Një vepër për refugjatët nga regjisori radikal kroat Oliver Frljiç ka bashkuar si komunistët ashtu edhe aktivistët e krishterë në Republikën Çeke – gjë e cila nuk e habit aspak, tha Frljiç për BIRN.
Oliver Frljiç, vepra e të cilit “Dhuna jonë dhe dhuna jote” do të shfaqet në festivalin e teatrit në Brno në Republikën Çeke më 26 maj, tha për BIRN se thirrjet për të ndaluar veprën e tij – që vë në pikëpyetje përgjigjen e Europës ndaj krizës së refugjatëve –ishte diçka që pritej.
“Ajo që po ndodh në Brno nuk është habi. Përkundrazi, kjo thjesht konfirmon tezën time për izolimin fashist të Europës, me anë të të cilit vlerat e padiskutueshme dhe liritë e fituara tani po bëhen objekt i fundamentalistëve të origjinave të ndryshme,” tha Frljiç.
Shfaqja, e vënë në skenë bashkërisht nga Teatri Kombëtar Kroat nga Rijeka dhe Teatri Slloven Mladinsko nga Lubjana, ka tërhequr kritika në Republikën Çeke që kur u lajmërua se vepra do të shfaqej në festivalin e Brnos.
Si Partia Komuniste Çeke ashtu edhe disa aktivistë të krishterë kanë bashkuar forcat, duke bërë thirrje që vepra të ndalohet dhe po organizojnë protesta për datën 26 maj, në të njëjtën ditë që do të vihet në skenë shfaqja.
Ata pretendojnë se vepra ofendon të gjithë çekët dhe të krishterët, si edhe myslimanët, duke iu referuar një skenë në të cilën Krishti përdhunon një grua myslimane.
Kjo nuk është hera e parë që Frljiç ka shkaktuar zemërim. Ka ndodhur gjithashtu në Kroaci, vendlindja e tij, si edhe në Poloni, tani e qeverisur nga konservatorët e krahut të djathtë.
Frljiç për rreth një dekadë ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e shoqërive për krimet e kaluara të luftës, narrativat nacionaliste dhe dogmën fetare dhe ka bërë thirrje për ndryshime shoqërore.
Në vitet e fundit ai ka trajtuar tema të tilla si e kaluara koloniale e Europës, politikat e saj imperialiste kulturore, kriza e refugjatëve dhe institucionalizimi i islamofobisë. Kjo është shprehur fort në veprën e tij “Dhuna jonë dhe dhuna juaj”.
“Brecht tha se teatri nuk mund të matet nga niveli i dramatikës, por fillimisht duhet të matet nga niveli i realitetit të cilit i përket,” risolli në mendje ai.
“Reagimet e dhunshme që pasojnë disa nga veprat e mua, si edhe dhuna mediatike ndaj të cilës ekspozohen veprat e mia dhe aktiviteti publik, tregojnë pikërisht në atë nivel, por edhe në nivelin e realitetit në të cilin jetojmë,” tha Frljiç për BIRN.
Telashet e tij në Poloni filluan në vitin 2013 kur shfaqja e “Komedisë së pamohueshme” të tij u shty dy javë para premierës për shkak të përmbajtjes që trajtonte antisemitizmin polak.
Në vitin 2016, shfaqja e “Dhuna jonë dhe dhuna juaj” në Teatrin Polski në Bydgoszcz u denoncua te prokurorët polakë për shkelje të ndjenjave fetare.
Vitin e kaluar e njëjta vepër shkaktoi më shumë protesta nga organizatat konservatore në Split, Kroaci, ku disa protestues u përpoqën ta ndërprisnin shfaqjen.