Mbyllja e procesit të zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave me këmbim postesh mes Gudar Beqirajt dhe Myzafer Korkutit-drejtues prej vitit 2009 të institucionit, rrezikon ta lënë atë pa fondet buxhetore.
Me 28 vota pro dhe 3 kundër, Gudar Beqiraj u zgjodh të hënën kryetar i Akademisë së Shkencave, duke shkëmbyer postin me kryetarin e deritanishëm, Myzafer Korkuti, i cili zbriti në pozicionin e zëvendës kryetarit. Si Beqiraj ashtu edhe Korkuti ishin kandidatët e vetëm në konkurrim-dyshja drejton me rotacion Akademinë e Shkencave në Shqipëri prej vitit 2009.
Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë realizuar vazhdimisht në hije, por procesi i këtij viti u shoqërua me një debat publik për shkak se akademiku Artan Fuga i cilësoi ato si farsë dhe kërkoi reformim të institucionit përmes një letre publike për kryeministrin Edi Rama.
Mëngjesin e së hënës, në debat u përfshi edhe Rama, i cili fillimisht kërkoi ndalimin e zgjedhjeve farsë dhe më pas paralajmëroi se do t’i priste fondet këtij institucioni, përmes dy postimeve në Facebook.
“Meqë ‘Akademia’ zgjodhi farsën, uroj të gjejnë edhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor,” shkroi Rama në Facebook.
E krijuar prej vitit 1972, Akademia e Shkencave është një institucion buxhetor, i cili parashikohet t’i sigurojë të ardhurat e veta përmes fondeve buxhetore, pjesmarrjes në projekte dhe të ardhurat nga dhuratat, sponsorizimet apo subvencionet. Megjithatë, bilanci i vitit 2016 tregon se ky institucion ka marrë 96 milionë lekë nga buxheti dhe zero lekë nga të ardhurat e tjera.
Paralajmërimet e kryeministrit për prerjen e buxhetit nuk u shoqëruan megjithatë nga ndonjë reagim prej Beqirajt.
“ Unë jam legjitim në këtë post, pasi më votuan shumica e anëtarëve dhe derisa statuti e pranon rikandidimin, nuk shoh asnjë konflikt,” tha Gudar Beqiraj për BIRN, teksa festonte me nga një gotë ëiskey me kolegët zgjedhjen e tij në krye të Akademisë.
“…nuk kam asnjë koment për deklaratat e kryeministrit. Unë nuk mund të reagoj i vetëm, por do të mbledh kryesinë e akademisë dhe do të kemi një qëndrim zyrtar për këtë koment të kryeministrit Rama,” shtoi ai.
Më vonë, Beqiraj tha për mediat se nuk beson se do të ndodhë bllokimi i fondeve, “pasi jemi gati të reformojmë Akademinë e Shkencave”.
Më 1 shtator, Fuga shkroi një letër të hapur publike për kryeministrin Rama, përmes së cilës kërkonte ndaljen e “katrahurës së 4 shtatorit në Akademinë e Shkencave” dhe reformim të këtij institucioni.
“Idetë nuk mungojnë, mjafton të mos censurohen nga kryesitë sikurse kanë bërë këto vite dhe diskutimi i lirë nga ana e kërkuesve shkencorë do ta lejonte zgjidhjen e këtij problemi dhe propozimin e modeleve më të mira në kushtet tona,” shkruante Fuga.
“Le të ndërtohet një platformë e re për Akademinë e Shkencave, një kuadër ligjor i ri, dhe pastaj të bëhen zgjedhjet, lirisht, dhe vetëm atëherë nëse duhet le të ribëhet nënkryetari kryetar dhe kryetari nënkryetar,” propozonte ai.
Aurela Anastasi, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave u shpreh e habitur për mungesën e konkurrencës, ndonëse i tha BIRN se procesi është formalisht dhe juridikisht në rregull. Anastasi shtoi se institucioni duhet reformuar, për shkak se aktualisht ka vetëm rol honorifik.
“Ligji ka parashikuar se kryetari dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave mund të zgjidhen për dy mandate, por jo radhazi. Natyrisht që nuk isha dakort që të kishte vetëm një kandidaturë në konkurrim, por formalo- juridikisht procesi është i rregullt. Moralisht prisja të kishte më shumë kandidatura,” përfundoi Anastasi.