Policia dhe prokuroria rumune bënë kontroll në selinë e Radios Publike Kombëtare me dyshimin se anëtarë të bordit i kanë dhënë kontrata të afërmve të tyre.
Policia e Drejtorisë së Krimit Ekonomik në Rumani dhe prokurorët kryen kërkime në selinë e Radios Publike Kombëtare të Rumanisë të enjten.
Hetimi kishte në fokus disa anëtarë të bordit administrativ të radios shtetërore, të dyshuar se kishin abuzuar me detyrën dhe se kishin vepruar në konflikt interesi.
Burimet zyrtare të zyrës së prokurorit të Bukureshtit thanë se hetimi lidhej me kontrata që dyshohet se i janë dhënë kompanive të kontrolluara nga anëtarë të bordit administrativ përmes të afërmve të tyre. Dëmet vlerësohen të arrijnë 90,000 euro.
Burimet nga gjyqësori thanë gjithashtu se prokurorët kërkuan zyrën e një agjencie turistike në Bukuresht si pjesë e të njëjtit investigim dhe se 11 fletëthirrje paraqitjeje për marrje në pyetje janë lëshuar.
Radio Publike Kombëtare konfirmoi kërkimet, por nuk preferoi të bënte deklarata të tjera.
Drejtuesit e stacionit janë akuzuar për abuzim me pushtetin nga dissa punonjës aktualë dhe të mëparshëm gjatë viteve të fundit.
Në fund të vitit 2015, menaxheri i stacionit rajonal të Timisoara në Rumaninë perëndimore dërgoi disa letra te parlamenti, kryeministri dhe presidenti duke pretenduar se ishin lidhur kontrata të jashtëligjshme dhe se kishte patur abuzim me pushtetin.
Mes të tjerave, në të përmendej rritje e pabarabartë pagash dhe pushim nga puna i disa punonjësve “të parehatshëm”.
Disa prej këtyre ish-punonjësve shkuan në gjykatë dhe fituan të drejtën për t’u rikthyer në punë. Institucioni duhej të paguante një vit rroga për të gjithë personat e pushuar nga puna.
Në gusht, bordi administrativ gjithashtu u akuzua për pagesa të pajustifikuara parash, rreth 100,000 euro për 15 instrumente muzikore të marra përmes prokurimit publik.
Gjatë një auditi në shtator 2016, u raportua se kishte parregullsi në mënyrën se si anëtarë të bordit administrativ po paguheshin përmes kontratave të shërbimit, që është në kundërshtim me ligjin.
Ndryshe nga televizioni publik në Rumani, që ka borxhe të mëdha, radioja shtetërore ka deklaruar përfitime në pesë vitet e fundit.