Prokuroria e Posaçme deklaroi të premten se kishte marrë 91 kallëzime nga subjekte politike, institucione dhe qytetarë për vepra penale në fushën e zgjedhjeve dhe se deri tani ka regjistruar 32 procedime penale.
Dhjetëra kallëzime penale janë depozituar në SPAK gjatë dy muajve të fundit nga subjekte politike, institucione dhe qytetarë për vepra penale në fushën e zgjedhjeve, për të cilat janë gjetur elementë për të filluar hetimin në 32 raste.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten se për periudhën mars-prill 2021 janë depozituar gjithsej 91 kallëzime penale që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, prej nga ka regjistruar 32 procedime penale.
Në njoftimin e SPAK thuhet se kallëzimet janë referuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, apo ndaj subjekteve të ndryshëm, që janë kompetencë hetimi e kësaj prokurorie.
Pjesë më e madhe e kallëzimeve është kryer nga Partia Demokratike në 50 raste, tre kallëzime nga Lëvizja Socialiste për Integrim, 1 nga Partia Socialiste dhe 1 nga FRD.
Ndërkohë, janë denoncuar 18 raste nga institucioni i Presidentit të Republikës, 10 kallëzime janë referuar nga policia gjyqësore, 4 çështje janë transferuar nga prokuroritë e rretheve dhe 4 denoncime janë kryer nga qytetarë të ndryshëm.
SPAK bënë me dije se janë regjistruar procedime penale për 32 prej kallëzimeve; ka vendosur mosfillimin për 7 raste; janë deleguar në polici për verifikime të mëtejshme 15 raste; 23 kallëzime janë dërguar në prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe 14 të tjera janë duke u verifikuar ende prej prokurorëve.