Policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona në lidhje me atentatin ndaj 42-vjeçarit Aleksandër Deda. Deda u plagos rëndë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona në lidhje me atentatin e të martës në mbrëmje ndaj Aleksandër Dedës, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve. Burime nga policia i thanë BIRN se të shoqëruarit ishin marrë në pyetje si persona që kanë dijeni rreth ngjarjes dhe janë lënë sërish të lirë.
Aleksandër Deda u qëllua me breshëri nga një makinë në lëvizje mbrëmjen e të martës në zonën e Rrilës në Lezhë. Policia bëri me dije se 42-vjeçari kishte marrë plumba në këmbë dhe në trup, por i është shmangur makinës që e ndiqte dhe është drejtuar vetë drejt spitalit të Lezhës. Një ambulancë e ka marrë atë në afërsi të spitalit dhe më pas ai është transportuar në Tiranë, ku ndodhet nën kujdes mjekësorë, por jashtë rrezikut për jetën.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se Aleksandër Deda po lëvizte me automjetin e tij përgjatë superstradës nga Lezha në drejtim të Milotit dhe pranë zonës së Rrilës është përballuar me breshëri plumbash që vinin nga një automjet tjetër në lëvizje”, njoftoi policia.
Policia gjeti pak orë më vonë një një makinë të djegur dhe një armë automatike që dyshohet se u përket autorëve të atentatit. Sipas burimeve automjeti tip “Audi” i cili u përdor nga autorët për ekzekutimin e Aleksandër Dedës, rezulton të jetë i vjedhur në Lushnjë. Po ashtu edhe targat e mjetit janë denoncuar si të vjedhura në Lezhë.
Ndërkohë policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie të bizneseve përgjatë superstradës për të parë nëse është fiksuar ngjarja dhe lëvizjet e mundshme. Aleksandër Deda nuk rezulton të ketë precedent penal në vendin tonë. Policia po heton për të kaluarën e tij jashtë vendit dhe po ashtu edhe për konflikte të ndodhura së fundmi.