Parlamenti maqedonas këtë javë fillon fazën e dytë të procedurës së ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për vënien në zbatim të marrëveshjes së emrit me Greqinë.
Parlamenti pritet që këtë javë të hapë një debat mbi projekt-ndryshimet kushtetuese që qeveria pritet të paraqesë të hënën ose në ditët e ardhshme.
Projekt-amendamentet ende janë duke u punuar, tha për mediat të premten zëdhënësi i qeverisë Mile Bosnjakovski.
“Në momentin kur ato hidhen në letër, do t’i publikojmë dhe do t’i parashtrojmë në parlament për finalizimin e tyre,” tha Bosnjakovski.
Secili nga projekt ndryshimet kushtetuese, një prej të cilave do të lejojë që emri i vendit të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut – siç kërkohet në marrëveshjen e arritur me Greqinë këtë verë – fillimisht do të shqyrtohet në komisionet kushtetuese të parlamentit.
Rregullorja parlamentare lejon një debat tre ditor për secilin projekt veç e veç. Pas kësaj, projektligjet do të parashtrohen në një seancë plenare ku përsëri tri ditë debat do të lejohen për çdo amendament para se të kalohen në votim.
Më 19 tetor, kur parlamenti u desh të kalonte fazën e parë të vënies në zbatim të marrëveshjes së emrit me një shumicë prej dy të tretash, votimi në fazën e dytë do të kërkojë vetëm një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh në parlamentin prej 120 vendesh.
Të premten, Aleksandar Kiracovski, një deputet dhe sekretar i përgjithshëm i social demokratëve, i bëri thirrje parlamentarëve nga opozita VMRO DPME t’i bashkohen debatit në një mënyrë konstruktive.
“Shpresoj që ligjvënësit të marrin pjesë në debatin për projekt-ndryshimet dhe t’i bëjnë ato më të mira, në mënyrë që të mund ta përfundojmë të gjithë së bashku këtë proces që na çon më përpara drejt anëtarësimit në BE dhe NATO,” tha Kiracovski.
Ai përsëriti besimin e shumicës qeverisëse se nëse procesi vazhdon para sipas planit, vënia në zbatim e marrëveshjes së emrit në parlament mund të përfundojë në dy ose dy muaj e gjysmë kohë, që do të thotë në fund të vitit.
Nëse faza e dytë kalon me sukses, qeveria do të ketë dritë jeshile për të përgatitur ndryshimet kushtetuese përfundimtare që do të duhet të debatohen përsëri në parlament për të paktën 30 ditë para një votimi të tretë dhe përfundimtar që do të kërkojë përsëri shumicën prej dy të tretash.
Gjatë një takimi ditën e premte, zv/ministri i jashtëm grek Terence Quick e siguroi homologun e tij maqedonas Andrej Zernovski se pasi Maqedonia të vërë në zbatim marrëveshjen, ratifikimi nga parlamenti grek do të ndodhë menjëherë pas kësaj.
Sipas ministrisë së jashtme të Maqedonisë, Quick tha se ai është i bindur se ratifikimi në parlamentin grek do të ndodhë pa vonesa.
Një afat jo zyrtar për të vënë në zbatim marrëveshjen është në mars, në mënyrë që parlamenti grek të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen para se Greqia të mbajë zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat forcat politike që kundërshtojnë marrëveshjen kanë mundësi të mëdha për të fituar.