Pavarësisht provave, qeveria rumune vazhdon të refuzojë pranimin e faktit se CIA kishte në dispozicion një ndërtesë paraburgimi në Bukuresht ku u torturuan të burgosur të dyshuar si me lidhje terroriste.
Në një lagje periferike të Bukureshtit ndodhet një ndërtesë me pamje zyrtare që valëvit një flamur të NATO-s.
Emri, Zyra e Regjistrit Kombëtar për Informacion të Klasifikuar, ORNISS, është shkruar në një formë të pjerrët që nuk ngjall kuriozitet dhe vendndodhja është e mjaftueshme për të bindur kalimtarët për mungesën e rëndësisë.
Megjithatë, nëse do të besoheshin provat disavjeçare të OJQ-ve hetuesve ndërkombëtarë, gazetarëve dhe Senatit Amerikan, nga viti 2003 deri në 2005 kjo ndërtesë me pamje të zakonshme strehoi një qendër “të errët” paraburgimi, ku Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA torturoi të burgosur të rëndësishëm të “Luftës mbi Terrorizmin”, duke përdorur teknika të marrjes në pyetje që shkelnin ligjet e të drejtave ndërkombëtare dhe europiane të njeriut.
Pavarësisht informacionit nga disa burime të besueshme rreth zonës së errët të Bukureshtit dhe të atyre që ndodhën atje, qeveria rumune vazhdon ta mohojë ekzistencën e saj.
Por nuk është shumë vonë që vendi të hetojë atë që ndodhi realisht një dekadë më parë dhe të zbulojë se ku mund të kenë përfunduar miliona dollarë për mbrojtjen e sekreteve të SHBA-së.
Investigimi i Martit
Në nëntor 2005, OJQ-ja e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch identifikoi e para Poloninë dhe Rumaninë si vende ku zbrisnin fluturimet sekrete të CIA-s nga Afganistani, duke shoqëruar një raportim të mëparshëm nga Washington Post që pretendonte për qendra sekrete të paraburgimit në Europën Lindore.
Menjëherë më pas, parlamenti i Këshillit të Europës hapi një hetim për akuzat drejtuar nga senatori zviceran Dick Marty. Raportet përfundimtare, bazuar në mijëra regjistra të fluturimeve dhe “konfirmim të qartë dhe të detajuar” nga zyrtarë të lartë në SHBA dhe Rumani, arritën në përfundimin se “tani kishte prova të ndërtesave sekrete të paraburgimit të drejtuara nga CIA në Poloni dhe Rumani”.
Marty dhe skuadra e tij e hetuesve folën me burime nga qeveria amerikane të cilët thanë se Rumania ishte zgjedhur si vend për të mirëpritur një qendër paraburgimi të CIA-s ose një “zonë të zezë” sepse “ekipi ynë e njihte zonën”, prej bashkëpunimit me Bukureshtin gjatë Operacionit Liria e Irakut.
Gjithashtu, sipas Hetimit Marti, si vende aspirante për NATO, Rumania po përpiqej ta orientonte veten më shumë drejt SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, si pjesë e strategjisë së rindërtimit të çuar përpara nga qeveria e Iliescut.
Në vitin 2006, përfaqësuesi rumun në PACE, Gyorgy Grunda pranoi në një debat plenar: “Ne punuam direkt me partnerë të CIA-s në krijimin e burgjeve këtu”.
Duke bashkëpunuar me CIA-n, sipas Investigimit Marty, qeveria rumune mund të tregonte besnikëri ndaj Shteteve të Bashkuara dhe të ndërtonte marrëdhënie që do të lehtësonin hyrjen e saj në NATO.
Por përveç konsideratave politike, duket se ka një faktor tjetër që e bëri Rumaninë një vend ideal për pritjen e një “zone të zezë”: gatishmëria e qeverisë për të pranuar para dhe investime në shkëmbim të shkeljes së ligjit.
Sipas një burimi amerikan në raportin Marti, premtimet e përmirësimeve të barrakave, pistës së avionëve dhe gjërave të ngjashme “u vlerësuan shumë”.
Por nuk ishte vetëm investim ushtarak: Siç do ta zbulonte edhe hetimi i Senatit Amerikan mbi zonat e errëta të CIA-s, qeveria rumune mori miliona dollarë për ndihmën.
‘Raporti i Torturës’
Në dhjetor 2014, Komiteti i Përzgjedhur i Inteligjencës pranë Senatit Amerikan publikoi një raport voluminoz, që theksoi zbulimet e një investigimi disavjeçar mbi programin e marrjes në pyetje dhe të paraburgosje së CIA-s, i cili nga shtypi u pagëzua shumë shpejt si Raporti i Torturës.
Raporti analizoi në aspektin kritik metodat e CIA-s dhe doli në përfundimin se përdorimi i metodave të tepruara të marrjes në pyetje, nuk kishte prodhuar asnjë të dhënë të dobishme për luftën ndaj terrorizmit dhe më keq akoma, kishte shkelur marrëveshjet ndërkombëtare dhe disa ligje vendase.
Megjithëse raporti identifikon vetëm zonat e zeza të CIA-s me emra të koduar dhe është shumë i redaktuar, analiza e thelluar dhe krahasimi i fakteve nga OJQ-të dhe gazetarët ka zbuluar vendndodhjen e zonave përfshirë zonën “e zezë” në Rumani.
Referenca të Zonës së Zezë të Paraburgimit gjenden edhe në raport.
Në vitin 2002, CIA arriti një marrëveshje me Rumaninë për të pritur një zonë paraburgimi dhe shpejt pas kësaj ftoi stacionin lokal të CIA-s të gjejë mënyra për të “treguar se ne e vlerësojmë thellësisht bashkëpunimin dhe mbështetjen”.
Në përgjigje ata morën një “listë dëshirash” për një shumë të pazbuluar milionësh, që CIA më pas i dha duke shtuar një sasi të pacaktuar milionësh në “subvencione”.
Pas kësaj, të paraburgosurit u transferuan aty dhe ishin subjekt i “teknikave të tepërta të marrjes në pyetje” si izolimi afatgjatë dhe teknika të ushqimit nga zorra e trashë.
A mund t’i referohet “subvencioni” në këtë pjesë të raportit të njëjtës gjë me “investimin material” në pajisje ushtarake që zbuloi investigimi Marti dhe jo një marrëveshje të ndarë parash. Duket e pagjasë.
Në Poloni, ku prania e një baze të zezë të CIA-s është krijuar me ligj, një zyrtar zbuloi për Uashington Post se Shërbimi Polak i Inteligjencës mori 15 milionë dollarë në dorë.
Menduam se programi “kishte më tepër para se sa mund të shpenzonim dhe rezultoi e vërtetë”, u shpreh një zyrtar.
Por marrësi rumun i fondeve të CIA-s është edhe sot e kësaj dite i paqartë.
Në vitin 2014, ish-kreu i Shërbimit Rumun të Inteligjencës, Ioan Talpes konfirmoi pretendimet e Raportit të Torturës se CIA kishte “të paktën” një qendër paraburgimi në tokën rumune, duke i thënë Spiegel Online se bashkëpunimi lidhej me aspiratat e vendit në NATO, pa përmendur shkëmbimin e fondeve.
Ion Iliescu, president nga 2000-2004, pranoi për Der Spiegel në 2015 se ai i dha CIA-s një vend për përdorim vetjak – një pozicion që ai më vonë tërhoqi në një blog personal.
Të dyja këto pranime erdhën vite pasi Komiteti Hetues i Senatit Rumun arriti në përfundimi se vendi nuk kishte pritur asnjë nga fluturimet sekrete të CIA-s apo ndonjë qendër paraburgimi – një pozicion që e mban edhe sot.
Rasti i Al-Nashiri
Raporti i Torturës nga Senati është shumë i qartë rreth investimeve të mëdha dhe bashkëpunimeve sekrete të ndërmarra nga CIA dhe vlerës së tyre për SHBA-në: ato nuk ia vlejtën.
Por bashkëpunimi ende mund të përfundojë duke i kushtuar Rumanisë shumë. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ECHR, do të publikojë së shpejti vendimin e saj mbi rastin e al Nashiri përkundrejt Rumanisë, në të cilin Rumania akuzohet nga një ish i burgosur në Zonën e Zezë për shkelje të të drejtave të tij duke lejuar CIA-n ta torturojë në tokën rumune.
Një version i mëparshëm i rastit solli shumë akuza kundër qeverisë polake dhe gjykata në 2014 vendosi se Polonia kishte shkelur Konventën Europiane dhe e urdhëroi vendin të paguante 100,000 dollarë dëme për Al-Nashirin dhe një ish të burgosur tjetër, Abu Zubaydah.
Nëse ECHR zbulon se ashtu si në Poloni, Rumania bashkëpunoi me Shtetet e Bashkuara për të lejuar tortura në Bukuresht, a do ta marrë qeveria mundimin të zbulojë të vërtetën e asaj që ndodhi dhe milionat e eurove që dyshohet se u morën?
Kërkesat ndaj Drejtorisë Kombëtare Kundër Korrupsionit në Rumani, nuk morën përgjigje por shoqëria civile ka dyshime.
“Ky lloj sekreti është i përgjithshëm në Rumani,” tha Maria-Nicoleta Andreescu nga organizata APADOR-CH, duke theksuar se ajo dyshon që ndonjë investigim zyrtar të ketë ndodhur.
Diana Olivia Hatneanu, e cila shërbeu si pikë kontakti për çështjen e al-Nashiri në nivel lokal, u shpreh se ka pak gjasa që çështja e rolit të Rumanisë të zgjidhet: “Publiku nuk ka interes. Nuk ka presion,” tha ajo.
Mohimi i vazhdueshëm i Rumanisë për rolin e saj në programin e paraburgimit të CIA-s jep sinjale zhdekurajuese për dy çështje që janë shumë të rëndësishme për vendin: shumat e mëdha të parave të marra për shkelje të ligjit dhe gatishmërinë e qeverisë për të marrë përsipër gabimet e të shkuarës.
Me mijëra njerëz që dolën në protesta në rrugë kundër korrupsionit jo më pak se një vit më parë, koha nuk mund të jetë më e përshtatshme që Rumania të pranojë rolin e saj në tortura dhe të thotë të vërtetën për atë që mori në këmbim për ndihmën ndaj SHBA-së.