Festivali i përvitshëm Mirëdita, Dobar Dan! paraqet filma shqiptarë të Kosovës, ekspozita dhe shfaqjet teatrore në kryeqytetin serb në një përpjekje për të rindërtuar marrëdhëniet midis dy popujve.
Një festival arti katërditor, emri i të cilit do të thotë “Mirëdita” në serbisht dhe shqip, do t’i prezantojë skenën kulturore shqiptare të Kosovës Publikut të Beogradit nga 30 maji deri më 2 qershor.
Sofija Todoroviç, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, një nga OJQ-të që organizon festivalin, tha se policia serbe u kishte garantuar atyre mbrojtje nga nacionalistët të cilët njoftuan se do ta ndërprisnin eventin.
“Ata thanë se nuk kemi arsye pse të shqetësohemi dhe se policia do të bëjë gjithçka siç duhet,” tha Todoroviç për BIRN.
Partia Radikale Serbe ultranacionaliste kërkoi ndalimin e festivalit në fillim të majit për “trajtimin e Kosovës si shtet i pavarur”, dhe tha se në të kundërt ajo do ta ndërpriste ndryshe eventin. Megjithatë, organizatorët thanë se festivali do të zhvillohet.
Të martën, ministria e brendshme serbe tha se kishte ndaluar tubimet që Partia Radikale Serbe kishte planifikuar të mbante gjatë festivalit, por radikalët thanë se do ta mbanin atë, njofton televizioni rajonal N1.
Ministria tha se kishte ndaluar tubimet për “arsye sigurie, shëndeti publik, morali dhe për të drejtat e të tjerëve”.
Në festival, i cili ka filluar që nga viti 2014, do të ketë edhe diskutime në lidhje me ardhmen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe provincës së saj të mëparshme, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 – një lëvizje që Beogradi është zouar se s’do ta njohë kurrë.
Përveç prezantimit të artit dhe kulturës bashkëkohore të Kosovës, “qëllimi i festivalit është që të iniciojë ndryshime dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi nëpërmjet takimeve midis komuniteteve sociale dhe kulturore serbe dhe kosovare,” thanë organizatorët në një deklaratë.
Ata besojnë se festivali mund të kontribuojë drejt normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Mirëdita, Dobar Dan! hapet me një film të Blert Zeqirit, “Martesa”, i cili fitoi dy çmime në festivalin e filmit Tallin Black Nights në Estoni nëntorin e kaluar.
Vizitorët do të kenë gjithashtu mundësinë të shohin ekspozitën me fotografi dhe instalacione të Eliza Hoxhës, Between Dream and Reality, një shfaqje teatrore për mënyrën se si përpunohen kujtimet, CopeCope (Bits and Pieces), si dhe një debat me titull: “Kosova dhe Serbia: Çfarë jemi ne për njëri-tjetrin?”
Sipas Todoroviçit, vepra CopeCope trajton temën e dhunës kundër grave.
“Martesa” ndjek historinë e Bekimit dhe Anitës, një çift që organizon martesën e tyre ndërsa Anita pret lajme për prindërit e saj të cilët u deklaruan të zhdukur në luftën e Kosovës në vitin 1999, dhe ish i dashuri homoseksual i Bekimit kthehet nga Franca.
“Është një film për të drejtat e njeriut që prek tema që janë delikate në të dyja shoqëritë, në atë serbe dhe kosovare,” tha Todoroviç.
Simboli dhe frymëzimi për Mirëdita, Dobar Dan! është Bekim Fehmiu (1936-2010), një aktor shqiptar i Kosovës dhe jugosllav i cili gjithashtu ka fituar famë ndërkombëtare.
Organizatorët e përshkruajnë atë si “simbol të së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet e saj”.
Fehmiu, i lindur në Sarajevë dhe i arsimuar në Beograd, xhiroi filma në të gjithë ish-Jugosllavinë, si edhe në Itali dhe SHBA. Ai doli në pension në vitin 1987 në shenjë proteste kundër veprimeve anti-shqiptare të autoriteteve jugosllave.
Fehmiu është gjithashtu i njohur edhe për kujtimet e tij Blistavo i Strasno, në të cilin ai ndër të tjera ai eksploroi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ai vdiq në Beograd në vitin 2010.
Hyrja në të gjitha eventet është falas. Për më shumë informacione dhe një program më të detajuar, shikoni www.mireditadobardan.com.
Ky artikull u publikua në gazetën e përdyjavshme të BIRN Belgrade Insight. Këtu mund të gjeni në kopje të saj.