Një person u lëndua dhe një tjetër u arrestua teksa shqiptarët e Kosovës në fshatin Klinë protestuan kundër serbëve të zhvendosur pas përfundimit të konfliktit të vitit 1999, të cilët u rikthyen për të vizituar kishën lokale.
Ministri i Kosovës për të Rikthyerit dhe Komunitetet Dalibor Jevtiç dënoi të hënën incidentin ku mbeti i lënduar një person kur banorët etnikë shqiptarë nga Klina bllokuan një rrugë në shenjë proteste ndaj serbëve që po vinin aty.
“Kjo është e papranueshme dhe ne duhet të përpiqemi ta shmangim këtë dhe incidente të ngjashme,” tha Jevtiç.
Një serb i zhvendosur u plagos nga protestuesit shqiptarë ndërsa një tjetër, i identifikuar vetëm me inicialet L.B., u arrestua nga policia pasi u identifikua nga protestuesit shqiptarë si i dyshuar në vrasjen e civilëve shqiptarë në mars të vitit 1999.
Policia tha se i dyshuari po mbahet në rajonin e policisë në Pejë “për verifikime të mëtejshme”.
Policia tha se përplasja nisi kur 60 banorë shqiptarë etnikë të fshatit bllokuan rrugën në shenjë proteste ndaj vizitës së 50 serbëve të zhvendosur, të cilët arritën të hënën në mëngjes për një festë fetare në kishën ortodokse vendase.
“Gjatë ceremonisë, një banor serb, R.K. (1995), tani me banim në Serbi, u lëndua. Ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejshëm dhe sipas ekipit mjekësor, është në gjendje të qëndrueshme,” tha policia në një deklaratë.
Policia tha se serbët u larguan nga fshati me një eskortë policore dhe se ata tani po kërkojnë autorët e dyshuar të sulmit ndaj personit të lënduar.
Jevtiç tha se në Kosovë ka shumë incidente të “papranueshme” si ky.
“Kemi pasur shumë situata të tilla. Është e trishtueshme që në këtë mënyrë, serbët e zhvendosur janë të ndërgjegjshëm se nuk janë të mirëpritur në Kosovë,” shtoi ai.
Kreu i zyrës së qeverisë serbe, Marko Djuriç, gjithashtu e dënoi incidentin.
“Një izolim, mungesë tolerance dhe urrejtjeje e tillë nuk ka vend në Europën moderne dhe unë këmbëngul, në emër të njerëzimit, por edhe në emër të vlerave europiane, që dhuna kundër popullit ortodoks në Kosovë dhe Metohi duhet të ndalojë,” tha Djuriç.
Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, Human Rights Watch ka vlerësuar se më shumë se 164,000 serbë u larguan nga Kosova pas përfundimit të luftës në qershor 1999.