Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi të martën nga detyra dhe filloi procedimin disiplinor për gjyqtaren e Elbasanit, pasi dyshohet se ka kryer akte dhe sjellje që diskretitojnë figurën e gjyqtarit.
Pezullimi i gjyqtares Fetahu vjen pas publikimit në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan me 31 janar 2017, të një numëri përgjimesh të një qytetari me gjyqtaren dhe një punonjës policie.
“Nga shqyrtimi paraprak i ngjarjës së transmetuar, të dokumentuar në relacionin e shqyrtimit paraprak të ankesës publike të datës 2 shkurt 2017, është konstatuar se ka vend për verifikimin e dy çështjeve,” shkruhet në urdhërin e KLD-së për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares.
KLD-ja vlerëson se nga biseda e përgjuara midis qytetarit dhe punonjësit të policisë, lindin dyshime se Fetahu ka marrë para në këmbim të marrjes së një vendimi në favor të qytetarit.
Ky dyshim konfirmohet edhe nga një bisedë e regjishtrua midis denoncuesit dhe gjyqtares në zyrën e saj në vitin 2016.
“Kjo gjyqtare në shkelje të të gjitha rregullave ka zhvilluar takime jashtëgjyqësore me një palë ndërgjyqëse, ndërkohë që po zhvillonte një proces gjyqësor,” shprehet KLD-ja.
“Nga përmbajtja e bisedës ngrihen dyshime se gjyqtarja Pajtime Fetahu pranon se ka patur dhe ka pranuar ndërhyrje të papërshtatshme për zgjidhjen e çështjes gjyqësore. Në këto biseda ajo ka përdor shprehi të papërshtatshme për figurën e gjyqtarit,” shton KLD.
Për arsyet e mësipërme, Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares Fetahu.