Vendosja e godinës së Teatrit Kombëtar në listën e finalistëve për një nga 7 vendet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Europë nga Europa Nostra u ka ngjallur aktivistëve shpresë për frenimin e përpjekjes për të shembur godinën.
“Europa Nostra”, një nga organizatat kryesore për trashëgiminë kulturore europiane e drejtuar nga maestro Plaçido Domingo, vendosi Tetrin Kombëtar në listën e shkurtër të 14 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë europiane.
“Teatri Kombëtar është një nga qendrat më të njohura kulturore në Shqipëri dhe një nga hapësirat publike e sociale më të rëndësishme të Tiranës, përballen me rrezikun real të shkatërrimit”, thuhet në njoftimin e Europa Nostra.
Teatri u propozua në Europa Nostra prej Fondacionit Gjirokastra, pas kërkesave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila proteston prej më shumë se 1 viti e 9 muajsh kundër projektit kontravers të qeverisë për të prishur godinën, i cili përfshin sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar edhe dhënien e një pjesë te hapësirës publike për ndërtim kullash.
Programi është një iniciativë e përbashkët e Europa Nostra, një nga organizatat kryesore e trashëgimisë Europiane dhe Institutit Banka Europiane e Investimeve, që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe veprimtarinë për të ruajtur vendet e rrezikuara të trashëgimisë në Europë. Lista përfundimtare e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë europiane do të përzgjidhet nga bordi i Europa Nostra më mars.
Organizata shprehet se teatri i ndërtuar në vitet 1938-39, “është një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të periudhës së tij dhe po ashtu një përbërës integral i qendrës monumentale të qytetit”.
Po ashtu Europa Nostra thotë se ka shprehur edhe më herët “shqetësimin rreth vendimit për ta zëvendësuar Teatrin me një ndërtesë të re”.
Në të njëjtën listë me teatrin janë edhe: Karas-Amforat tradicionale të verës në Armeni, Manastiri Khoranashat, rajoni Tavush në Armeni, Kështjella Jezeří, Horni Jiretin në Çeki, Salla e notit Tapiola, Espoo në Finlandë, kështjella e Sammecanos në Toskanë të Italisë, parku arkeologjik i Sibaris po në Itali, shtëpia Ivicke, Wassenaar në Hollandë, Blloku Y, lagjja qeveritare në Oslo, Norvegji, Centrali Szombierki, Bytom në Poloni, Fortesa e Beogradit dhe rrethinat e saj në Serbi, stadiumi Pleçnik, në Ljubljanë, Slloveni, depoja e metrosë Kuatro Kaminos në Madrit, Spanjë dhe “Sallat egjiptiane” në Glasgou të Britanisë së Madhe.
Në një qëndrim të saj për shtyp Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se “Mbështetja direkte e institucionit të Europa Nostra i vendos përfundimisht një frenim të plotë, përpjekjes së mbrapshtë të qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar”. Aleanca e cilëson listimin si sukses të protestës disa mujore dhe përpjekjen e artistëve, aktivistëve e protestuesve.
Që prej protestës masive të korrikut, kur një përpjekje e policisë për të larguar protestuesit nga godina u zbraps, Teatri Kombëtar kontrollohet nga aktivistët që kanë organizuar aty dhjetra shfaqe me artistë nga Shqipëria dhe Europa.