Prokurorët me 10 vjet eksperiencë dhe pa asnjë masë disiplinore mund të aplikojnë për 15 vende në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prokurorët duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve.
Të gjithë prokurorët që kanë të paktën 10 vjet eksperiencë dhe nuk kanë marrë masa disiplinore gjatë karrierës së tyre kanë të drejtën të aplikojnë për 15 vende vakante të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe edhe si SPAK.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me shumicë votash të hënën që numri i prokurorëve të SPAK-ut të jetë fillimisht 15, ndërsa afati i aplikimit ai 1 mujor.
Kosta Beluri, i cili u zgjodh si anëtar i KLP-së nga Prokuroria e Përgjithshme theksoi rëndësinë që ka krijimi sa më parë i Strukturës së Posaçme, duke propozuar si afat për aplikimet atë 3-javor. Propozimi u mbështet nga Bujar Sheshi, por shumica e anëtarëve votoi për 1 muaj.
Ndërkohë, lidhur me numrin e prokurorëve që do të jenë pjesë të SPAK-ut, u argumentua bazuar në ngarkesën punës që kanë aktualisht prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të cilët sipas statistikave rezulton të hetojnë mesatarisht nga 34 dosje secili.
Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi pohoi se sipas ligjit, SPAK do të ketë jo më pak se 10 prokurorë dhe kërkoi propozime nga anëtarët e Këshillit. Prokurori Kosta Beluri u shpreh se SPAK pritet të ketë rritje të ngarkesës dhe si fillim mund të jetë me 15 prokurorë.
Nënkryetari Alfred Balla propozoi që SPAK të nisë me 20 prokurorë, që sipas tij është edhe numri aktual i Prokurorisë për Krime të Rënda. Por pjesa më e madhe e anëtarëve të KLP ishin të mendimit që SPAK të nisë me 15 prokurorë, me qëllim që të mos cënohet konkurrenca mes kandidatëve.
Sipas shumicës së anëtarëve, e rëndësishme është përmbajtja e procedurës, pasi ngarkesa do të vlerësohet në vazhdimësi dhe mund të ketë një fazë të dytë për shtimin e numrit të prokurorëve të SPAK. Ata argumentuan se edhe Byrja e Hetimit do të ishte një ndihmë për SPAK-un, duke eleminuar një pjesë të mirë të ngarkesës së tyre.
Pas votimit me shumicë votash për numrin 15 të vendeve vakante në SPAK, kryetari Gent Ibrahimi ftoi të gjithë prokurorët që plotësojnë kriteret që të aplikojnë ose në faqen zyrtare në internet të KLP-së, ose mund t’i dërgojnë dokumentet përkatëse nëpërmjet postës shqiptare.
Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” parashikon eksperiencën 10-vjeçare dhe mungesën e masave disiplinore si kritere për magjistratët që kandidojnë për SPAK. Kandidatët duhet gjithashtu të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe telekomunikimeve, jo vetëm për vete por edhe për familjarët.
Magjistratët duhet të kalojnë gjithashtu në sitën e vetingut, por ky nuk është një proces skualifikues në momentin e aplikimit.
Një tjetër çështje që u diskutua ishte edhe ajo e kërkesave të prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj, që pas vendimit të gjykatës administrative kërkojnë rikthimin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Këshilli vendosi të shtyjë me një javë dhënien e vendimit për kërkesën e dy prokurorëve të sipërcituar, pasi Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku kishte depozituar materiale shtesë që do të shyrtohen e më pas do të vendoset.