Gjykata e OKB-së në Hagë do të japë vendimin e saj për liderin e Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Shesheli, i cili akuzohet për krime lufte në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi, pas një apelimi të prokurorisë kundër vendimit për lirimin e tij nga akuzat.
Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare do të japë vendimin e tij të mërkurën në rastin kundër politikanit nacionalist serb dhe deputetit Vojisllav Shesheli, i cili fillimisht u lirua nga akuzat në një vendim të shkallës së parë të Gjykatës së Hagës në mars 2016.
Shesheli akuzohet për krime kundër njerëzimit, persekutim të jo-serbëve në baza politike, racore dhe fetare, deportime dhe zhvendosje të dhunshme.
Ai akuzohet gjithashtu si një nga protagonistët e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte të largonte me forcë popullsinë jo-serbe nga zonat e Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës në mënyrë që të krijonte një shtet të unifikuar serb.
Vendimi i vitit 2016 vendosi se krijimi i një “Serbie të Madhe” ishte qëllimi politik i Sheshelit, por nuk nënkuptonte domosdoshmërish se ai kreu krime.
Në apelin e tyre, prokurorët i kërkuan gjykatës së OKB-së të rrëzojë vendimin e shkallës së parë, të shpallë liderin e Partisë Radikale Serbe fajtor dhe ta dënojë atë me 28 vjet burg ose të urdhërojë një rigjykim të çështjes.
Shesheli ka kërkuar që vendimi i shkallës së parë të konfirmohet.
Megjithatë ai nuk do të marrë pjesë në leximin e vendimit të mërkurën, ashtu siç nuk ishte i pranishëm për të dëgjuar vendimin e shkallës së parë.
Ai u lirua përkohësisht për t’u kuruar nga kanceri në nëntor të vitit 2014 dhe që atëherë ka refuzuar të kthehet në Hagë. Serbia gjithashtu ka refuzuar ta ekstradojë atë, pavarësisht “njoftimit të kuq” të Interpolit për arrestimin e tij.
Pas rikthimit në Serbi, ai ka rifilluar karrierën e tij politike, është rizgjedhur në parlament, ka mbajtur një sërë tubimesh nacionaliste dhe ka tallur vazhdimisht Gjykatën e Hagës në publik.
Shesheli tha për mediat serbe se ai kishte ndërmend ta shpërfillte seancën gjyqësore të së mërkurës në Hagë.
“Unë kam mbaruar punë me Hagën. Fitova. Nuk më intereson aspak vendimi i shkallës së dytë, por një gjë është e sigurt. Nuk do të kthehem vullnetarisht në qendrën e paraburgimit të OKB-së në Sheveningen,” tha ai të martën për gazetën serbe Vecernje Novosti.
Ai shtoi se ai do të flejë gjatë të gjithë leximit të vendimit të tij, i cili është planifikuar të bëhet rreth orës 14:00 lokale të mërkurën.
“Gjatë asaj pjese të ditës unë gjithmonë fle dhe do ta bëj edhe ndërkohë që ata lexojnë vendimin,” tha ai.
Viktimat e krimeve të luftës të kryera nga grupi paraushtarak i vullnetarëve serbë në qytetet boshnjake Mostar dhe Zvornik në vitet 1990 kanë thënë për BIRN se shpresojnë që gjyqtarët ta dënojnë këtë herë Sheshelin.
“Shpresoj ta bëjnë, por nuk jam i sigurt. Por dua të them se shpresoj që komuniteti ndërkombëtar të mos i lajë duart me krimet e kryera këtu në Zvornik,” tha Ahmet Grahiç, kryetar i Shoqatës së Viktimave të Zvornikut.
Saja Ceriç nga Shoqata e ish të Burgosurve të Kampit në Mostar tha se ajo pa grupin “Seseljevci” të kryenin krime në fillim të viteve 1990.
“Krime të tilla ishin sistematike dhe të organizuara, mendoj, nga lart,” tha Coriç.
Në rrugët e Beogradit pati reagime të përziera në lidhje me vendimin që pritet të merret.
“Sigurisht që nuk mendoj se ai është fajtor,” tha për BIRN Milan Todoroviç, 32 vjeç. Ai tha se një lirim nga akuzat do të ishte i drejtë, duke shtuar se Shesheli kaloi një kohë të gjatë në paraburgim në Hagë.
“Ata s’duhet ta kishin liruar kurrë nga paraburgimi sepse ai s’di të rikthehet kurrë dhe as kjo qeveri nuk do ta kthejë atë atje. Ai do të hapë telashe në Serbi gjithë jetën që i ka mbetur,” tha studenti Marko Daniloviç, i cili nuk beson se Shesheli është i pafajshëm.
Shesheli u arrestua fillimisht në 2003 dhe gjyqi i tij vazhdoi për 11 vjet.
Gjatë asaj kohe, ai u dënua gjithashtu tri herë për shpërfillje të gjykatës.
Ai pretendon se gjykata e OKB-së është një gjykatë “anti-serbe” dhe ai ka treguar në mënyrë të vazhdueshme mospëlqimin e tij për procedurat gjyqësore gjatë gjyqit maratonë.