Të drejtat dhe demokracitë tona janë nën kërcënim. Por ndikimi i krizës në riformulimin e botës do të varet nga ne.
“Mbyllni kufijtë? Sot po e bën çdo vend i Europës, por kur [partia] Lega e mbështeste këtë, thanë se ishte ‘raciste’,” postoi Mateo Salvini në faqen e tij hiperaktive në Twitter javën e kaluar. (Ky është burri që i krahasoi emigrantët e Afrikës me ‘skllevërit’ dhe i quajti gratë rome ‘cigane të ndyra’.)
Lideri i së djathtës ektreme të Italisë ngre një argument të mirë, por drithërues. Përpara koronavirusit, mbyllja e ashpër e kufijve nuk ishte pjesë e axhendës politike. Tani kjo është shpërndarë në të gjithë botën, pavarësisht paralajmërimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se me gjasë nuk do të funksionojë. Dhe jo çdokush është i shqetësuar për këtë.
Në zhurmën e lajmeve shokuese mbi pandeminë është varrosur gjerësisht një fakt befasues. Koronavirusi e ka ndikuar ndërkohë botën tonë duke i dhënë ekstremit të djathtë, ultra-konservatorëve dhe lëvizjeve të tjera antidemokratike që openDemocracy po i gjurmon prej vitesh, mjaft arsye për të brohoritur.
Ata po festojnë mbylljen e kufijve. Se si gratë po u rikthehen “roleve tradicionale” në shtëpi. Se si debatet thelbësore demokratike po shtyhen në pafundësi. Larg nga mbyllja, ata po kërkojnë mënyra se si ta luajnë këtë krizë në avantazhin e tyre tani –dhe për një kohë të gjatë në të ardhmen.
Mbyllni kufijtë? Jo të gjithë po e bëjnë këtë
Po çfarë duan ata? Në shkurt, liderët oportunistë të së djathtës ekstreme iu qasën COVID-19 me një kor të pabazuar për të fajësuar në mënyrë direkte emigrantët. Salvini pretendoi se emigrantët afrikanë po e sillnin atë në Itali. Aurélia Beigneux, deputete e Frontit Nacional në Francë argumentoi se kufijtë e hapur “e lejojnë dukshëm shpërndarjen eksponenciale të këtij lloji virusi”.
Tani siç theksoi Salvini, shumë nga këto mbyllje kanë ndodhur, të paktën përkohësisht. Ndërsa kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian u mbyllën këtë muaj, në ndjekje të lëvizjeve të ngjashme ndërkombëtare, toni i nacionalistëve është bërë triumfator. Donald Trump postoi në Twitter: “Kjo është arsyeja pse na duhen kufijtë”!
Mbështetësit e linjës së ashpër po shijojnë gjithashtu fuqizimin e policisë dhe praninë publike në krizën e koronavirusit. “Tani na duhet zbatim më i madh i ligjit,” festoi Salvini në Twitter. “Deri dje ju shkruanit ACAB [Të gjithë policët janë bastardë]… sot i doni ata poshtë shtëpive tuaja”.
“Për një shtet autokratik, ky koronavirus është parajsë,” paralajmëroi në anonimitet një diplomat perëndimor në Moskë, ku policia po vendos tani në përdorim mjete të debatueshme për identifikimin facial për të kapur njerëzit që shkelin rregullat e lëvizjes.
Neo-nazistët janë gjithashtu të ngrohtë me krizën. “Tani është koha për të bërë presion, sa kohë që gjërat lëkunden në zgrip,” argumentoi një postim i fundit në Telegram, në një diskutim të hapur mbi mënyrën se si kjo mund të përdorej për të rekrutuar njerëz në funksion të supremacisë së bardhë.
“Në karantinë jemi të gjithë bashkëshorte tregtare”
Konservatorët besimtarë, mbështetës të Donald Trump kanë gjetur arsye për t’iu gëzuar gjithashtu kufizimeve të koronavirusit. Shumë janë duke festuar rikthimin e grave në shtëpitë e tyre dhe në “rolet gjinore tradicionale”.
“Është ashtu siç e ka dashur Zoti,” argumentoi Lori Alexander, autore e një blogu konservator kristian, që u mëson grave se si të jenë “esëll, të dashura dhe të bindura ndaj burrave”, dhe që e ka mbrojtur sjelljen dhe postimet “e ndyra” të Trump me argumentin se “Zoti funksionon përmes një burri mëkatar dhe të rënë”.
Për krizën e COVID-19, ajo festoi në Facebook:” Virusi po na tregon qartë vlerën e madhe të të pasurit të mamave në shtëpi”.
“Në karantinë, ne jemi të gjithë bashkëshortë tregtarë,” shtoi Amber Athey, redaktore e revistës së ekstremit të djathtë, Spektator me bazë në Uashington, duke inkurajuar më shumë gra që të aftësohen në punë shtëpie, të tilla si pastrimi apo qepja. “Me shpresë,” thotë ajo, disa prej këtyre “vlerave tradicionale” do qëndrojnë me ne përtej kësaj emergjence.
“Le të qëndrojmë në shtëpi dhe të bëjmë një bebe,” brohoriti grupi ultra-konservativ italian “Pro Vita& Famiglia”. (Ky grup organizoi Kongresin kontrovers botëror të Familjeve në Verona vitin e shkuar, i cili bëri bashkë konservatorë fetarë ndërkombëtarë dhe aleatët e tyre të ekstremit të djathtë).
Për këto lëvizje të “vlerave tradicionale”, sigurisht që nuk ka hapësirë për familjet LGBTQ apo për këdo që jeton jashtë botës me role të ndara gjinore. Dhe në vitet e fundit, pikëpamjeve të tyre u është bërë gjithnjë e më shumë jehonë nga autoritarët dhe lëvizjet populiste të ekstremit të djathtë në të gjithë botën.
Vitin e kaluar në Verona, Salvini talli feministët dhe premtoi “luftë ndaj teorisë së ekuilibrit gjinor deri në ndryshim”. Presidenti seksist i Brazilit, Jair Bolsonaro i tha njëherë një deputeteje: ”Unë nuk do të të përdhunoja kurrë, sepse ti nuk e meriton”. Këtë muaj në Rusi, Vladimir Putin premtoi: ”Sa kohë të jem unë President, [martesat gay] nuk kanë për të ndodhur. Do të jetë Babai dhe Nëna”.
Kriza e sotme po u jep këtyre tradicionalistëve optimizëm –dhe fuqi të reja. Merrni për shembull festën e tyre për shtyrjen e debatit mbi të drejtat themelore të grave. “Koronavirusi mundet të ketë shpëtuar një numër të pafund bebesh të palindura në Merilend,” shkruan një titull, pasi një projektligj për të drejtën e abortit u tërhoq.
“Ata duan të legalizojnë vdekjen dhe vdekja erdhi për t’i vizituar ata,” postoi një politikan konservator në Argjentinë, ku kriza e koronavirusit ka ngecur premtimin historik të presidentit për legalizimin e abortit.
Aktivistët kundër zgjedhjes u entuziazmuan ngjashëm për shtyrjen e referendumit për abortin në Gjibraltar. Dhe në SHBA e Mbretëri të Bashkuar, disa po u kërkojnë qeverive që të “ndalin aborted për të çliruar para për koronavirusin”.
Konservatorët po shfrytëzojnë gjithashtu iniciativën, duke ofruar shërbime që papritmas janë në kërkesë të lartë. Në Shtetet e Bashkuara, Shoqata e Mbrojtjes Ligjore të Shkollave (e cila ka lobuar për vite me radhë kundër martesave të së njëjtit seks si dhe kundër çdo rregulloreje publike për shkollimin në shtëpi) ka lëshuar kohët e fundit një udhëzues “të fillimit të shpejtë” për shkollimin në shtëpi gjatë krizës së koronavirusit.
Akademia e saj në internet, e cila mëson “kristanët që besojnë Biblën”, nuk duket të ofrojë ndonjë formë të edukimit seksual apo të marrëdhënieve si dhe ua mëson studentëve biologjinë nga pikëpamja anti-evolucionare e “Krijuesit të Tokës së Re”.
Ashtu siç pritej, guida e tyre “e fillimit të shpejtë” shpërndan lidhje të kurrikulës në internet që nuk përmendin në asnjë rast njerëzit LGBT apo të drejtat e grave.
“Nuk është në të vërtetë fundi i botës,’ thotë një postim në faqen e një blogu që lidhet me fushatën e të drejtave të prindërve, e cila kundërshton gjithashtu ndalimin e goditjes me shpullë apo Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve.
Në rrethanat e kufizimeve aktuale të COVID-19, faqja brohoret “familja u bë edhe njëherë qendra e gjithçkaje”.
Një grusht shteti global
Rreth e qark botës, po shohim shtrirjen e kufizimeve të befta të lirive demokratike. Lëvizjet tona po kontrollohen gjithnjë e më shumë. Grumbullimet publike janë ndaluar, është deklaruar gjendja e emergjencës, debatet legjislative janë shtyrë dhe një numër në rritje parlamentesh janë pezulluar.
Në nivel global, qeveritë po rrisin mbikëqyrjen dixhitale. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban sapo fitoi fuqi të reja diktatoriale, duke pezulluar zgjedhjet dhe referendumet si dhe injoruar pa kufizim ligjet. Në Izrael, presidenti Benjamin Netanjahu miratoi një dekret urgjent për të ndaluar mbledhjen e parlamentit –një akt që gazeta Haaretz e quajti një “korona-grusht shteti”.
Në veri të Italisë ku unë jetoj, kostot njerëzore të COVID-19 janë marramendëse. Është zënë rob nga përditësimet e numrit të të infektuarve, vdekjeve dhe pamjeve të paharrueshme të ambienteve të tejmbushura në spitale. Radhë dyshekësh mbi dysheme; njerëz të mbuluar me batanijet me shkëlqim të urgjencës.
Kaq shumë energji është e fokusuar domosdoshmërisht në frontin e përgjigjes së shëndetit publik. E megjithatë, lufta për të ardhmen tonë ka filluar tashmë.
Shumë nga e tanishmja jonë gjithnjë e më kufizuese dhe frikësuese reflekton mënyrën se si lëvizjet e ekstremit të djathtë duan që të jetë bota. Mund të jemi të sigurt se ata do të përpiqen që disa prej këtyre ndryshimeve të bëhen të përhershme.
Ata po kërkojnë që tani mënyra për ta shfrytëzuar krizën aktuale që rezultatet të jenë në avantazhin e tyre.
Por ka gjithashtu arsye për shpresë. Në një krizë, mendjet e njerëzve mund të ndryshohen rrufeshëm, progresi mund të jetë i shpejtë. Ne po shohim që tani një momentum të vrullshëm mbi një sërë çështjesh- nga trajtimi i dizinformimit në internet deri tek prezantimi i të ardhurave universale bazike –në mënyra që dukeshin të pamundura vetëm pak muaj më parë.
Gjigandët e teknologjisë, të cilët nuk kishin më parë vullnet për të vepruar kundër dizinformimit janë hedhur në veprim, duke bllokuar lajmet e rreme dhe publikuar njoftimet falas të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Mbetet shumë për t’u bërë sigurisht, ndërkohë që duhet të jemi gjithashtu të kujdesshëm ndaj kontrollit të korporatave mbi atë që mund të themi. Por tregon se aty ku ka vullnet, ka edhe një mënyrë.
Shumë më tepër është gjithashtu e mundshme. Ne mund të shohim tërheqjen ose thyerjen e lëvizjeve anti-shkencë. Në Itali, Bepe Grillo, themelues i lëvizjes kundër vaksinimit Pesë Yjet i ka mbështetur tashmë publikisht kërkimet për vaksinën e koronavirusit. Disa aktivistë kundër abortit kanë ngritur shqetësimin se demokracitë po bëhen shtete policore me kufizimin e lirive civile.
Votuesit mund të kërkojnë më shumë burime për sistemet e shëndetit publik. Faktet mund të kenë sërish rëndësi. Ka gjithashtu një potencial të madh që kjo krizë të prodhojë ndryshime në angazhimin tonë për barazi dhe të drejtat universale të njeriut gjithashtu. Sikur asgjë tjetër, kjo krizë tregon se sa e rëndësishme është të mbrosh dhe të kujdesesh për të tjerët.
“Mënyra e vetme për ta mundur [COVID-19] është të mos lëmë askënd mbrapa,”shpjegoi drejtori ekzektiv i OBSH-së, Majkëll Rajan. “Ne nuk mund të harrojmë emigrantët. Nuk mund të harrojë punëtorët e padokumentuar. Nuk mund të harrojmë të burgosurit në burgje”.
Se si kjo krizë do ta riformulojë botën tonë nuk është një përfundim i paracaktuar. Do të varet nga ne. Por ne nuk mund të lejojmë ata që duan të na mbyllin dhe të na shfuqizojnë që të fitojnë avantazhin. Kush e kap këtë moment do të shkruajë të ardhmen.