Me votat e mazhorancës socialiste Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Kuvend rrëzoi një dekret të Presidentit të Republikës për kthimin për shqyrtim të ligjit “Për të huajt”. Deputetët opozitarë argumentuan se ky ligj nxiste emigrimin e mëtejshëm të shqiptarëve dhe krijonte mundësi për ardhjen e terroristëve të huaj në vend.
Anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në parlament debatuan gjatë të martën mbi dispozitat e ligjit të ri “Për të huajt”, i cili është rikthyer për shqyrtim në Kuvend me dekret të Presidentit. Ky ligj zëvendëson ligjin aktual duke ofruar më shumë lehtësi për të huajt me aplikimin e një “leje unike”, për qëndrim dhe punësim në Shqipëri.
Përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, tha se mungonte një analizë për pasojat që do të sillte zbatimi i këtij ligji dhe nuk merr parasysh fenomenin e emigracionit. Ky ligj, sipas tij, tregon “mungesën e një politike të qartë shtetërore në çështjet e migracionit, azilit dhe të trajtimit të të huajve në Shqipëri”. Duke e cilësuar emigracioni një fenomen shqetësues, përfaqësuesi i Presidencës, tha se qeveria, jo vetëm nuk ka një strategji për frenimin e këtij fenomeni, por me anë të këtij ligji e thellon këtë problem.
Në të njëjtën linjë e kundërshtuan ligjin edhe deputetët e opozitës në komision. Ata e cilësuan të panevojshëm dhe në kundërshtim me interesat kombëtare, pasi sipas tyre nxiste emigracionin dhe papunësinë e shqiptarëve duke i zëvendësuar me shtetas të huaj.
Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri e quajti një strategji të qeverisë për “mbushur hendekun që krijon largimi i shqiptarëve”. Ndërsa kolegu i tij, Flamur Noka tha se ligji krijonte hapësira që në vendin tonë të futeshin lirisht terroristë të huaj.
Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, i cilësoi politike argumentet e dekretit presidencial dhe e mbrojti ligjin, që sipas tij, sillte “përafrim me një sërë direktivash të Bashkimit Evropian”. Komentet për emigracionin, sipas Çuçit, “janë jashtë objektit të këtij ligji”, ndërsa e mbrojti punësimin e të huajve me rregullat e tregut të lirë. “Në Shqipëri ka nevojë për fuqi punëtore, që nga pastrues deri tek inxhinierë”, tha ai, duke shtuar se nuk mund matet se sa nga këto punë u janë ofruar shqiptarëve apo të huajve. “Kjo është një dinamikë që e rregullon tregu” -tha ai.
Propozimi nga qeveria i këtij ligji pasoi një deklaratë të kryeministrit Edi Rama që shkaktoi debat gjatë fushatës zgjedhore. Gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës ai i sugjeroi një sipërmarrësi fason që të rekrutonte punëtorë nga Bangladeshi, India apo Pakistani.