Tani që qeveritë po e përqendrojnë të gjithë vëmendjen e tyre për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19 dhe për të shmangur një krizë edhe më të thellë ekonomike, ky është momenti i duhur për të investuar në të ardhmen e njerëzimit. Ne mund të shënojmë përdorimin e një ekonomie të qëndrueshme sot, ose të përballemi me një krizë akoma më të madhe globale nesër.
Pandemia e COVID-19 është një nga sfidat më të mëdha globale që kemi pasur prej shumë brezash. Qeveritë dhe autoritetet monetare janë duke përdorur me korrektësi çdo mekanizëm politikash në dispozicion të tyre për të parandaluar që një emergjencë e rëndë shëndetësore të shndërrohet në një një krizë edhe më e thellë ekonomike, politike dhe sociale. Por ndërsa nxitojmë të mobilizohemi, duhet të fillojmë të mendojmë sesi mund ta formësojmë për më mirë botën pas pandemisë.
Gjatë krizës së fundit globale 11 vjet më parë, komuniteti ndërkombëtar arriti të parandalojë një kolaps të plotë financiar, por nuk arriti të sjellë një rikuperim të fortë. Për shembull, Kina vuri në zbatim me shpejtësi një nga paketat stimuluese më të gjera në histori. Por ndërkohë që kjo përgjigje ishte efikase në parandalimin e një recesioni të thellë, ajo u pasua nga rritje të shpejtë në emetimet vjetore të gazit serë të Kinës.
Tani që bota po angazhohet të bëjë “gjithçka që është e nevojshme ” për të shmangur një katastrofë më të thellë nga COVID-19, duhet të pranojmë se i njëjti imperativ vlen për krizën globale të qëndrueshmërisë. E megjithatë, tashmë duket se vala e parë e politikave stimuluese do të përqendrohet edhe një herë në sektorët me karbon të lartë, siç dëshmohet edhe nga tërheqja nga Marrëveshja e Gjelbër Europiane.
Pavarësisht marrëveshjes së klimës në Paris 2015 dhe Axhendës Addis Ababa Action për financimin e zhvillimit të qëndrueshëm, bota ende nuk është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e saj për emetimet e gazit serë (GHG) ose investimet në teknologjitë me karbon të ulët. Siç ka thënë edhe Milton Friedman “përgjegjësia sociale e biznesit është të rrisë fitimet e tij”. Por kriza e dytë globale në pak më shumë se një dekadë na vendos përballë një zgjedhjeje: Çfarë rrjedhe do të përcaktojmë ne për ekonominë e shekullit XXI?
Emergjenca e COVID-19 paraqet një mundësi për të përshpejtuar kalimin në një shoqëri më të qëndrueshme me një ritëm që vetëm një muaj më parë do të ishte i paimagjinueshëm. Tani që digat fiskale po prishen, investimet publike duhet të drejtohen atje ku është më e nevojshme, jo vetëm tani, por edhe në planin afatgjatë. Sapo njerëzit të mund të rikthehen në punë, qeveritë mund të mbështesin programet e sektorit të ndërtimit. Ata mund të investojnë në energji të rinovueshme dhe në infrastrukturë të qëndrueshme, ndërsa financojnë gjithashtu kërkime dhe zhvillime të reja, ripyllëzime, restaurim të koraleve, bujqësi rigjeneruese, peshkim të qëndrueshëm etj.
Për më tepër, tani ka një mundësi – dhe një nevojë urgjente – për të ndjekur një bashkëpunim më të thellë global në të gjitha këto fronte. Pandemia kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, gjë e cila mund të sjellë forca më të ulëta monetare dhe fiskale. Burimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe bankave shumëpalëshe të zhvillimit (MDB) duhet të mobilizohen, zgjerohen dhe shpërndahen në mënyrë më kreative për të ndihmuar rajonet më të rrezikuara në botë.
Me buxhetet publike tashmë të tensionuara, investimet private gjithashtu duhet të mobilizohen. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj duhet të drejtohet drejt infrastrukturës së qëndrueshme në botën në zhvillim, e cila tani përbën shumicën e emetimeve të gazrave globale. Sidomos bankat shumëpalëshe të zhvillimit duhet të shtojnë përpjekjet e tyre duke marrë përsipër më shumë rrezik, duke ofruar garanci më të forta dhe duke rivendosur objektivat e investimeve mbi klimën dhe biodiversitetin.
Për fat të mirë, ndërsa ndjekim një të ardhme më të qëndrueshme pas pandemisë, nuk do të fillojmë nga e para. Duke u bazuar në marrëveshjet aktuale ndërkombëtare për zvogëlimin e emetimeve dhe rritjen e financave për zhvillimin e qëndrueshëm, shumë vende kanë punuar në drejtim të objektivave të reja globale për ruajtjen e biodiversitetit, në pritje të Konventës së ardhshme (megjithëse tani e shtyrë) për Diversitetin Biologjik (COP15) në Kinë.
Tani është koha të jemi më ambiciozë. Në vitin 1944, ndërsa Lufta e Dytë Botërore vazhdonte ende, përfaqësues nga qeveritë në mbarë botën u mblodhën në Bretton Woods, Nju Hempshajër, për të filluar planifikimin për atë që do të vinte më pas. Duke ndjekur atë model, ne duhet të përgatisim një Bretton Woods të ri për qëndrueshmërinë.
Ka shumë punë për të bërë. Ne kemi nevojë për standarde të reja globale, objektiva më të afërta për të arritur emetimet neto zero dhe standarde financiare të modifikuara për të dhënë llogari për faktorët mjedisorë. Ne gjithashtu duhet të krijojmë rrjete të reja koalicionesh publike dhe private për të përmirësuar kuadrot ekzistuese shumëpalëshe. Një marrëveshje e gjelbër do të siguronte një platformë që vendet që të negociojnë rregulla të reja për financa dhe tregti të qëndrueshme. Ajo mund të prodhojë objektiva dhe metoda të reja të bazuara në shkencë për sektorin privat dhe qeveritë, më shumë fonde për të mirat publike globale (kryesisht ekosistemet e biodiversitetit), shtrirje më të thellë ndërkombëtare midis subvencioneve dhe regjimeve tatimore në nivel kombëtar dhe horizonte më të gjata kohore për investime.
Sektori financiar është mekanizmi kryesor i ekonomisë për shpërndarjen e burimeve dhe shpërndarjen e rrezikut. Duke pasur parasysh kufizimet e tanishme në buxhetet e qeverisë, sektori financiar ka një rol kritik për të ridrejtuar flukset e kapitalit privat drejt investimeve të nevojshme për një ekonomi më të qëndrueshme.
Kriza COVID-19 vjen në një moment të rëndësishëm: fillimi i dekadës së fundit që ne kemi në dispozicion për të vepruar për ndryshimet klimatike. Shkencëtarët e klimës kanë paralajmëruar se dështimi për të ndërmarrë hapat e nevojshëm tani do të rezultonte në ngrohje katastrofike globale dhe zhdukje masive. Nuk do të ketë asnjë moment më të mirë sesa ky për të adresuar shkaqet thelbësore të pabarazive globale, për t’u përballur me krizën sociale dhe mjedisore, dhe për të riafirmuar dhe forcuar angazhimet ndërkombëtare që kemi bërë vetëm pesë vjet më parë.
Qeveritë do të shpenzojnë miliarda dollarë për të zbutur goditjen nga COVID-19. Ne nuk duhet të lejojmë që ato para të shkojnë kot. Kur dikush goditet nga një stuhi e kësaj madhësie, gjëja më e keqe që mund të bësh është të humbasësh busullën. Ne P duhet ta përdorim atë busull për të hartuar një kurs të ri drejt një modeli ekonomik që vendos qëndrueshmërinë njerëzore dhe mjedisore në qendër të tij.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Don’t Waste the Pandemic Response