Ofertat për teste serologjike në Shqipëri janë të parakohshme, ndërkohë që përfshirja e laboratorëve privatë në testimet ndaj COVID-19 konkurron për reagentë dhe materiale institucionet e shëndetit publik, të cilat janë në vijën e parë të luftës kundër pandemisë.
Autoritet shëndetësore dhe kërkimore në Europë dhe SHBA besojnë se zhvillimi i një testi të suksesshëm serologjik – analiza e gjakut për antikorpet e koronavirusit, mund të jetë një hap përpara në luftën kundër pandemisë të shkaktuar nga SARS-CoV-2.
Shpresat janë se një test i tillë do të mund të ndihmojë në luftën e vështirë kundër pandemisë, duke ofruar mundësinë për të vlerësuar se sa është përqindja e personave të infektuar me koronavirusin e ri që nuk zhvillojnë sëmundjen COVID-19, ose shfaqin vetëm shenja të lehta – pra mbartësit e shëndoshë, të cilët pa e ditur infektojnë të tjerët; si dhe sa është zhvilluar në popullsi epidemia në një vend të caktuar, duke testuar një kampion të gjerë të popullsisë së përzgjedhur nga autoritetet e shëndetit publik.
Aktualisht, autoritetet shëndetësore në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Itali ku unë ushtoj aktivitetin si mjek, po bëjnë vlerësime nëse një test i tillë funksionon ose jo, ndërkohë që në disa vende lejohet të përdoret vetëm në kushte emergjence, por nuk mund të përdoret si bazë për diagnostimin e sëmundjes së COVID-19.
Si rrjedhojë, ofertat e bëra në mediat shqiptare nga laboratorë private për realizimin e testit serologjik janë të parakohshme. Gjithashtu, edhe nëse ky test cerfikohet nga autoritete shëndetësore të vendit, ofrimi i tij nga klinikat private do t’i bënte konkurrencë të pandershme për materiale dhe reagentë laboratorëve publikë, të cilët janë të angazhuar në një përballje të paprecedentë me një sëmundje infektive vdekjeprurëse.
Që nga shpërthimi i epidemisë në 8 mars, në Shqipëri janë identifikuar 277 raste pozitive me COVID-19, nga këto 76 pacientë janë shëruar dhe 16 kanë humbur jetën.
Në Itali, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar aktualisht autoritetet e shëndetësisë janë duke vlerësuar nëse një test i tillë funksionon. Nëse ky test funksionon, në SHBA pritet të japë miratim të përshpejtuar brenda 1 muaji, në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë.
Shumë laboratorë universitarë dhe privatë në SHBA dhe BE janë duke u përgatitur. Mbi 60 prej tyre kanë marrë markën BE, por asnjë test akoma nuk është verifikuar me studime klinike. Megjithatë, disa studiues kanë deklaruar se është e mundur të realizohet i vlefshëm dhe i besueshëm. Ndërkohë, Kina dhe Singapori kanë praktikuar teste serologjike, por ato kanë qenë të paverifikuar [validated] me studime klinike.
Në SHBA, Administrata e Ushqimit dhe Barnave, FDA, shprehet se në kushte emergjence i lejon laboratorët ta përdorin testin e antikorpeve edhe pa miratimin e saj, por me një seri kushtesh.
Laboratori që kryen testin duhet të deklarojë kur e bën testin që nuk ka ende miratim nga FDA; që rezultati negativ nuk përjashton faktin se je i infektuar; që rezultati i antikorpeve nuk mund të jetë baza e vetme për të bërë diagnozë të COVID-19; të thotë se rezultati pozitiv mund të jetë nga koronaviruset e tjera të zakonshme – pra je pozitiv, por nuk ke koronavirusin e ri të COVID-19. Mund të jesh pozitiv nga koronaviruset e tjera, ato që shkaktojnë rrufë (hundët me sekrecione) ose dhimbje gryke.
Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha në një deklaratë me 1 prill se testi me antikorpe ka vlerë të kufizuar për diagnozë të COVID-19, sepse mund të duhen edhe 10 ditë pasi je sëmurur që të bëhesh pozitiv për antikorpe. Qendra shton se vendet e BE-së që po financojnë studimet e verifikimit të këtij testi, të shohin sa shpejt funksionon (fast-track clinical validation studies )– për të parë performancën klinike dhe limitet e këtij testi.
Një artikull shkencor i publikuar revistën prestigjoze JAMA shprehet gjithashtu se analizat e gjakut me antikorpe janë akoma të paverifikuara.
“Vlera klinike e këtyre testeve nuk dihet akoma, dhe duhen adresuar sfidat si reaktiviteti i kryqëzuar me viruse të tjera, dhe ajo që testi ndonjëherë nuk e gjen virusin (koronavirusin e ri COVID-19) edhe kur ai është aty (në gjak),” shkruan artikulli.
Nga popullsia e botës prej 7,8 miliardë banorë, është vlerësuar se një përqindje e madhe mund të infektohen me këtë sëmundje tepër ngjitëse, nëse nuk zbatojnë masat e distancimit të rreptë social – izolimit në shtëpi për luftuar pandeminë. Që të bësh teste për kaq shumë të infektuar sa po prek koronavirusi i ri, është e vështirë të gjenden materialet, testet dhe reagentët. Edhe me sforcime të jashtëzakonshme që po bëhen për t’i prodhuar, ka probleme serioze mungesash në sasinë e kërkuar në çdo vend të botës.
Në Bergamo – epiqendra e epidemisë në Itali, kryebashkiaku Giorgio Gori ka deklaruar se të vdekurit me COVID-19 janë 3 herë më shumë nga çfarë deklarohet. Këtë e kanë thënë edhe mjekë, kjo sepse nuk u është bërë testi i tamponit për mungesën e tij në shumë viktima. Shumë banorë të Bergamos dyshohet se kanë vdekur në shtëpi, sepse nuk ka patur vende në spitale. Në shumë raste, teste nuk ka as për personelin mjekësor për të cilin ka dyshim se është infektuar. Sipas urdhrit të mjekut, janë 67 doktorë qe kanë vdekur nga COVID-19 në Itali.
Në Shqipëri – në media të shkruara dhe vizive, është raportuar se testimi për të luftuar epideminë duhet bërë në masë dhe i rastësishëm, duke sjellë si shembull Korenë e Jugut. Në opinionin tim, kjo qasje është e gabuar.
Koreja e Jugut, e cila ka një popullsi prej 51 milionë banorë ka bërë 15-20 mijë testime në ditë, të gjitha me kritere, dhe jo të rastësishme, ose në formën tapet. Gjermania që ka patur sukses në luftën kundër epidemisë, ka bërë shumë më pak testime se Koreja e Jugut (në proporcion). Edhe Koreja e Jugut është shumë larg mbulimit masiv, në tapet, të popullsisë me testim – por kur arriti 200 mijë testime, duke zbatuar strategjinë e masave të shëndetit publik, realizoi ndalimin e epidemisë.
Në aktualitetin e pandemisë, kur ka një mungesë furnizmi me materiale mjekësore, laboratorët privatë nuk duhet t’i bëjnë konkurrence për blerje testesh dhe reagentësh organizmave të shëndetit publik, që po luftojnë epideminë. Po t’i marrin laboratorët privatë materialet e paktë të tregut botëror, nuk mbeten teste për Institutin e Shëndetit Publik dhe ato të vendeve të tjera. Në Itali, me çfarë jam i informuar unë si mjek, testet i bën vetëm shteti. Vetëm shteti ka laboratorë të certifikuar. Ngjashëm në Shqipëri, ato pak teste dhe reagentë që gjenden në qarkullim, duhet t’i përdorë vetëm ISHP sipas strategjisë së luftës kundër epidemisë.
Vetëm ISHP duhet të bëjë teste, sepse vetëm ky institucion do t’i bëjë sipas kritereve epidemiologjikë të OBSH-së. Një ent publik për shembull nuk i bën testim atij që paraqitet në klinikë dhe është vetëm në ankth (por ka mundësi të paguajë shuma të mëdha). Nuk mund të bëhen teste pa patur shenja klinike, ose pa bërë përzgjedhje të pacientëve me vizitë korrekte.
Gjithashtu, shtrirjen e duhur në territor dhe depërtimin kapilar e ka vetëm shëndetësia publike dhe ajo i gjurmon rastet, sipas kritereve të OBSH-së, duke e luftuar me metodë shkencore epideminë në mënyrë që të shpëtojnë njerëzit nga sëmundja dhe nga vdekja.