Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se nëse vendi nuk do të ketë rritje të numrit të infektimeve, disa kategori dyqanesh me pakicë, përfshirë veshjet, mobileritë e pajisjet elektronike, do të mund të rifillojnë aktivitetin javën e ardhshme.
Qeveria shqiptare ka në plan të lejojë rihapjen e një pjese të biznesit të vogël të mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit duke filluar nga java e ardhshme, në rast se gjatë ditëve të ardshme nuk do të ketë tendencë në rritje numrin e personave të infektuar.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se javën tjetër mund të lejohet hapja e dyqaneve të shitjes me pakicë të veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobilimeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike apo dyqaneve të luleve.
Po kështu plani është që të lejohet një transport i kufizuar taksi nga një qytet në tjetrin me kushtin që të ketë vetëm një pasagjer.
Shqipëria kaloi në mbyllje të pothuajse të gjithë aktivitetit ekonomik të biznesit të vogël që nga 15 Marsi ndërsa biznesi i madh dhe në veçanti, ndërtimi, minierat apo fabrikat fason e call centerat, u lejuan të operojnë.
Një pjesë e konsiderueshme e fabrikave apo qendrave të shërbimeve të marketingut përmes telefonatave u mbyllën pavarësisht se lejoheshin për të operuar, pjesërisht për shkak të frikës nga COVID-19 dhe pjesërisht për shkak të kolapsit të kërkesës nga blerësit e tyre. Por një pjesë e vogël vijuan të punojnë ndërsa së fundmi, një fasoneri në Krujë u bë vatra më e madhe e infeksionit në vend.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në fillim të pandemisë se nuk do të mbyllte fabrikat për të shmangur pasojat më të rënda ekonomike por autoritetet kërkuan që bizneset të ndërmerrin masa të rrepta sigurie për të krijuar distancë mes punëtorëve.
Shqipëria kaloi javët e fundit nga regjimi i lejimit të vetëm dyqaneve ushqimore dhe bankave deri në orën 13.30 në lejimin e këtyre aktiviteteve deri në orën 17.30 pasdite. Javën e kaluar disa aktivitete tregtare me shumicë u lejuan të fillojnë punën ndërsa shitjet me pakicë nuk janë lejuar ende.
Shqipëria ka deri më sot 634 raste me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronarivusi i ri. Nga këto, 356 vetë janë shëruar dhe 27 kanë humbur jetën. Në disa qytete të vendit virusi nuk është shfaqur deri më tani ndërsa në disa qytete të tjera, rastet e konfirmuara janë izoluar dhe vatrat janë mbyllur tashmë.