Pas një vendimi të gjykatës së faktit që i dha një dëmshpërblim të majmë kompanisë së kontraktuar për pastrimin e qytetit, Bashkia e Elbasanit u tërhoq nga ankimimi duke shkelur ligjin dhe dëmtuar interesat e qytetarëve të saj.
Tenderi më i madh që bën bashkia Elbasan, një herë në 5 vjet, është ai i pastrimit të qytetit. Ky tender bëhet me procedurë të hapur dhe fituese në dy procedurat e fundit është shpallur kompania Victoria Invest Sh.p.k.
Megjithëse kjo kompani ka marrë qindra milionë lekë të ardhura çdo vit si kotraktore dhe përfituese e dy kontratave sipërmarrëse në vitin 2006 dhe 2012, marrëdhënia e saj me Bashkinë është shënjuar nga mosmarrëveshje të vazhdueshme.
Kompania pretendon që sasia e mbetjeve të prodhuara çdo ditë në qytetin e Elbasanit është më e madhe se sa është përcaktuar në kontratën fillestare të tenderit të hapur nga Bashkia në vitin 2006.
Fillimisht ajo kërkoi një shtesë kontrate; dhe pasi mbetet e pakënaqur, në vitin 2010 e padit Bashkinë në gjykatë. Pas një viti shqyrtimi të çështjes, Gjykata e Faktit në Elbasan jep një vendim në favor të Victoria Invest, duke i akorduar një dëmshpërblim prej më shumë se 80 milionë lek në dëm të Bashkisë Elbasan. [Kliko këtu për të shkarkuar vendimin e gjykatës së Elbasanit]
Bashkia e Elbasanit, e cila i kishte kontestuar pretendimet e kompanisë, fillimisht e apelon vendimin; por vetëm pas pesë ditësh e tërheq kërkesën e saj, duke i hapur rrugën që vendimi të marrë formë të prerë.
Tre vjet më vonë, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, arrin në përfundimin se tërheqja nga e drejta për apelim të çështjes ka qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore.
KLSH i kërkon bashkisë që të kërkojë çdo rrugë ligjore që i ka mbetur për të apeluar çështjen në mënyrë që të shmang dëmin financiar dhe kjo e fundit i drejtohet Gjykatës së Lartë.
E kontaktuar nga BIRN Bashkia e Elbasanit nuk komentoi mbi motivet pse ajo ishte tërhequr nga apelimi i çështjes së humbur kundrejt Victoria Invest në gjykatën e apelit.
Ndërkohë, BIRN ka mësuar që kërkesa e saj dërguar Gjykatës së Lartë për të rihapur çështjen gjyqësore është hedhur poshtë, duke mbyllur përfundimisht çdo hapësire ligjore për të rikuperuar dëmin financiar të prodhuar.
Fituesi i pakënaqur
Kontrata e parë midis Bashkisë Elbasan dhe kompanisë Victoria Invest është lidhur në 15 shtator 2006; kohë kur ky institucion vendor drejtohej nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Turku.
Kontrata kishte si objekt largimin dhe transportimin e mbetjeve urbane si dhe sistemimin e tyre në vendgrumbullim. Në kontratë përcaktohet që sasia mesatare ditore e mbetjeve është 75 ton, për një total prej 27,375 ton mbeturina në vit dhe kishte një vlerë prej 63.4 milionë lekë.
Megjithatë, pas fillimit të punës si kotraktor i përzgjedhur për pastrimin e qytetit, kompania Victoria Invest i ankohet Bashkisë së Elbasanit që sasia reale e mbetjeve që ajo duhet të largojë çdo ditë është më e madhe se ajo që është përcaktuar në kontratë.
Ajo i dërgon një seri kërkesash Bashkisë duke i kërkuar që kjo e fundit të aprovojë një shtesë kontrate që të mbulojë sasinë e mbetjeve shtesë që kompania thotë se mbledh çdo ditë.
Një nga këto kërkesa mban datën 26 tetor 2009, në të cilën Victoria Invest pretendon se ajo largon 7,300 ton më shumë mbeturina se sa është përcaktuar në kontratë, për një total prej 34, 675 ton mbeturina në vit.
Në letrën e dërguar kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini, kompania Victoria Invest akuzon punonjësit përgjegjës për ndjekjen e kontratës se nuk kanë reflektuar asnjë nga kërkesat e saj. Po kështu kompania ankohet se kostoja e shërbimit të pastrimit ka pësuar rritje të papërballueshme, duke përmendur rritjen e çmimit të karburantit, apo inflacionimin e kostos punëtore.
Victoria Invest e kërcënon Bashkinë se në qoftë se nuk do të përmbushen kërkesat e saj brenda një periudhe 30 ditore ajo do të ndërpresë në mënyrë të njëanshme shërbimin e pastrimit për qytetin.
I përballur më presionin e kompanisë, kryetari i Bashkisë Elbasan Qazim Sejdini përkulet ndaj presionit dhe me 1 Mars 2010, aprovon një shtesë kontrate për shërbimin e pastrimit, duke e rritur sasinë e mbeturinave ditore të larguara nga Victoria Invest me 22.3 ton, apo 19.5 për qind të vlerës totale, e barazvlefshme me një shtesë prej 12.3 milionë lek në vit.
Megjithatë, shtesa e kontratës me Bashkinë nuk e ndalon kompaninë ta padisë qytetin duke i kërkuar dëmshpërblim financiar për sasinë e plehrave shtesë që kjo e fundit pretendon se ka larguar drejt vendgrumbullimit gjatë periudhës së mëparshme kontraktore.
Beteja gjyqësore
Më datë 26 qershor 2010, kompania Victoria Invest i drejtohet gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan më një kërkesë padi kundër bashkisë së qytetit me objekt “detyrim të palës së paditur të dëmshpërblejë palën paditëse për humbjet pasurore që i kanë ardhur si rezultat i begatimit pa shkak, si dhe përmbushje të detyrimit kontraktor”.
Në gjykatë, Victoria Invest pretendon se ajo ka realizuar gjatë periudhës që ka pastruar qytetin një volum pune mbi atë të ngarkuar në kontratë, dhe këtë e ka konstatuar pas nënshkrimit të kontratës në vitin 2006.
Kompania thotë që gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ajo i ka bërë kërkesa të vazhdueshme Bashkisë për një rivlerësim të sasisë së mbetjeve që ajo largonte çdo ditë drejt vendgrumbullimit; por kjo e fundit nuk i është përgjigjur. Këto kërkesa, nënvizon Victoria Invest, bazoheshin në ligjin e prokurimit publik.
Nga ana e saj, përfaqësuesit ligjorë të Bashkisë Elbasan kanë kërkuar rrëzimin e padisë si të pabazë. Sipas Bashkisë ka qenë vetë kompania Victoria Invest që e ka pranuar nenin 6 të kontratës që përcaktonte volumin e punimeve në 75 ton në ditë dhe se Bashkia nuk i ka kërkuar kontraktorit të kryhej punime shtesë. Ajo pretendon se kompania ka përfshirë në periudha të ndryshme zona grumbullimi mbetjesh që nuk përfshihen në kontratë dhe se rritja e kostos si rezultat i rritjes së pagave nuk ka lidhje me kontratën.
Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari Taulant Tafa vlerëson se për zgjidhjen e konfliktit gjyqësor midis Victoria Invest dhe Bashkisë Elbasan, gjykata do t’i referohet institutit të begatimit pa shkak, i cili parashikohet nga neni 655 i kodit civil. Ky nen parashikon se “personi që pa një shkak të ligjshëm, ka fituar ose ka kursyer në dëm të një personi tjetër, detyrohet të dëmshpërblejë këtë të fundit për humbjet pasurore që ka pësuar, brenda caqeve të begatimit.”
Sipas gjykatës, midis Victoria Invest dhe Bashkisë Elbasan janë ndërtuar dy lloj marrëdhëniesh. Marrëdhënia e parë është kontraktore dhe ka të bëjë në largimin e 75 ton mbeturinave drejt vendgrumbullimit sipas kontratës të 15 shtatorit 2009. Ndërkohë marrëdhënia e dytë është jashtë kontraktore dhe ka të bëjë më volumet shtesë të kryera nga pala paditëse, të cilat nuk parashikohen nga kontrata midis dy palëve.
Sipas gjykatës, me anë të një urdhri në 5 shkurt 2008, kryetari i bashkisë ka ngritur një komision për përcaktimin e volumit real ditor të mbetjeve që grumbullohen dhe transportohen në Elbasan. Me 9 maj 2008 ky komision arrin në përfundimin që pesha totale e mbetjeve është 95 ton në ditë, duke vërtetuar pretendimin e ngritur nga pala paditëse, që volumi i punës është më i lartë nga se parashikohej në kontratë.
Edhe pse sasia sipas e mbetjeve që grumbulloheshin paraqitet më e lartë nga se parashikohet në kontratë nga vetë komisioni i ngritur nga Bashkia, ky konflikt ka mbetur i pazgjidhur deri në vitin 2010. Në janar 2010, kryetari i Bashkisë Elbasan urdhëron një vlerësim të ri të volumit ditor të mbetjeve dhe komisioni i bashkisë bën dy akt-peshime të reja, që rezultojnë specifikish 106 dhe 112 ton mbetje në ditë.
Sipas gjykatës, gjatë periudhës së zbatimit të kontratës shoqëria Victoria Invest ka qenë e detyruar të mbulonte transportimin në vendgrumbullim të volumit shtesë të mbetjeve.
“Në rast se shoqëria Victoria Invest do të transportonte dhe sistemonte në vendgrumbullim vetëm sasinë e përcaktuar në kontratë, kjo do të sillte pasoja të rënda në kryerjen e shërbimit të pastrimit për qytetin e Elbasanit dhe shoqëria mund të penalizohej me gjoba dhe sanksione të tjera të rënda, të parashikuara në kontratë,” vlerëson gjykata.
Gjykata shton se vetë Bashkia e ka njohur me vendimin për shtesën e kontratës të 2010-ës se volumi ka qenë më i lartë nga se ka qenë përcaktuar në kontratë, por kompania duhet të dëmshpërblehet për punën jashtkontraktore të kryer.
Gjykata cakton një grup prej tre ekspertësh kontabël dhe mjedisor për të përcaktuar dëmin e shkaktuar ndaj Victoria Invest, të cilët vlerësojnë se sasia e mbetjeve urbane të gjeneruara çdo ditë në Elbasan është mbi 120 ton në ditë. Vlerësimi i ekspertëve të gjykatës është mesatarisht 20 ton më i lartë se vlerësimi i komisioneve të ngritura nga bashkia. Sipas aktit të ekspertimit të përpiluar nga ekspertët, diferenca midis kontratës dhe punës së kryer nga Victoria Invest ishte 80 milionë lek deri më 5 janar 2011 dhe 28,829 lek për çdo ditë më pas.
Bashkia e kundërshton vlerësimin e ekspertëve si teorik, duke nënvizuar se konkluzioni i tyre bazohet në një studim të Ministrisë së Mjedisit, i cili ndryshe nga këta të fundit e nxjerr sasinë e mbetjeve të gjeneruara në qytetin e Elbasanit në 88 ton çdo ditë.
Në padinë e saj Victoria Invest kërkon begatim nga Bashkia Elbasan edhe për kostot e rritjes së pagës minimale për një vlerë për 13.6 milionë lek si dhe të çmimit të kaburantit për një vlerë prej 5.9 milionë lek.
Në përfundim të shqyrtimit me datë 7 prill 2014, gjyqtari Tafa shpall vendimin, duke pranuar pjesërisht padinë e Victoria Invest dhe vendos t’i akordojë kësaj të fundit një dëmshpërblim prej 80,030,574 lek.
Tërheqja nga ankimimi
Sipas vendimit nr. 355 të Këshillit të Ministrave të datës 2 qershor 1998, “Për procedurat për zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që prekin buxhetin e shtetit”, si dhe akte të tjera nënligjore në këtë drejtim, të gjitha institucionet buxhetore “janë të detyruara të marrin pjesë në të gjitha shkallët e gjykimit dhe të mbajnë përgjegjësi për rezultatin e tyre.”
Bashkia e Elbasanit nuk përbën përjashtim nga ky vendim. Por me gjithë detyrimin ligjor për ta ndjekur vendimin e Gjykatës së Elbasanit në të gjitha shkallët e gjyqësorit, Bashkia e Elbasanit ka dështuar ta apelojë atë.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që kjo Bashki fillimisht e ka ankimuar vendimin që e detyronte t’i paguante kompanisë Victoria Invest dëmshpërblim prej 80 milionë lekë, por më vonë e ka tërhequr ankiminin e saj.
Kundrejt vendimit civil nr. 470 të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, Bashkia Elbasan ka paraqitur një kërkesë ankimore me datë 28 prill 2011. Megjithatë, me një kërkesë të re të protokolluar me 2 maj 2011, bashkia i ka kërkuar gjykatës si palë e paditur që ta tërheqë anikimimin e saj.
Me datë 5 maj 2011, gjyqtarja Miranda Çekrezi, ka njohur me anë të një vendimin gjyqësor të drejtën e Bashkisë Elbasan, si palë e paditur për t’u tërhequr nga akimimi. [Kliko këtu për vendimin]
Në bazë të ligjit mbi të drejtën e informimit, BIRN iu drejtua gjithashtu Gjykatës së Apelit Durrës për të hulumtuar nëse kishte marrë një ankimim për çështjen. Gjykata e Apelit Durrës gjithashtu mohoi të ketë marrë një ankimim për çështjen.
“Nuk ka mundësi dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që të paraqitet ankimi bashkë me dosjen dhe të mos gjykohet çështja në Gjykatën e Apelit,” tha ajo.
Kërkesa në Gjykatën e Lartë
Dështimi i Bashkisë për të apeluar çështjen evidentohet gjithashtu në një raport auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2014. Pas kontrollit të KLSH-së, i cili e udhëzon Bashkinë që të ndjekë çdo hap ligjor të mundshëm për të apeluar, Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini i drejtohet Gjykatës së Lartë me një kërkesë për rishikim vendimi.
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës së Lartë, Sejdini nënvizon që vendimi civil i gjykatës së Shkallës së Parë nuk bazohet në fakte, madje ankohet se ajo ka favorizuar në mënyrë të padrejtë paditësin. [Kliko këtu për të shkarkuar kërkesën e Sejdinit]
“Në gjykimin e çështjes në themel, gjykata i është referuar sasive të mbetjeve urbane të pretenduara nga paditësi si të kryera dhe në bazë të tyre ka vendosur, madje duke marrë përsipër rolin e ekspertit mjedisor, kur në arsyetimin e saj përcakton se gjatë fundjavave apo në periudhën e verës sasia e mbeturinave është më e madhe!!!! Nga e nxjerr gjykata një konkluzion të tillë?? Përveçse nga dëshira për të argumentuar ajo vetë pretendimet e paditësit,” shkruan Sejdini.
“Theksojmë se përcaktimi i volumeve mesatare ditore të largimit të mbetjeve urbane nuk mund të përcaktohet thjesht nga një matje ditore pasi sasia e këtyre mbetjeve ndryshon në varësi të stinës, të motit, të ditëve të veçanta të vitit, etj. Vetë fjala mesatare e presupozon matje në kohë të ndryshme. Në këto kushte pretendimet e paditësit janë të pasakta, “ shton ai.
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës së Lartë, Sejdini pranon që vendimi civil i Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan ka marrë formë të prerë dhe se mosankimimi i këtij vendimi ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Megjithatë, ai i kërkon gjykatës ta pezullojë vendimin dhe ta kthejë çështjen për rigjykim me një trup tjetër gjykues.
“Duke qenë se kanë kaluar të gjitha afatet për apelimin e këtij vendimi dhe duke qenë se Bashkia Elbasan nuk ka shlyer të tërë detyrimin pasi është vendosur shlyerja me këste, kërkoj prishjen e vendimit 790 dhe rikthimin e çështjes për rigjykim me një trup tjetër gjykues,” shkruan Sejdini.
Përveç dështimit të bashkisë për të apeluar padinë civile për begatim, në auditin e saj të qershorit 2014, KLSH gjen gjithashtu të tjera shkelje në marrëdhënien e Victoria Invest me Bashinë Elbasan. Në raportin përfundimtar të auditimit që shoqëron vendimin nr. 78 dt. 30.06.2014, KLSH i kërkon Bashkisë që të kërkojë dëmshpërblim nga subjekti Victoria Invest me vlerën 4.7 milionë lekë pasi për periudhën prill-dhjetor 2012 dhe gjatë vitit 2013, ka manipuluar sasinë e mbetjeve që ka transportuar drejt vendgrumbullimit. KLSH ka kërkuar që Bashkia të arkëtojë këtë shumë nga kompania. [Kliko këtu për raportin e KLSH-së]
Duke marrë parasysh rekomandimin, kryebasëhkiaku Qazim Sejdini ka kërkuar nëpërmjet një urdhri kthimin e parave për periudhën e lënë detyrë nga KLSH prej kompanisë Victoria Invest. Kjo kërkesë bën që kompania Victoria Invest t’i drejtohet Gjykatës Administrative Durrës për ta kundërshtuar.
Në padinë dorëzuar gjykatës administrative në dt. 09.12.2014, kompania kërkon shfuqizimin e aktit administrativ të bashkisë Elbasan me objekt zhdëmtimin në vlerën 4.7 milionë lekëve si përfitim i padrejtë për grumbullimin të një sasie më të vogël mbetjesh se sa të nënshkruar në kontratë.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë i tha BIRN se në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së bashkisë Elbasan për rishikimin e vendimit të formës së prerë për padinë e Victoria Invest, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në dhomë këshillimi më dt. 09.03.2015 ka vendosur “mospranimin e kërkesës së paraqitur nga pala kërkuese Bashkia Elbasan.” Vendimi mban numrin 611.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.