Organizatat e shoqërisë civile i bënë thirrje qeverisë shqiptare dhe të Kosovës për t’u ndërgjegjësuar kundër plagjiaturës në sistemin arsimor, pasi e ardhmja e të rinjve varet nga integriteti i plotë në fushën e arsimit – ky i fundit sipas tyre i rrezikuar prej ministrave në detyrë të të dy vendeve.
Mëngjesin e së hënës, organizata Qëndresa Qytetare në Shqipëri dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në Kosovë, protestuan njëkohësisht përballë Ambasadës së Kosovës në Tiranë dhe Ambasadës Shqiptare në Prishtinë me anë të një himni kombëtar të përshtatur prej tyre kundrejt fenomenit të plagjiaturës në ministritë e arsimit të të dy vendeve.
Ata publikuan gjithashtu një raport monitorues mbi arsimin për periudhën akademike maj-korrik 2020, ku pasqyrohet ecuria a zbatimit të ligjit dhe platformave anti-plagjiaturë nga universitetet publike në Shqipëri.
Migen Qiraxhi, nga organizata Qëndresa Qytetare, u shpreh se të dyja qeveritë janë bashkuar duke mbështetur antivlera të tilla siç është plagjiatura.
“Përpara bashkimit dhe unifikimit të vlerave dy qeveritë tona unifikuan plagjiatorët dhe antivlerat”, tha ai gjatë protestës paqësore të së hënës pranë ambienteve të Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Rron Gjinovci, drejtor i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) , është shprehur në reagimin e tij pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë se ata bashkohen në këtë aktivitet kundër korrupsionit, hajdutëve, dhe plagjiaturës në sistemin arsimor të kryesuar prej ministrave Ramë Likaj dhe Evis Kushi në Kosovë e Shqipëri.
“Plagjiatura është vjedhje dhe hajni e pronës intelektuale të dikujt”, tha Gjinovci gjatë fjalës së tij.
“Fatkeqësisht ministrat shqiptarë të arsimit në Kosovë dhe Shqipëri janë autorë punimesh që përbëjnë plagjiaturë . Në krye të arsimit Shqiptar qëndrojnë Ramë Likaj dhe Evis Kushi të cilët janë akuzuar nga aktorë të shoqërisë civile dhe media për plagjiaturë, ndërkaq asnjëherë nuk e kanë sqaruar çëshjten e integritetit të tyre akademik”, shtoi Gjinovci.
Gjatë javës së dytë të shtatorit, pak ditë përpara se ajo të merrte detyrën e re si Ministre e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi u akuzua për plagjiaturë nga hulumtues të studimeve shkencore, mbi një artikull shkencor të sajin të publikuar disa vite më parë.
Pas presionit të vazhdueshëm nga studentët dhe organizatave të shoqërisë civile ndaj Ministrisë së Arsimit për kontrollin e disertacioneve, në dhjetor 2019, në Shqipëri u ble nëpërmjet 20 mijë eurove të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit një sistemi anti-plagjiaturë – softaware-i “Platforma Akademia’.
Nga monitorimi i kryer prej organizatës Qëndresa Qytetare, ky sistem anti-plagjiaturë nuk i plotësoi pritshmëritë në përdorimin për kauzën e duhur për të cilën u krijua.
Sipas raportit të monitorimit vetëm 4 nga 12 universitete publike ë Shqipëri e kanë shfrytëzuar platformën ‘Akademia.al’ ndërsa 8 universitetet e tjera, përfshi edhe universitetin e Tiranës, nuk e kanë shfrytëzuar platformën anti-plagjiaturë.
“Me këtë situatë, me e pakta që u duhet Shqiptarëve është që ministrat t’i kenë plagjiatorë. Plagjiatorët janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e mjerueshme të arsimit në vendet tona”, u shpreh Rron Gjinovci gjatë deklaratës së tij pranë Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.
Nga ana tjetër, Rigels Xhemollari, i tha BIRN se ky reagim i Qëndresës Qytetare erdhi pikërisht si një thirrje ndaj Ministres së re të Arsimit për të zbatuar platformën anti-plagjiaturë e cila deri më sot nuk është përdorur siç parashikon dhe ligji.
“Reagimi ishte pikërisht një sfidë e hapur e drejtuar Ministres së Arsimit që ajo e para ta përdorë platformën ‘anti-plagjiaturë’ për dy artikujt shkencorë për të cilët akuzohet dhe jo të kalojë në heshtje. Publiku duhet të ndërgjegjësohet mbi këtë fenomen i cili është i dënueshëm me nenin 148 të kodit penal”, tha Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare.
Fenomeni i plagjiaturës sjell jo vetëm një mungesë të zbatimit të ligjit, por edhe një pengesë në progresin akademik dhe rritjen e nivelit të konkurrencës që stimulon ambicien e arsimtarëve për të përparuar.
“Problemi kryesor i përhapjes së plagjiaturave në masë në vendin tonë është impaktimi i drejtpërdrejtë i cilësisë në sistemin arsimor pasi avancimet akademike të kryera nëpërmjet artikujve të kopjuar janë fiktive, dëmtojnë konkurrencën mes pedagogëve dhe krijojnë modele negative tek studentët”, citohet në raportin e monitorimit të arsimit të publikuar prej Qëndresës Qytetare.
Gjinovci, nga ana tjetër, theksoi se shkaku kryesor i nivelit të ulët të punimeve shkencore të prodhuara nga Shqipëria dhe Kosova është pikërisht dështimi i sistemit arsimor.
“Testi PISA (për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve) tregon se nxënësit nga Shqipëria dhe Kosova janë nën mesataren e arritjes në nivel global. Tek arsimi i lartë dhe shkenca, Kosova dhe Shqipëria e kanë mesataren më të dobët të prodhimit shkencor në rajon,” tha Gjinovci.
“Madje dhe Mali i Zi me një popullsi 600 mijë banorë arrin të prodhojë punime shkencore sa Kosova dhe Shqipëria bashkë”, përfundoi ai.