Angazhimi i aktivistëve për koordinimin e fushatës së ndihmave për personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 solli një rritje të besimit të publikut te shoqëria civile, vëren një raport i hartuar nga IDM.
Gjendja e të drejtave të njeriut duket se ka ardhur drejt përkeqësimit gjatë dy viteve të fundit, në veçanti në drejtimin e sulmit të politikës kundër medias dhe nismave ligjore kontroverse që cënojnë parimet e shtetit të së drejtës por veprimtaria e aktivistëve dhe organizatave të shoqërisë civile gjatë vitit 2019 duket se ka sjellë një përmirësim të imazhit të shoqërisë civile në sytë e publikut të gjerë, bëhet e ditur nga një raport vlerësimi i hartuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, raport që u prezantua të enjten.
Evelina Azizaj, autore e raportit për Shqipërinë për vitin 2019, u shpreh se dimensionet në përmirësim janë ato të kapacitetit organizativ të OSHC-ve si edhe ofrimi i shërbimeve të tyre.
“Kryesisht këto përmirësime vihen re në organizatat e shoqërisë civile në zonat urbane kryesore, pasi ato në zonat urbane më të vogla apo në zona rurale e kanë më të vështirë gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuara, kjo kryesisht edhe për shkak të depopulimit të zonave”, tha znj. Azizaj.
Indeksi i Qëndrueshmërisë së Organizatave të SHoqërisë Civile në Europën Qendrore dhe Lindore dhe EuroAzinë është një instrument që mbështetet nga USAID dhe vlerëson gjendjen e shoqërisë civile për nga pikëpamja e nivelit të organizimit, të menaxhimit të burimeve financiare dhe të ndikimit në publik.
Angazhimi i jashtëzakonshëm i aktivistëve për koordinimin e grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave në ditët pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit dhe fakti që një numër shumë i lartë qytetarësh ia besuan kontributet e tyre organizatave dhe aktivistëve ishte një nga treguesit e përmirësimit. Beteja e gjatë e shoqërisë civile për të ruajtur internetin nga përpjekjet e qeverisë për ta “rregulluar” përmes një kontrolli administrativ, ishte një tregues tjetër.
Beteja deri tani e suksesshme për mbrojtjen e lumit Vjosa nga planet për ndërtim hidrocentralesh si dhe beteja e gjatë për mbrojtjen e Teatrit kombëtar kanë qenë raste pozitive ndërkohë që shqetësime u ngritën për vështirësitë e shumta që hasin organizatat vendore në qytete të ndryshme të Shqipërisë
Zhaneta Satri, përfaqësuese e USAID në Shqipëri u shpreh se imobilizimi i menjëhershëm i organizatave të shoqërisë civile gjatë dy rasteve të tërmetit si dhe të pandemisë është një tregues pozitiv për qëndrueshmërinë.
“Dua të veçoj dy momente kryesore, atë të tërmetit të vitit të kaluar si edhe atë në kuadrin e pandemisë, ku imobilizimi imediat dhe adaptimi efektiv I shoqërisë civile në këto situata tregoi kreativitetin e përshtatjes së tyre në situate të tilla”,u shpreh znj. Satri gjatë prezantimit virtual.
Qëndrueshmëria financiare vazhdon të jetë dimensioni më i dobët në indeksin për Organizatat e Shoqërisë Civile. Ndërsa në stanjacion kanë mbetur edhe mjedisi ligjor.
Advokimi paraqitet si dimensioni më I qëndrueshëm gjatë gjithë këtyre viteve të monitorimit, megjithëse me sfida të shumta.
“Situata politike shumë e polarizuar në vendin tone ka vështirësuar përpjekjet advokuese të organizatave”, sqaroi znj. Azizaj.
Të njëjtin mendim ndanë edhe Olsi Nika nga organizata mjedisore “Eco Albania” dhe Gjergj Erebara nga rrjeti BIRN.
“Kemi pasur raste të advokimit të suksesshem me çështjet mjedisore, por klima politike në vend vazhdon të mbetet degraduese përsa i përket debateve dhe konsultimeve, klimë e cila po ndrydh gjithnjë e më shumë liritë e qytetarëve”, tha Nika.
Nga ana tjetër, Gjergj Erebara u shpreh se zhvillimet pozitive për shoqërinë civile konsistojnë në faktin se është kaluar nga fakti i organizimit të protestave për efekt projekti në organizimin e tyre për efekt aktivizmi.
Gjergji Vurmo nga IDM gjithashtu theksoi se fakti që organizatat e shoqërise civile kanë arritur të shtyjnë apo të pengojnë disa prej nismave shtypëse të qeverisë mbi shoqërinë civile, është një arritje dhe diçka pozitive për orientimin drejt një shoqërie demokratike.