Policia iu përgjigj një përpjekjeje të një grupi protestuesish për të hyrë në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit iu përgjigjën duke hedhur gurë në protestën e ditës së mërkurë, ndërkohë që deputetët e maxhorancës ishin në seancë plenare.
Partitë politike të opozitës thirrën protestuesit e tyre të mërkurën pasdite në një tentativë për të bllokuar daljet e Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetët e maxhorancës kryen një seancë plenare në përpjekje për të treguar se puna e kuvendit vijon normalisht pavarësisht tërheqjes së deputetëve të opozitës.
Protesta përshkallëzoi në dhunë kur disa dhjetëra protestues shtynë kordonin policor për disa sekonda por u detyruan të tërhiqen kur policia iu përgjigj me bomba me gaz lotsjellës. Një numër protestuesish u kthyen pak minuta më pas dhe hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila iu përgjigj me më shumë gaz lotsjellës.
Pas katër orësh proteste, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shpërndau kuvendin ndërsa deputetët socialistë dolën në këmbë përmes pedonales së Tiranës dhe protestuesit filluan të shpërndahen.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, dy forcat kryesore opozitare, nisën një valë protestash më 16 shkurt. Më 21 shkurt, shumica dërrmuese e deputetëve të dy partive politike dhanë dorëheqjen nga mandatet e tyre dhe shpallën synimin për të rrëzuar qeverinë përmes protestave.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi anuloi seancën parlamentare të së enjtes së kaluar me synimin për të hequr objektin e protestave të opozitës ndërsa thirri papritur një seancë jashtë rradhe të martën në mesditë. Opozita duket se ia doli të mbledhë disa qindra protestues brenda pak orësh.