Hungaria u bë vendi i parë anëtar i Bashkimit Europian që u riklasifikua nga vend i lirë në vend “pjesërisht i lirë” në raporti vjetor të Freedom House, Liria Nëpër Botë. Shqipëria mbeti në vendnumëro duke mos shënuar as përmirësime dhe as përkeqësime. Serbia iu bashkua fqinjëve të vet në statusin ‘vend pjesërisht i lirë'.
Serbia dhe Hungaria ishin dy vendet e përmendura veçmas në raportin e këtij viti të Freedom House pasi humbën pikë në treguesin e lirisë dhe u riklasifikuan, nga vende të lira në vende ‘pjesërisht të lira'. Serbia u rendit si një nga vendet me rënien më të shpejtë në treguesin e lirisë krahas Nikaraguas, Tanzanisë dhe Venezuelës, bëri të ditur organizata amerikane Freedom House (Shtëpia e Lirisë) në raportin e saj kryesor Liria nëpër Botë, i cili u publikua të martën.
Për Hungarinë dhe Serbinë, kjo ishte hera e parë në më shumë se një dekadë që të dy vendet humbën statusin si vende të lira.
“Hungaria ra nga e Lirë në Pjesërisht e Lirë për shkak të sulmeve të vazhdueshme kundër institucioneve demokratike të vendit nga kryeministri Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz, gjë që ka prekur median, grupet fetare, botën akademike, organizatat, gjykatat dhe sektorin privat,” shkruhet në raport.
“Serbia ra gjithashtu nga e Lirë në Pjesërisht e Lirë për shkak të parregullsive në zgjedhje, sulmeve ligjore dhe fushatave shpifëse kundër gazetarëve të pavarur si dhe akumulimit de facto nga presidenti Aleksandar Vuciq të pushtetit ekstrakushtetues,” shton raporti.
Raportet e veçanta të vendeve nuk janë publikuar ende por në Ballkan tashmë Bullgaria, Rumania dhe Kroacia mbeten vende të lira.
Maqedonia dhe Kosova shënuan përmirësim ndërsa Shqipëria nuk pësoi as përmirësim dhe as përkeqësim. Bosnja shënoi gjithashtu përkeqësim.
Mali i Zi, i cili klasifikohet gjithashtu si ‘Pjesërisht i Lirë' u përmend veçmas në raportin e përgjithshëm.
“Presidenti Milo Gjukanoviç i Malit të Zi vijoi të konsolidojë pushtetin shtetëror përreth vetes dhe klikës së tij, duke goditur standardet bazë të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues,” shkruhet në raport.
Raporti i këtij viti titullohet: “Demokracia në Tërheqje” dhe autorët theksojnë se viti 2018 është i trembëdhjeti vit rradhazi që shënon rënie në lirinë botërore.
“Përmbytja është përhapur në shumë vende dhe në çdo rajon, nga demokracitë e vjetra si Shtetet e Bashkuara te regjimet autoritare të konsoliduara si Kina dhe Rusia,” shkruhet në raport.
Gjithsesi në raport shtohet se humbjet e këtyre 13 viteve janë gjithsesi të pakta në krahasim me fitoret e arritura në fund të shekullit të njëzetë me rënien e komunizmit.
Në mënyrë suprizuese, pas rënies së Serbisë, Shqipëria rezulton vendi me renditjen më të lartë në indeks mes vendeve të rajonit. Shqipëria ka 68 nga 100 pikë, ku 100 pikë është demokracia më e lartë dhe zero pikë është autokracia më e egër. Në krahasim me Shqipërinë, Kosova kishte 54 nga 100 pikë ndërsa Maqedonia 59 pikë.