Polica e Durrësit ndaloi pronarin e një karburanti të ndërtuar duke ndërhyrë në autostratë, me akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrimit me pasoja të rënda”. Për të njëjtën çështje janë në akuzë edhe ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Një 55 vjeçar me iniciale M.K., i cili banonte në Tiranë dhe ishte shpallur në kërkim që prej muajit korrik të këtij viti, u arrestua nga Policia e Durrësit, në kuadër të një hetimi për një ndërhyrje të paligjshme në atostradë.
55-vjeçari, akuzohet për “falsifikim të dokumenteve” dhe “mashtrim me pasoja të rënda”, pasi sipas akuzës ai ka përfituar nga shpronësimi i një toke buzë autostradës dhe më pas ka ndërtuar mbi këtë tokë një karburant, duke ndërprerë rrugën dhe krijuar probleme të sigurisë.
Fillimisht 3 ish-punonjësit e ARRSH-së me iniciale A. M., 57 vjeç, E. B., 40 vjeçe dhe N. D., 53 vjeçe, dyshohet se duke shpërdoruar detyrën kanë shpronësuar pronën, por edhe kanë lejuar biznesmenin që të vijojë ushtrojë aktivitetin e tregtimit të karburantit në kundërshtim me ligjin, në afërsi të zonës që njihet si Shkëmbi i Kavajës.
Karburanti u ndërtua në një rrugë me standardin e autostradës, ku nuk lejohen hapësirat e shërbimit dhe në kundërshtim me ligjin në aksin rrugor “Plepa-Kavajë” u hoqën barrierat për të lejuar hyrje-daljet e automjeteve.
Leja për këto veprime dyshohet se u miratua nga zyrtarët e ARRSH-së megjithëse sipas hetimit biznesmeni dyshohet se është shpronësuar për sipërfaqen e truallit ku zgjerohej rruga. Pika e karburantit po hetohet edhe si shkak i disa aksidenteve rrugore si pasojë e heqjes së barrierave të rrugës dhe hyrje-dajleve të automjeteve.
Gjykata e Shkallës së Parë Durrës në muajin korrik i caktoi ish-zyrtarëve masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Pak muaj më pas, në tetor në operacionin policor të koduar “BYE PASS” u ndaluan 3 persona të tjerë dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë.