Pas arrestimeve masive për tjetërsimin e 68 mijë metrave katrorë tokë në afërsi të Kepit të Rodonit, Gjykata e Durrësit la në burg 9 ish-zyrtarë, ndërsa lehtësoi masat e sigurisë për tetë të akuzuarit e tjerë që pretenduan se ishin në moshë të thyer dhe kishin probleme shëndetësore.
Gjykata e Durrësit vendosi të dielën të lërë në burg nëntë nga 17 ish-zyrtarët dhe përfituesit e arrestuar, të cilët akuzohen se kanë marrë pjesë në procedurat e tjetërsimit të 68 mijë metrave katrorë tokë në bregdetin në afërsi të Kepit të Rodonit. Pesë prej të akuzuarve u lanë në masën e arrestit shtëpiak, ndërsa 3 të tjerë u liruan nga qelia me masën e “detyrimit për paraqitje”.
Në seancën që zgjati mbi pesë orë, të arrestuarit u përballën me akuzat e falsifikimit, përvetësimit të parave që rrjedhin nga vepra penale si dhe me shpërdorim detyre. Gjykata përfaqësohej nga gjyqtari Petraq Curri, ndërkohë që akuza u mbrojt nga prokurori Afrim Shehu.
“Për 4 persona kërkova unë të ndryshohej masa e sigurisë, sepse ishin me moshë 69 deri në 76 vjeç dhe Kodi i Procedurës Penale saktëson që për personat mbi 70 vjeç nuk caktohet masë sigurie arrest me burg,” tha pas seancës për BIRN prokurori Afrim Shehu.
“Malvina Deçka pretendoi se ishe shtatzënë dhe gjykata e ndryshoi masën, megjithëse unë kërkova afat me qëllim që ta verifikonte mjeku,” shtoi prokurori, duke shpjeguar se edhe 3 të akuzuar të tjerë pretenduan probleme shëndetësore para gjykatës.
Gjatë zhvillimit të seancës për masat e sigurisë, godina e Gjykatës së Durrësit u rrethua nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe njësia “Shqiponja” e Policisë së Shtetit. Të afërmit që ndodheshin në ambientet e jashtme dhe avokatët e të dyshuarve nuk pranuan të komentonin akuzat për BIRN.
Ish-drejtuesi i Hipotekës së Durrësit, Ardian Iljazaj u la në qeli, ndërsa paraardhësi i tij në të njëjtën detyrë, Adrian Kona u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi pretendoi për probleme shëndetësore dhe një ndërhyrje që kishte realizuar në zemër. Gjykata vendosi të linte në “arrest me burg” edhe ish-kryetarin e komunës së Ishmit, Sulejman Ibrahimi.
Gjykata caktoi masën e arrestit me burg edhe për shtetasit Bledar Zerba, Renaldo Pastërma, Delis Kapxhiu, Mikel Zaho, Luigj Bushaj, Gjon Proja dhe Albert Doda.
Ndërsa në “arrest shtëpie” u lanë Rovin Zeqja, Lekë Ndoj, Enver Shima, Latif Mullahi dhe Adrian Kona. Me “detyrim paraqitje” mbetën Edlira Nova, Gjergj Bushaj dhe Malvina Deçka.
BIRN kontaktoi Policinë e Durrësit nëse ishin ndaluar 3 personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Rodon” zhvilluar të premten, por nuk u konfirmua ndonjë ndalim i mundshëm.
Prokurori i çështjes, Afrim Shehu sqaroi më herët për BIRN se hetimi lidhej me falsifikimin e 7 praktikave të regjistrimit të tokës së ndodhur në fshatin Bizë, në afërsi të Kepit të Rodonit me një sipërfaqe totale prej 68 mijë metrash katrorë.
Hetimi nisi në mars 2019, pas një kallëzimi të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, ndërkohë që procedimit penal iu bashkangjitën edhe kallëzime të tjera për falsifikime tokash, të bëra më parë në Prokurorinë e Durrësit.
Sipas kërkesës që Prokuroria dorëzoi në Gjykatën e Durrësit për masat e sigurisë, për zbardhjen e falsifikimeve u aplikuan edhe hetime proaktive përmes përgjimeve telefonike të specialistëve pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfituesve dhe poseduesve të pasurive të patundshme.
Prokuroria pretendon se ish-zyrtarët e hipotekës së Durrësit dhe përfituesit janë përfshirë në një sërë veprimesh për tjetërsimin e 7 parcelave të tokës shtetërore në fshatin Bizë të Ishmit, duke e kaluar fillimisht tokën në emër të banorëve të zonës dhe më pas, përmes kontratave të ndarjes apo shkëmbimit e kanë regjistruar atë në kundërshtim me ligjin në emër të përfituesve fundorë.
Skema të ngjashme falsifikimi janë përdorur më parë në tokat bregdetare të Vlorës, të Kavajës dhe të Shëngjinit.
Lexo më shumë:
- Nga shteti te pushtetarët: Skema e grabitjes së 36 ha tokë në bregdetin e Kavajës
- Hetimet zbulojnë skemën e tjetërsimit të pyjeve në Razmë
- Vendimet e falsifikuara e bënë varrmihësin vlonjat pronar të Karaburunit
- Amnezi dhe falsifikime: Skema e tjetërsimit të pronave në Shëngjin
Arrest me burg
Ardian Iljazaj, ish-drejtor i Hipotekës së Durrësit
Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm
Bledar Zerba
Renaldo Pastërma
Delis Kapxhiu
Mikel Zaho
Luigj Bushaj
Gjon Proja
Albert Doda
Arrest shtëpie
Adrian Kona, ish-drejtues i Hipotekës Durrës
Rovin Zeqja
Lekë Ndoj
Enver Shima
Latif Mullahi
Detyrim paraqitje
Edlira Nova
Gjergj Bushaj
Malvina Deçka