Presidenti Donald Trump tha se ai nuk është i lumtur me dispozitën e NATO-s që kërkon që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në mbrojtjen e shteteve të tjera, përfshirë edhe një “vend të vockël” si Mali i Zi.
Donald Trump vuri në dyshim detyrimin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e vegjël të NATO-s, siç është Mali i Zi, gjatë një interviste të transmetuar të martën vonë në Fox News.
Prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, theksoi se anëtarësimi i NATO-s i detyron shtetet të mbrojnë çdo anëtar tjetër që është sulmuar.
“Le të themi se Mali i Zi, i cili u bashkua vitin e kaluar, është sulmuar. Pse duhet im bir të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi?” pyeti Carlson.
Trump u përgjigj duke hedhur dyshime mbi këtë shtyllë kryesore të aleancës ushtarake perëndimore.
“E kuptoj shumë mirë atë që po thua. Edhe unë kam bërë të njëjtën pyetje,” tha Trump.
“Mali i Zi është një vend i vockël me njerëz shumë të fortë. Ata mund të bëhen agresive dhe urime pra! Ja ku jeni në Luftën e Tre Botërore,” shtoi ai.
Neni 5 i Traktatit të Atlantikut kërkon që të gjithë anëtarët të mbrojnë kombet e tjera anëtare që janë sulmuar.
E vetmja herë që Neni 5 është vënë në zbatim deri më tani ishte kur shtetet e NATO-s u bashkuan me Ushtrinë Amerikane në Afganistan në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit.
Trump dha intervistën për Fox News në fund të një turneu europian që e pa atë të kritikohej që pranoi këmbënguljen e presidentit rus Vladimir Putin se Moska nuk ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.
Përveç takimit me Putinin, ai gjithashtu mori pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel, ku ai i bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të shpenzonin më shumë nga buxhetet e tyre vjetore për mbrojtjen.
Mali i Zi ka qenë një anëtar i NATO-s që nga qershori i kaluar. Ai iu bashkua aleancës pavarësisht kundërshtimeve të forta nga Rusia dhe kundërshtimit nga komuniteti i madh serb në vend.
Një sondazh i opinionit publik i kryer nga monitoruesi i njohur i CEDEM në maj tregoi se 47 për qind e malazezëve janë kundër anëtarësimit në NATO, ndërsa 45 për qind thanë se kjo ishte diçka e mirë për vendin.
Që kur u bashkua, numri i kundërshtarëve të NATO-s duket se është rritur. Në dhjetor, sondazhi i CEDEM sugjeroi se 42.5 për qind e malazezëve ishin pro-NATO-s ndërsa kundërshtarët kishin 38 për qind mbështetje.
Komuniteti i madh serb është sidomos kundër, për shkak të rolit të NATO-s në bombardimin e Jugosllavisë në fund të viteve 1990 në sulmet ajrore që synonin ta detyronin Serbinë të tërhiqte forcat e saj nga Kosova.
Aleatja tradicionale Rusia, lidhjet e të cilës me Malin e Zi ortodoks datojnë që nga koha e Pjetrit të Madh, gjithashtu e ka kundërshtuar pranimin e Malit të Zi në aleancë.
Mali i Zi akuzoi Rusinë se ishte ajo që fshihej pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit tetorin e kaluar, të cilin qeveria pretendoi se kishte për qëllim të rrëzonte qeverinë pro-perëndimore dhe të prishte pranimin në NATO. Moska i mohoi pretendimet.