj pyetjeve që iu bënë.
‘Frymëmarrje’
Catalin Mohora, një inspektor në Inspektoriatin e Punës të kontesë Dolj, e cila përfshin Kalafatin, thotë se është e ligjshme për një punëdhënës të paguajë më pak se sa paga minimale. Në situata të caktuara, të tilla si periudha me kërkesë të ulët për produkte, punëdhënësi mund të ulë orët e punës dhe të ulë edhe pagën në proporcionalitet me orët e punës.
Gjithashtu, sipas Inspektoriatit të Punës nuk ka parashikime për ndëshkime për mospagesën e pagave në kohë. Nëse pagat vonohen, inspektorët mund t’i kërkojnë fillimisht punëdhënësve të bëjnë pagesat dhe mund të vendosin gjoba vetëm në rast se kompania nuk i bindet kërkesës së parë.
Mohora thotë se Maglierie Cristian është një nga punëdhënësit më të mirë në këtë konte. Disa kompani, thotë ai, përpiqen t’i shtyjnë kufijtë ligjorë në maksimum për të shmangur pagesat e pagave dhe taksave – për shembull duke i modifikuar kontratat pasi ato janë firmosur, apo duke i detyruar punëmarrësit të punojnë orë shtesë pa pagë shtesë.
Kalafat, një qytezë me rreth 17 mijë njerëz në brigjet e Danubit, u bë një qendër industriale gjatë sundimit të diktatorit komunist Nikolae Çaushesku.
Por pak nga fabrikat e asaj kohe i mbijetuan kalimit në sistemin kapitalist në vitet 1990.
Nënkryetari i bashkisë së qytetit, Dorel Mituletu, është ulur në tryezën e tij pranë flamujve të mëdhenj të Rumanisë dhe BE-së. Ai thotë se Kalafati ka vështirësi në tërheqjen e investitorëve dhe se fabrika e Maglierie Cristian është “frymëmarrje” për jetën e qytezës.
“Askush nuk është në gjendje të ngrihet përballë dikujt që, në një mënyrë apo në një tjetër, ofron vende pune për 1 mijë njerëz,” thotë ai.
“Nëse ata ikin, ti përballesh me një problem të madh shoqëror.”
Mituletu pranon se puna në fabrikë është “rraskapitëse për gratë”, veçanërisht gjatë verës kur brenda bëhet shumë nxehtë, gjë që i bën disa punëtore t’u bie të fikët.
“Të mjerat, rrëzohen si miza,” thotë Mituletu.
Në korrik të këtij viti, Kristina thotë se ajo pa tri gra në seksionin e saj të cilave iu ra të fikët për shkak të vapës. Ajo tregon se si mbikëqyrësi italian u tall me to duke thënë se atij do t’i duhej të sajonte ndonjë varrezë në oborrin e fabrikës në rast se gratë vijonin të binin kështu.
“Ai thjesht ndjehu se duhej të bënte shaka,” thotë Kristina e dorëzuar.
Fabrika ka kondicionerë, por ato nuk janë të mjaftueshëm për të kompensuarvapën që gjenerohet nga makineritë dhe hekurat, thonë Kristina dhe Cristi Deseanu.
Markat e modës, në disa raste, dërgojnë punonjësit e tyre për të kontrolluar fabrikat që përdorin. Në verën e vitit 2015, një përfaqësues i Lacoste vizitoi fabrikën në Kalafat, e cila qe duke punuar me orë të gjata për të prodhuar bluze me vija për markën franceze, thotë Kristina. Punëtorët qenë organizuar në atë kohë me turne 12 orëshe.
“Ne punonim si të çmendura dhe pyesnim njëra-tjetrën se edhe për sa kohë do të vijonim në këtë mënyrë,” rikujton Kristina.
Njeriu i Lacoste filloi të pyesë përqark mbi kushtet e punës, sipas Kristinës. Një drejtuese departamenti u shqetësua për shkak se foli tepër dhe mund të pushohej nga puna, rikujton Kristina. Ajo tregon se punëtoret u instruktuan të mos ankoheshin te të huajt.
BIRN kontaktoi Lacoste për të pyetur mbi vizitën e përfaqësuesit të saj. Kompania pranoi marrjen e pyetjeve por nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Sipas statistikave zyrtare, 240 mijë njerëz punojnë në industrinë e veshjeve dhe këpucëve në Rumani. Ky është sektori i dytë për nga niveli i eksporteve pas industrisë së makinave, ndërsa në Bullgari, ky sektor punëson 105 mijë vetë në 4,500 kompani.
Fillimi i ri kthehet në makth
Rreth një vit më parë, Ioana Ganea, 45 vjeçe, dhe mikesha e saj Carmen Ciobanu, një 39 vjeçare nënë e tre fëmijëve, menduan se një punë në fabrikën e veshjeve do të sillte zgjidhje për problemet e vështira në shtëpi. Të dyja gratë jetojnë në një fshat të vogël me emrin Sultana, rreth 90 kilometra larg Bukureshtit.
Bashkëshorti i Carmenit është një peshkatar i mbetur pa punë. Burimi kryesor i të ardhurave për familjen qe nëna e Carmenit, e cila punonte si pastruese në Itali.
“Edhe nëse jeton në fshat, sërish të duhet të paguash faturat dhe të blesh gjëra… (të cilat) nuk rriten në bahçe,” thotë Carmeni.
Ioana po punonte për tetë orë në ditë në një fabrikë në kryeqytet dhe po shpenzonte katër orë të tjera në autobuzë për të shkuar e për t’u kthyer nga puna dhe rrjedhimisht kishte shumë pak kohë për t’u përkujdesur për nënën e saj 72 vjeçare.
Ioana pi duhan me ankth ndërsa lotët i rrjedhin në faqe kur flet për nënën e saj.
Ajo është ulur me Carmenin në një tavolinë në oborrin e shtëpisë së saj. Tavolina, njësoj si shtëpia, është e vjetër, e vogël dhe e anuar.
Carmen u nxit nga Ioana për të hequr dorë nga puna në Bukuresht në mënyrë që të dyja të shkojnë dhe të punojnë në fabrikën Zendoo Style në Kalarasi, rreth 20 kilometra larg fshatit. Menaxherja e fabrikës, Vasilica Sterschi, thotë se ajo ka prodhuar veshje për firma të ndryshme perëndimore.
Ioana dhe Carmen filluan të punojnë në fabrikë në janar 2015 dhe thonë se shpresat e tyre për një jetë më të mirë përfunduan shpejt me zhgënjim.
Volumi i punës së kërkuar qe i pamundur të realizohej dhe presioni qe shumë i lartë, thonë gratë. Punëtoret u këshilluan të mos flisnin me njëra-tjetrën dhe të shkonin në banjo vetëm për raste urgjente. Pronarja u thoshte atyre se nuk po punonin mjaftueshëm.
“Ajo bërtiste gjatë të gjithë kohës, më shpejt, më shpejt, më shpejt. Ju mund ta imagjinoni se si ndjehesh po të dëgjosh këtë, a thua se je skllave?” ankohet Ioana.
“Klientët kanë këtë paragjykim – ‘Made in Europe, rrjedhimisht prodhuar me ndershmeri’… Por kjo nuk është e vërtetë.”
– Corina Ajder, studiuese
E kontaktuar me telefon, menaxherja Sterschi i tha BIRN se ajo nuk mund të paguajë rrogë për punë të pamjaftueshme dhe se nuk mund të pranojë fjalën “nuk bëj dot më shumë” si justifikim.
“Nëse ka ardhur për të punuar dhe ulet në tualet apo përgjigjet “nuk bëj dot më shumë”, unë nuk e përfshij dot këtë në punë,” thotë Sterschi.
Ioana, Carmeni dhe dhjetëra gra të tjera vendosën të ikin nga puna. Por Ioana dhe Carmeni thonë se Sterschi refuzoi të pranojë dorëheqjet e tyre, duke i kërcënuar se do t’i hedhë në gjyq në rast se nuk ndryshonin mendje.
BIRN foli me dy gra të tjera të cilat thanë se ato u përballën me të njëjtin reagim kur u përpoqën të largohen nga puna. Sterschi në fillim tha se ajo nuk kishte kurrë në plan të hidhte në gjyq punonjëset për largim nga puna, por më vonë, në një intervistë në zyrën e saj, deklaroi se do t’i hidhte në gjyq gratë që patën folur për BIRN me argumentin se kishin shkelur marrëveshjet e konfidencialitetit.
Gainea besonte se asaj i detyrohej një pagë dhe e çoi çështjen te Inspektoriati i Punës, i cili doli në konkluzionin se ajo duhej të paguhej rreth 50 euro për lejen që nuk e kishte përdorur.
Zendoo Style, kompania që ka nën pronësi fabrikën në Kalarasi, raportoi xhiro prej rreth 370 mijë eurosh në vitin 2014 dhe 82 të punësuar.
Sterschi tha se ajo i paguante punëtorët e saj sa dy herë paga minimale dhe se bënte biznes të ndershëm.
Por kontratat e dy ish-punonjëseve në fabrikë tregojnë se ata morën vetëm pagën minimale prej rreth 160 eurosh neto në muaj.
Inspektoriati i Punës në Rumani tha se inspektimet mes viteve 2013 dhe 2015 zbuluan se firma nuk respektonte ligjin për pagesën e pagave, orët e punës, orët shtesë dhe kohën e pushimit për punëtorët. Ajo qe gjobitur në lidhje me këto çështje, tha inspektoriati.
Në maj të vitit të kaluar, Sterschi dhe pronari i fabrikës, bashkëshorti i saj Ion, u dënuan për evazion fiskal me gjashtë muaj burg me kusht, sipas dokumenteve gjyqësore publike. Pyetur përmes telefonit për këtë dënim, Sterschi u përgjigj: “Merru me punët e tuaja. Mos më merr më në telefon sepse përndryshe do t’ju hedh në gjyq”.
Pyetjet e mëtejshme për komente iu dërguan me email, të cilave ajo nuk iu përgjigj.
Zendoo Style u shpall e falimentuar në shtator 2015, sipas një vendimi gjykate, por Sterschi thotë se ajo vijon të jetë e përfshirë në biznesin e veshjeve.
Pagat e ulëta dhe kushtet e këqija janë ‘endemike’
Sipas studimeve nga organizatat jofitimprurëse, problemet e dokumentuara nga BIRN janë të zakonshme në të gjithë rajonin.
Një raport mbi Europën Lindore dhe Turqinë i publikuar vitin e kaluar nga Clean Clothes Campaign, një grup ndërkombëtar që advokon për kushte më të mira pune në këtë sektor, zbuloi se pagat në nivelin e varfërisë, kushtet e rrezikshme të punës dhe puna e detyruar me orë të gjata qenë “endemike nëpër të gjithë industrinë e veshjeve”.
“Klientët kanë këtë paragjykim – ‘Made in Europe’, rrjedhimisht duhet të jetë prodhuar në mënyrë të ndershme,” thotë Corina Ajder, një studiuese për organizatën. “Por kjo nuk është e vërtetë.”
Grupi zbuloi se paga minimale kombëtare, që shpesh paguhet në industrinë e veshjeve, është poshtë nivelit të varfërisë në të gjitha vendet që ata vrojtuan – dhe shumë më poshtë nivelit të mbijetesës për një familje me katër anëtarë. Si në Rumani, ashtu edhe në Bullgari, paga minimale qe vetëm rreth 20 për qind e këtij ‘minimumi jetik’.
Markat e modës dhe fabrikat në disa raste komisionojnë kontrolle të kushteve të punës, të cilat synojnë të sigurojnë që kushtet e punës plotësojnë standardet ndërkombëtare. Audituesi rumun Rodica Soldea thotë se nuk ka inspektime të tilla të mjaftueshme në Europën Lindore.
Por audituesit nuk janë zgjidhje. Auditues socialë patën inspektuar dhe dy fabrikat e veshjeve nëBangladesh dhe Pakistan, ku zjarret vranë qindra punëtorë në vitin 2012.
Ekspertët thonë se këto audite mund të identifikojnë vetëm abuzime më të rënda, të tilla si përdorimi i punës së fëmijëve, por është e vështirë të dallojnë probleme më pak të dukshme, të tilla si vonesat në pagë apo mospagesën e orëve shtesë. Audituesit kalojnë vetëm pak orë apo pak ditë në fabrika dhe punëtorët mund të kenë shpesh frikë për të folur.
Sindikalistët argumentojnë se mënyra më e mirë për të përmirësuar kushtet e punës është që punëtorët të organizohen. Por sindikatat nuk kanë shumë ndikim në Rumani apo Bullgari. Në Rumani ato u dobësuan më tej nga ligji i miratuar në vitin 2011.
Pronarët e fabrikave në Rumani dhe Bullgari thonë se nuk kanë shumë gjëra në dorë për të rritur pagat ndërkohë që markat ushtrojnë kaq shumë presion për t’i mbajtur kostot e ulëta.
“Ata thjesht duan që t’i mbajnë çmimet gjithnjë e më të ulëta dhe kaq,” thotë Radina Bankova, presidente e Shoqatës Bullgare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Tekstileve për Eksport.
Në disa raste, gjithsesi, punëtorët ia kanë dalë të organizohen për të kërkuar kushte më të mira pune.
Historia e punëdhënësit
Në vitin 2007, punëtorët dolën në grevë nëfabrikën Pirin-Tex në qytezën bullgare të Gotse Delçev, një zonë malore pranë kufirit me Greqinë. Ata kërkuan 100 euro rritje page në muaj.
Bertram Rollmann, pronari gjerman i fabrikës u trondit. Që kur pati blerë fabrikën 14 vjet më parë, ai ndjente se kishte punuar shumë për të mbajtur marrëdhënie të mira me punëtorët. Pagat qenë rritur çdo vit dhe me normë më të lartë se sa mesatarja e sektorit, tha ai.
“Ku pata gabuar?” pyet Rollmann, 59 vjeç.
Rollmann është një veteran në industrinë e veshjeve. Gjyshi i tij qe rrobaqepës, siç qe nëna dhe babai i tij. Babai i tij kishte nën pronësi një kompani veshjesh në Gjermani “gjatë epokës së artë të industrisë,” siç e përshkruan Rollmann periudhën e viteve 1970-1980 kur markat kishin prioritete të ndryshme.
“Në atë periudhë, kishte më shumë kërkesa për forcë pune dhe cilësi të respektueshme… dhe markat nuk pyesnin shumë për çmimin,” thotë ai në zyrën e tij në fabrikë.
Në fillim të viteve 1980, familja e tij hapi një fabrikë në Greqi dhe Rollmann e drejtoi atë. Nga mesi i dekadës, tregu u orientua gjithnjë e më shumë në maksimizimin e fitimeve, thotë Rollmann dhe rënia e komunizmit më 1989 hapi mundësinë për forcë të re pune të lirë në Europën Lindore.
Rollman parashikoi se një dallgë e re fabrikash do të pasonte dhe vendosi të transferohet edhe vetë në këtë rajon. Ai gjeti autoritete vendore bashkëpunuese në Gotse Delçev, një qytezë me rreth 20 mijë banorë, dhe hapi fabrikën e tij më 1993. Biznesi u rrit deri sa punësoi mbi 2 mijë njerëz, duke u bërë fabrika më e madhe e veshjeve në Bullgari.
Fabrika gjendet në një ndërtesë të madhe dykatëshe, me salla prodhimi më të mëdha se sa tri fusha futbolli (30 mijë metra katrorë). Fabrika ka një departament trajnimi, ku njerëzit mësojnë si të qepin apo marrin leksione dhe në gjuhë të huaja apo histori. Ka laboratorë për krijimin e ngjyrave të copave, dhoma për riciklim dhe një çerdhe për fëmijët.
Por më 2007, punëtorët ndjenë se nuk po merrin mjaftueshëm. Greva e tyre u shkaktua, së paku pjesërisht, nga pranimi në atë kohë i Bullgarisë në Bashkimin Europian. Ata ndjenë se duhet të paguheshin më shumë si Europianë perëndimorë.
Edhe një udhëheqës sindikalist mendonte se kërkesat e tyre qenë jorealiste.
Dimitar Tabakov, president i sektorit të industrisë së lehtë në federatën e sindikatave CITUB, mban mend se ia tha atyre këtë më 2007. Ata e akuzuan atë se kishte marrë krahun e punëdhënësit.
Por Rollman shkoi te klientët e tij, markat e mëdha, dhe i kërkoi atyre çmime më të larta për produktet e tyre. Për rrjedhojë, thotë ai, ai humbi klientin e tij më të madh, i cili qe gjithashtu edhe klienti më i vjetër dhe që zinte më shumë se 25 për qind të prodhimit në fabrikë.
Markat e tjera, gjithsesi, pranuan të paguajnë më shumë. Greva përfundoi pas 17 ditëve, kur Rollman qe në gjendje të ofrojë një rritje prej rreth 60 eurosh në pagën mujore. Aktualisht, paga mesatare në fabrikë është rreth 415 euro, thotë ai.
Rollmann beson se kushtet dhe pagat janë duke u përmirësuar ngadalë në këtë sektor, për shkak se fushatat dhe mbulimi mediatik i tragjedive të tilla si ato në fabrikat e veshjeve në Azi i kanë detyruar markat të përballen me presione nga konsumatorët.
“Ata po reagojnë tani,” thotë Rollmann. “Mentaliteti i publikut po ndryshon.”
Laura Stefanut është një gazetare e lirë në Rumani. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacionet Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.