Pas gjashtë muajsh hetimesh dhe në limitet e afateve ligjore të lejuara, Prokuroria e Tiranës ndau veçmas hetimet për përgjegjësinë e firmës 3 R dhe të Bashkisë së Tiranës dhe dërgoi në gjykatë fadromistin dhe përgjegjësin e turnit të impiantit të riciklimit të mbetjeve në Sharrë.
Pasi kanë kaluar 6 muaj nga vdekja tragjike e punëtorit 17 vjeçar të punësuar në të zezë Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e plehrave të Bashkisë Tiranë, Prokuroria e Tiranës vendosi të dërgojë një gjyq një fadromist dhe një përgjegjës turni, ndërkohë që administratori i kompanisë 3 R mbetet formalisht “në kërkim” nga policia dhe çështja e përgjegjësisë së tij si dhe e përgjegjësisë së Bashkisë së Tiranës mbi vdekjen e Gjoklajt u ndanë në një dosje tjetër penale.
Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, u gjet i vdekur më 7 gusht 2016 në landfillin e Sharrës. Prokuroria thotë se hetimet zbuluan se 17 vjeçari qe punësuar në të zezë dhe vdiq i goditur nga një fadromë gjatë turnit të natës së 6 gushtit. Fadromisti Edmond Kollari dhe përgjegjësi i turnit të natës Dëfrim Hakrama do të gjykohen për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
“Rezulton se përgjegjësi i turnit që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, shtetasi Dëfrim Hakrama, si edhe fadromisti Edmond Kollari, nuk kanë respektuar rregulloret për mënyrën e punës, si pasojë e të cilave ka mbetur i vdekur shtetasi Gjoklaj”, – thuhet në njoftimin zyrtar të organit të akuzës.
Prokuroria thotë se ishte detyrë e të pandehurit Dëfrim Hakrama, të siguronte nga punonjësit respektimin e rregullave që kanë të bëjnë me punën. “I pandehuri Dëfrim Hakrama ishte ngarkuar me respektimin e rregullave për mbrojtjen e punëtorëve dhe marrjen e masave në zbatim të tyre. Prej tij dhe në përgjithësi në këtë ambient pune nuk figuron të jetë respektuar ndonjë prej rregullave të mbrojtjes në punë të punonjësve, gjë që vendos edhe lidhjen e drejtpërdrejtë me pasojën. Në këto rrethana, nga i pandehuri Dëfrim Hakrama janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, – vijon njoftimi i prokurorisë , sipas të cilit, nëse do të ishin zbatuar rregullat e sigurimit të mbrojtjes në punë, vdekja e Arditit nuk do të kishte ndodhur.
Gjatë hetimeve prokuroria ka zbuluar se fadromisti Edmond Kollari nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për llojin automjetit që drejtonte dhe nuk kishte aftësitë e duhura për ta drejtuar atë, çka dyshohet se është bërë shkak edhe për vrasjen e 17 vjeçarit.
Hetimet i dhanë fund aludimeve se shkaqet e vdekjes së Gjoklajt qenë enigmatike apo të panjohura. Sipas prokurorisë, tashmë është e vërtetuar se 17 vjeçari qe i punësuar prej një muaji në të zezë si punëtor krahu.
Hetime veçmas për firmën dhe për bashkinë
Kompania 3 R pati punuar në impjantin e Sharrës që prej shumë muajsh para ndodhjes së aksidentit, në bazë të një aktmarrëveshjeje me Bashkinë e Tiranës, aktmarrëveshje që qe mbajtur e fshehtë. Kompania përdor punëtorë si Arditi për të ndarë materjalet që kanë vlerë tregtare si metal, plastikë apo karton para se mbetjet të depozitohen përfundimisht.
BIRN pati raportuar se si pjesë e përpjekjeve për të shfrytëzuar mbetjet me vlerë për riciklim në landfillin e Sharrës, Bashkia e Tiranës qe angazhuar prej muajsh në një fushatë të dhunshme kundër grumbulluesve individualë, më së shumti shqiptarë të varfër na komuniteti rom, të cilët nxjerrin jetesën prej vitesh duke grumbulluar skrap apo plastikë nga koshat e plehrave të Tiranës.
Vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, qe shfaqur disa herë publikisht duke deklaruar se riciklimi do të kryhej vetëm në Sharrë si dhe duke ftuar ricikluesit të punonin vetëm në Sharrë.
“Ata që punojnë sot duke zbrazur koshat, bashkia e Tiranës është gati që sot t’u ofrojë një vend pune me pagesë me sigurime shoqërore, jo në të zezë në impiantin e riciklimit në Sharrë,” deklaroi Veliaj në një nga këto dalje.
Por pavarësisht këtij premtimi, për Ardit Gjoklajn, dukshëm nuk pati as sigurime shoqërore dhe as siguri në punë. Një investigim i BIRN pas vdekjes së Gjoklajt, zbuloi se pagesa për 40 ditë punë për 17 vjeçarin qe 23 mijë lekë. Investigimi i BIRN zbuloi gjithashtu se Gjoklaj qe vetëm një nga shumë punëtorë në të zezë në landfillin e Sharrës, një objekt i cili është nën pronësinë e Bashkisë së Tiranës.
Formalisht, hetimet për përgjegjësinë e kompanisë 3 R si dhe të Bashkisë së Tiranës, vijojnë.
“…krahas hetimeve të nisura për vdekjen e 17-vjeçarit, janë duke u zhvilluar hetime edhe për përgjegjësitë e mundshme të kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, bazuar në një kallëzim të dorëzuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike,” deklaroi prokuroria.
Aktmarrëveshja e nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe administratori i kompanisë 3 R, Edurim Teqja tregonte se kompania 3 R do t’i përfitonte mbetjet e riciklueshme pa kundërshpërblim, gjë që pati alarmuar pjesën tjetër të industrisë së riciklimit, të cilat e shihnin këtë marrëveshje si krijimin e një monopoli de facto në tregun e riciklimit.
Tirana është prodhuesja kryesore e mbetjeve me vlerë për riciklim në Shqipëri, veçanërisht plastikës, e cila prodhohet me bollëk për shkak se cilësia e ujit të shpërndarë nga ujësjellësi është e keqe dhe një pjesë e mirë e qytetarëve nuk e konsumojnë për ta pirë.
Ndërkohë, administratori i kompanisë që shfrytëzon landfillin, Edurim Teqja, vijon të jetë person në kërkim, i shpallur nga policia menjëherë pas gjetjes së trupit të pa jetë të Ardit Gjoklajt. Ai nuk u përball kurrë me drejtësinë dhe pse prokuroria thotë se po vijon hetimet.