Autoritetet policore në Kosovë dhe punonnjës të EULEX po hetojnë 40 persona, të dyshuar për anëtarë të një organizate kriminale, ku deputeti i partisë në pushtet dhe ish komandanti i UÇK Azem Syla dyshohet se drejtonte. Ata akuzohen se kanë përvetësuar sasi të mëdha toke publike.
Policia në Kosovë arrestoi gjashtë njerëz si pjesë e një hetimi mbi një skemë të dyshuar përvetësimi tokash me një kosto prej 30 milionë eurosh, njoftoi zyra e prokurorisë të mërkurën.
Azem Syla, një deputet i rëndësishëm i partisë në pushtet, dyshohet se është udhëheqësi i mashtrimit që përfshin rreth 40 vetë, tha misioni policor i BE-së në Kosovë.
Pasi policia bastisi shtëpinë e Sylës, ai nuk u gjet. Ai gjithsesi iu përgjigj një telefonate nga policia, të cilës i tha se gjendej në Shqipëri. Policia i tha se duhej të shkonte për t’u marë në pyetje në Prishtinë.
Më shumë se 300 policë kryen kontrolle në 42 vende dhe arrestuan së paku gjashtë të dyshuar në operacion.
Prokuroria thotë se po heton për përvetësim pronash publike, krim të organizuar, pastrim parash, falsifikim dokumentesh, korrupsion dhe mashtrim. Grupi dyshohet se ka gjithashtu lidhje me kriminelë serbë.
“Anëtarët e këtij grupi rrëmbyen prona publike të Kosovës me vlerë 30 milionë euro,” thotë deklarata e policisë.
Deklarata thoshte se si pasojë e këtyre aktiviteteve kriminale, familjet serbe të Kosovës kishin humbur pronat e veta.
Shumë nga personat e shpallur në kërkim janë ish zyrtarë, përfshirë Nuhi Kuka, ish kryetar i Gjykatës Penale të Prishtinës dhe Safedin Haxhiu, ish drejtor i hipotekës së Prishtinës.
Kryebashkiaku i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se arrestimet janë të vonuara.
“Nga ndërtimet ilegale te keqpërdorimi i pronës publike… faktet janë të shumta. Ne kemi bërë kallëzime penale dhe kërkojmë hetime urgjente,” tha ai.
Megjithëse prokuroria deklaroi se kishte kërkuar për Sylën si i dyshuar për kryetar të grupit, fakti është që ai nuk dukej se po fshihej së paku deri në fillim të kësaj jave.
Të hënën, Kadri Veseli, kryetar i partisë PDK në pushtet dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, pati postuar një foto në Facebook ku ai shfaqet bashkë me Sylën në inaugurimin e një shkolle, krahas kryeministrit Isa Mustafa dhe Ministrit të Arsimit Arsim Bajrami.
Qeveria nuk ka shpjeguar nëse e dinte apo jo faktin se për Sylën qe lëshuar një urdhërarresti në atë kohë.
Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetar i PDK-së dhe, si Syla e Veseli, ish komandand i UÇK, tha se e miratonte operacionin e policisë.
“Unë e mbështes aksionin e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatimit të ligjit,” tha ai, duke shtuar se lufta kundër krimit të organizar qe kyçe në ndërtimin e një shteti të drejtë dhe demokratik, kyçe për të ardhmen europiane të Kosovës.
Në shkurt, autoritetet e Kosovës publikuan një listë me prona publike të uzurpuara dhe emrat e rreth 170 emrave të personave të dyshuar si uzurpues. Gjithsesi, një hetim i BIRN zbuloi se uzurpuesit e njohur si të lidhur me PDK-në nuk qenë përfshirë në këtë listë.
Rastet e uzurpimit dhe keqpërdorimit të pronave publike nga ish komandantët e UÇK-së u rikthyen në vëmendjen e publikur pasi një grup komedianësh realizuan në film të shkurtër të quajtur “Plani Strategjik”.