Qeveria serbe hodhi poshtë një draft strategji për mediat, të cilin BIRN e ka siguruar, i planifikuar të rikthente shtetin në tregun e medias nëpërmjet partneriteteve publike-private.
Strategjia e mediave e Ministrisë së Informacionit të Serbisë, e cila u kritikua nga mediat dhe shoqatat e gazetarëve para se të hidhej poshtë këtë javë, propozoi krijimin e mediave të reja të drejtuara nga shtetit nëpërmjet partneriteteve publike-private.
Draft strategjia e papublikuar thotë se “shërbimet publike të medias në nivel kombëtar, provincial dhe rajonal” duhet të krijohen, në formën e medias elektronike, asaj të printuar dhe online dhe agjencive të lajmeve.
“Kudo në botë, në tregun e multimedias, sektori shtetëror kërkon forma të reja të partneritetit me sektorin privat,” thuhet në draftin e papublikuar të siguruara nga BIRN.
Këshilltarja për mediat e Aleksandër Vuçiç, Suzana Vasiljeviç, njoftoi të hënën se draft strategjia ishte hedhur poshtë.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, Slavisa Lekiç, tha se drafti ishte i keq, por qeveria nuk do të jetë në gjendje të vendosë të njëjtat masa në një propozim të ri.
“Unë mendoj se pati një presion të madh nga ana e BE-së dhe tërheqja e draftit ndodhi pikërisht për këtë arsye dhe jo prej presionit nga shoqatat e mediave,” tha Lekiç për BIRN.
Ligjet e Serbisë e detyrojnë shtetin të heqë dorë nga pronësia e mediave, përveç televizionit kombëtar, Radiotelevizionit Serbisë, RTS dhe degës së tij, Radiotelevizionit Vojvodina, ose RTV.
Në një valë privatizimesh që duhet të përfundonte në fund të korrikut 2015, shumë media të vogla dhe lokale u mbyllën pasi nuk gjetën blerës, ndërkohë që disa u blenë nga persona që kanë lidhje me koalicionin qeverisës.
Megjithatë, shteti hezitoi për të hequr dorë nga kontrolli mbi gazetat më të vjetra, gazeta Politika dhe Novosti, si edhe nga agjencia e lajmeve Tanjug, i cili i zhduk konkurrentët e saj privatë.
Lekiç thotë se qëllimi i strategjisë mediatike tashmë të hedhur poshtë ishte që ta kthente shtetin në skenën e mediave, por beson se presidenti Vuçiç ishte “paralajmëruar” se kjo as që bëhej fjalë.
Lekiç gjithashtu ngriti shqetësimin për deklaratën e këshilltares së medias të Vuçiçit, Vasiljeviçit, sepse hartimi i strategjisë kombëtare të medias është nën juridiksionin e qeverisë dhe jo të zyrës së presidentit.
Ministria po punonte për një projekt me OJQ-të dhe shoqatat e mediave, por shoqatat u larguan sepse nuk miratuan propozimet që ato mendonin se shteti po i impononte në mënyrë të njëanshme.
Ai shtoi se shoqatat e pavarura të mediave që u larguan nga grupi i punës i Ministrisë së Informacionit që po diskutonte propozimet për draftin sepse ato ndjenë se shteti po impononte ide në mënyrë të njëanshme, janë bashkuar dhe kanë hartuar një draft alternativ të strategjisë.
“Ne do t’ia ofrojmë atë dokument shtetit si bazë për ndonjë lloj bashkëpunimi të ardhshëm,” tha Lekiç.