Publikimi i një investigimi mbi fabrikat e veshjeve në Europën Lindore çoi në telefonata anonime, presion ligjor dhe me një tur nëpër fabrikën ku më urryen dhe më paditën.
Publikimi i një investigimi mbi fabrikat e veshjeve në Europën Lindore çoi në telefonata anonime, presion ligjor dhe me një tur nëpër fabrikën ku më urryen dhe më paditën.
Në fillim të këtij viti, publikova një investigim për industrinë e veshjeve. Historia zbulonte se edhe brenda Bashkimit Europian disa punonjëse përballeshin me paga të ulëta dhe nuk paguheshin në kohë, ndërsa kushtet e punës ishin shumë të këqija. Historia u përqendrua te disa fabrika në Rumani që mburreshin se punonin me marka të mëdha ndërkombëtare. Shumë punonjës u trembën se do të humbnin vendin e punës duke folur me mua, por disa ishin mjaft të guximshëm dhe më treguan.
Rezultoi se publikimi i një investigimi nuk ishte fundi i historisë. Fillova të marr telefonata kërcënuese anonime. Një burrë i ra derës sime dhe më kërkoi. Pretendoi se ishte nga bashkia por refuzoi ta identifikonte veten.
Në një fabrikë, shefat i thanë punëtorëve se mund të humbnin vendin e punës për shkak se historia ime kishte bërë disa marka të tërhiqeshin nga bashkëpunimi me ta. Ndaj punëtorët morën pjesë në një protestë kundër artikullit tim, me arsyen se një punë e paguar keq ishte më mirë se mungesa e një pune. Por disa marka të mëdha mohuan pretendimet e shefave ndaj duket se punonjësit janë keqinformuar.
Pastaj, në fund të majit, e njëjta fabrikë, Maglierie Cristian Impex e zotëruar nga italianët, nisi një padi ligjore kundër meje. Ajo është një nga fabrikat më të mëdha të veshjeve në Rumani, me rreth 900 punëtorë. I vetmi punëdhënës i rëndësishëm industrial në Calafat të Rumanisë jugore, fabrika mori financim nga Bashkimi Europian në 2012 “për të shtuar konkurrencën ekonomike”.
Në padinë e saj, kompania pretendoi se i kisha dëmtuar reputacionin dhe shkaktuar humbje financiare. Në të ajo e përshkruante veten si një prodhues cilësor për “marka të njohura si Lacoste, Zara, Escada, Massimo Dutti, Tommy Hilfiger, Strellson, Calvin Klein, Brax, etj”.
Kompania kërkoi 45,000 euro dëme nga unë (rroga mesatare në Rumani është 420 euro në muaj) dhe zbulim të identitetit të burimit tim kryesor.
Nëse merresh me gazetari investigative, pret që në një pikë të të padisin. Por kjo ishte hera e parë për mua – dhe asgjë s’më kishte përgatitur për atë që do të ndjeja.
Mëngjesin pasi mësova për padinë, u zgjova në panik. Po sikur fabrika të më kishte dërguar një koment për ta përfshirë në histori dhe unë të mos e kisha parë? Kërkova emailet e mia por nuk gjeta asgjë. Thellë brenda vetes nuk u çudita. Kisha provuar shumë mënyra për ta kontaktuar kompaninë për koment gjatë disa muajve, por pa dobi.
“Paditë janë mënyra më e mirë për të sprapsur gazetarët, ato marrin kohë, para dhe nerva,” tha Bogdan Gaurean, një avokat në Bukuresht që ofroi të më ndihmonte me çështjen time falas.
Edhe pse kisha besim se të gjitha faktet ishin në anën time, përgatitja e mbrojtjes qe një detyrë e rëndësishme. Mu desh të kaloja nëpër të gjithë materialin që kisha mbledhur gjatë një viti, rreth 55 GB shënime, regjistrime dhe foto, të barazvlefshme me 10 filma HD. Mu desh të bëja anonime dhjetëra biseda në Facebook me burimet e mia, të bëja transkript të të gjitha regjistrimeve të mia të lidhura me fabrikën dhe të gjeja dëshmitarë për gjyqin.
Në qershor, ndërhyri edhe Fushata Rroba të Pastra (CCC), një organizatë ndërkombëtare që promovon të drejtat e njeriut të punëtorëve të veshje. Ajo i dërgoi një letër kompanive të njohura që kanë përdorur fabrikën, duke u bërë thirrje atyre të ushtrojnë presion mbi pronarët e saj për të rrëzuar padinë. Të paktën dy firma të mëdha veshjesh si Inditex, e cila zotëron markat Zara dhe Massimo Dutti, e bënë këtë.
Në fund të korrikut, padia u tërhoq dhe disa javë më vonë udhëtova në Calafat me një koleg, të dy të etur për të zbuluar se si ishin punët për punëtorët tani.
Ne arritëm rreth orës 8 të mbrëmjes në shtëpinë e një punonjëseje të përfshirë në historinë time, me pseudonimin Kristina. Kur Kristina u kthye në shtëpi nga puna, ajo kishte disa lajme të mira. Punëtorët dikur punonin me turne 12-orëshe, ditë e natë – por sipas saj nuk e bënin më këtë. Tani ata bënin një ditë të rregullt pune prej tetë orësh dhe mund të vendosnin të qëndronin jashtë orarit duke u paguar një euro (4.5 lei) ora.
Në kuzhinë kishte një dritare të re me xham të dyfishtë dhe një televizor që nuk kishin qenë më parë atje. Por Kristina na tha gjithashtu një histori që njihet. “Mundëm ta merrnim pak veten kur mora paratë për të cilat kisha punuar,” tha ajo. Një nga problemet e dokumentuara në artikullin tim ishte se punëtorët nuk merrnin as rrogat e tyre të ulëta në atë kohë. Kristina më tha se ky ishte ende një problem. Pagat mund të na hidhen edhe tre muaj me vonesë, tha ajo. Inspektoriati i Punës e gjobiti fabrikën në shkurt 2016 për vonesë rrogash.
Pas protestës ndaj artikullit tim dhe një përpjekje nga fabrika për të gjetur burimet, gjërat dukeshin se u përmirësuan, tha Kristina. Punëtorët filluan të merrnin rregullisht rrogat, mund të punonin më pak orë dhe iu bashkuan punëtorë të rinj.
“Është për shkak të inspektorëve,” tha Kristina. Çdo muaj, sipas saj, inspektorët nga markat hynin në fabrikë dhe filmonin dhe intervistonin punëtorët. Një supervizor i ri tha se një nga markat ishte zemëruar kur kishte zbuluar se punëtorët nuk paguheshin në kohë dhe gjërat do të ishin ndryshe tani, kujtoi Kristina.
Kur ne e vizituam Kristinën, inspektimet duket se kishin ndaluar. Dhe sipas tre punëtorëve, po ashtu edhe pagesa e rrogave në kohë.
Në një email më 10 nëntor 2016, fabrika pranoi se i kishte paguar rrogat vonë këtë vit dhe vjet, por tha se këto vonesa ishin për shkak të vonesave në pagesat nga klientët. Ajo nuk u përgjigj për dhënien e emrit të klientëve ndaj pretendimi nuk mund të verifikohet.
Vizita në fabrikë
Të nesërmen pasi mbërritëm te Kristina, shkuam në fabrikë me shpresën se do të gjenim shefat e saj më të hapur se më parë për të folur.
U takuam me Gianluca Mantovani, një nga pronarët italianë. I veshur me xhinse dhe një këmbishë blu polo, Mantovani fillimisht nuk deshi t’i përgjigje pyetjeve tona. “Nuk jap intervista dhe ju ndaloj të shkruani për fabrikën,” deklaroi ai.
Mantovani gjithashtu na tha se pagat ishin një muaj me vonesë.
Menaxheri i fabrikës, Marian Pasat, shpjegoi se kishte qenë shumë e vështirë për firmën të konkurronte me prodhuesit aziatikë.
Për shembull, tha ai, Inspektorati i Punës e gjobiti firmën për shkak se punëtorët po bëjnë orë shtesë – por nëse punëtorët nuk punojnë gjatë atyre orëve, fabrika do të duhet të mbyllet për shkak se markat duan sasi të mëdha të prodhuara shpejt. Ai tha gjithashtu se fabrika i paguan punëtorët deri në dyfishin e pagës minimale. Por ai nuk ofroi dokumente për ta provuar këtë.
Pra, nëse ata ishin kaq të mërzitur për artikullin tim, pse e rrëzuan padinë?
“Kishim presion nga markat, na kërkonin t’i jepnim fund gjyqit,” tha Mantovani disa herë.
Së fundmi, dy burrat na bënë një tur në fabrikë, megjithëse nuk u lejuam të fotografojmë, të regjistrojmë audio apo video.
Ne hymë dhe dolëm nga dhoma të mëdha me punëtorë që qepnin, kontrollonin dhe hekurosnin veshje me në sfond makinat qepëse dhe lavatriçet. Gjatë turit 15 minutësh, nuk pamë asgjë që nuk shkonte. Ishte e pamundur të arrije në përfundime.
Mantovani dhe Pasat ftuan tre punonjës të flisnin me neve. Ata u rreshtuan dhe ne u ulëm në një divan në zonën e recepsionit të fabrikës. Një burrë që dukej se ishte te të tridhjetat erdhi i pari. Ai u përkul dhe filloi të fliste me zë të ulët. Një përfaqësues i elektriçistëve dhe shoferëve, ai tha se problemi më i madh i kolegëve të tij ishin orët shtesë të punës – ata donin më shumë, që të paguheshin më shumë.
Pastaj erdhi një grua që përfaqësonte punëtorët që bënin format prototip. Ajo pranoi se njerëzit ishin të zemëruar se nuk i merrnin rrogat në kohë por “kuptonin situatën, pasi jo të gjithë marrin çdo gjë që duan, edhe në shtëpi”. Ajo tha se gjërat në fabrikë ishin në rregull për të: ajo kishte punuar aty prej 14 vjetësh dhe kishte marrë një rrogë rreth 377 euro pa taksa dhe 275 euro me taksa të paguara.
Intervista e fundi ishte gjithashtu një punonjëse që përfaqësonte departamentin e kontrollit të veshjeve. Ajo kishte punuar me disa fabrika rumune të veshjeve dhe tha se kjo është më e mira.
“Mjafton të shohësh të tjerët,” tha ajo. “Janë shumë më keq”.
Në sallën e gjyqit
Më 5 tetor 2016, u ula në një sallë gjyqi në qytetin Crainova, ku fabrika kishte ngritur padinë kundër meje. Prita në një stol druri me të tjerë që kishin gjyq atë ditë. Gjykatësja u ul në karrigen e lartë si fron me një flamur rumun në mur.
“E akuzuara, Laura Stefanut”, tha ajo me një zë të lartë.
“Këtu”.
“A je dakord me dhënien fund të këtij gjyqi?”
“Po.”
Ky ishte fundi formal i veprimit ligjor. Por është fundi i historisë? Fabrika mund të provojë të më padisë sërish për këtë artikull. Edhe nëse nuk e bën, do të ketë histori të tjera për të treguar realitetin që fshehin rrobat me etiketë që kërkojnë t’i sigurojnë punëtorët me fjalët “Prodhuar në Bashkimin Europian”.
Laura Stefanut është redaktore në organizatën rumune të lajmeve DIGI24. Ajo e realizoi investigimin e saj për veshjet në kuadër të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente.